E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrëmje gala për "Mona Lizën" shqiptare

Prej vitit 2004, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë është themeluar tradita e mbrëmjeve-gala kushtuar nxitjes së vëmendjes së pronarëve shtetërorë dhe joshtetërorë, brenda dhe jashtë vendit, për kujdesin ndaj vlerave të trashëguara në fondin e saj. Përmes këtyre mbrëmjeve promovohen vlerat e përveçme të fondit të pasurisë së arteve figurative në Shqipëri dhe rritet vëmendja publike për kushtet e ruajtjes dhe regjimin e trashëgimisë së tyre. Këtë vit mbrëmja gala u quajt "A-r-t-mosferë" dhe u zhvillua në kuadër të një bashkëpunimi shqiptaro-amerikan të instaluar prej vitesh dhe nën kujdesin e përbashkët të znj. Laura Bush dhe të znj. Teuta Topi, Zonja e Parë në Shqipëri. Mbrëmja u zhvillua me një pjesëmarrje të dukshme të autoriteteve publike të nivelit qendror dhe të shumë artistëve e artdashësve të ftuar. Në mbrëmjen-gala të këtij viti morën pjesë gjithashtu përfaqësues të trupit diplomatik, artistë, piktorë shqiptarë e amerikanë. Pjesë e bashkëpunimit me jashtë të Galerisë Kombëtare të Arteve me qendra e institucione të specializuara të restaurimit të veprave të artit ishte shërimi i tablosë së mirënjohur "Motra Tone" të Kolë Idromenos, e mbiquajtur "Mona Liza shqiptare", krejt gabimisht e paraqitur në disa botime jashtë vendit me titullin anglisht "Our Sister" - "Motra jonë", kur në fakt titulli i saj është "Motra Antone", me formën e shkurtuar. "Mona Liza" u trajtua për restaurim prej specialistëve të muzeut të mirënjohur të Luvrit. Bordi drejtues i Galerisë Kombëtare të Arteve bëri të ditur me këtë rast arritjet e veta për restaurimin pjesë-pjesë të këtij institucioni, të mjediseve të ruajtjes e të ekspozimit dhe të vetë fondit të pasurisë që ruan ky institucion, në bashkëpunim me subjekte publike e private vendas e të huaj. Gjithashtu u paraqitën edhe nevojat më të ngutshme të institucionit për mbështetje financiare, për shkak të pamjaftueshmërisë së fondeve buxhetore shtetërore. Një prej këtyre urgjencave është rindërtimi i pavijonit të Rilindjes, ku ruhen vepra arti të hershme, me tema laike. Galeria Kombëtare e Arteve, sipas përshkrimit të gjendjes prej përfaqësuesve të bordit drejtues, është në kushte të nevojës së menjëhershme për mbështetje dhe për riparime të tjera të karakterit ndërtimor, për shkak të vjetrimit të natyrshëm të godinës, duke përfshirë edhe sallat e ekspozimit dhe ato të arkivimit. Mbrëmjes-gala i drejtoi një përshëndetje të ngrohtë dhe të drejtpërdrejtë znj. Laura Bush, kujdestare nderi e mbrëmjes. Letra e Zonjës së Parë amerikane, me interesimin e Shtëpisë së Bardhë, iu paraqit të pranishmëve nga znj. Pamela Griffin. Ajo u lexua nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë J. Withers, i cili gjithashtu përshëndeti në emrin e vet këtë veprimtari, duke theksuar se arti, me karakterin e vet njerëzor universal, ka fuqi të bashkojë edhe njerëzit dhe institucionet e biznesit. Në përshëndetjen e saj znj. Laura Bush shpreh vlerësimin e saj të lartë për të gjithë ata që i bashkon interesi për artin dhe ky interes i nxit të ndërmarrin nisma përkujdesëse në këtë fushë. Përshëndetjeve të znj. Bush iu bashkuan edhe ato vetjake të Presidentit të SHBA-së G. W. Bush. Kjo veprimtari u theksua se do të ndikojë në një njohje më të afërt dypalëshe shqiptaro-amerikane në nivelin e artistëve dhe të artdashësve. Shprehje e kësaj afrie u përmend edhe blerja nga Galeria Kombëtare e Arteve të Shqipërisë e triptikut në pikturë të artistit amerikan Richard Harden me titull "Medaljet që bien", që do të pasurojë fondin e trashëgimisë së saj. Piktorë të tjerë si Carolynne Whitefeather (Utica University), nën kujdesin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë, kanë arritur të paraqesin veprat e tyre në ekspozita tematike (si ajo me titull "6 + 1"). Duke qenë se veprimtaria "A-r-t-mosferë" u zhvillua nën kujdesin e znj. Laura Bush dhe me kryetare znj. Teuta Topi, organizatorët bënë kujdes për të vënë në dukje se në të gjitha kohërat roli i mecenatëve, roli i të pasurve që shpenzojnë për talentin dhe vlerat, mbetet i pazëvendësueshëm. Në mbrëmje u theksua se nxitja e vëmendjes dashamirëse të biznesit vendës për të investuar në dobi të trashëgimisë kulturore vendëse është një qëllim thelbësor i organizatorëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›