Starova: “Ju tregoj se si eshte transfomuar Duka”
Dash Frashëri
Sulejman Starova, ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, vlerësohet nga ekspertët e botës së futbollit shqiptar. Trajneri i tre nga skuadrave më në zë të Shqipërisë, Partizanit (kampion me këtë ekip), Tiranës (gjithashtu kampion) dhe Besës, i ka bërë të qarta idetë e tij për një reformim të thellë të institucionit të FSHF-së. “Në Federatën Shqiptare të Futbollit tani nuk ka demokraci, por vetëm diktatin e një personi të vetëm, Dukës”, - thotë ish-zyrtari i lartë, që drejtoi për 6 vjet futboll. Starova, një delegat dhe anëtar i komisioneve të UEFA-s, kërkon edhe kufizimin e mandatit të presidentit. “Në tetë vjet çdokush konsumohet”. Jashtë vëmendjes së tij në intervistën ekskluzive dhënë gazetës “Albania” nuk mbetët edhe kontrolli financiar i shtetit. “Parimisht është i drejtë, ne i pranonim të tilla kontrolle në kohën që unë kam drejtuar FSHF-në si personi përgjegjës administrativ”. Starova ka opsionin e tij në lidhje me konfliktin MTKRS-FSHF, por tregon edhe si erdhi Armand Duka në krye të piramidës së futbollit shqiptar, influencën e vëllait të tij, ish-ministrit të Bujqësisë, Agron Duka.
Zoti Starova, klubet kryesore të Superligës kanë kërkuar ndryshime thelbësore në statutin e FSHF-së, madje kërkuan edhe kufizimin deri në dy mandate të presidentit të federatës. Cili është opinioni juaj?
Ka shembuj në Europë, ku mandati i presidentit nuk ka kufizime numrash, por unë personalisht mendoj se dy mandate do të ishte ideale. Në tetë vjet çdo njeri konsumohet dhe nuk do të ishte aspak e drejtë të rrinte përfundimisht. Unë mendoj se nuk qëndron këtu thelbi i konfliktit, pasi ky moment është tejkaluar. Po deshën anëtarët e Asamblesë, mund të rrish e dhe i përjetshëm. Konflikti i vërtetë është se këta (drejtuesit aktualë të FSHF-së), nuk duan auditimim që të kontrollohen paratë.
Si e konsideroni kontrollin e auditit?
Federata ka zgjedhur kompaninë “Deloite & Touche” për të kryer kontrollin. Anëtari i thjeshtë e ka mundësinë që të kërkojë llogari te ky lloj auditi. Unë e konsideroj si gjënë më normale, që shteti të kontrollojë atë pjesë të parave që ka investuar, pasi i takon dhe të marrë 10 përqindëshin nga e drejta televizive, por pa kontrolluar fondet e FIFA-s dhe UEFA-s. Pushteti lokal, ku derdhin paratë edhe taksapaguesit, mban numrin më të madh të ekipeve, dua të përmend rastin e Flamurtarit, apo të tjerëve.
Përfitimi nga e drejta televizive është shndërruar në një temë të nxehtë debati. A mund ekzistojë mundësia e abuzimit me të?
Nuk mund të them dot asgjë. Në kohën time, unë raportoja për të drejtën televizive, madje në shitjen e saj ishin të pranishëm edhe përfaqësues të UEFA-s të cilët asistonin në të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me tratativat dhe finalizimin e shitjes së të drejtës televizive. Raportoja në detaje jo vetëm për ofertat e kompanive, por edhe për detajet më të parëndësishme. Thjesht, ishim transparentë. Sot, nuk është më ajo marrëveshje, që me çdo kusht përfaqësues të UEFA-s të jenë të pranishëm në shitjen e saj.
Duket se mbretëron një situatë kaotikë në Federatën Shqiptare të Futbollit. Detyra institucionale më e rëndësishme ekzekutive, sekretari i përgjithshëm, i cili ruan edhe marrëdhëniet me FIFA-n e UEFA-n duket i sfumuar tërësisht.
Sekreti është i thjeshtë. Ndryshimet e bëra në statut thuajse e eliminuan punën e Sekretariatit të federatës dhe ai nuk funksionon. Nuk ka asnjë të drejtë sekretari i përgjithshëm. Të gjitha punët që do të bëheshin nga Sekretariati bëhen nga Komiteti Ekzekutiv. Gjithçka vendoset nga një individ, i cili është presidenti (Duka). Sekretariati s’ka asnjë lloj kompetence. Të gjithë presin se çdo të bëjë presidenti. Ka një handikap të dukshëm: anëtarët e Komitetit Ekzekutiv nuk kanë ku japin llogari. Janë vetë vendimmarrësit dhe vetë ekzekutorët duke provokuar situata të tilla.
Ju keni qenë sekretar i përgjithshëm i FSHF-së për një periudhë gjashtë vjeçare. Në asambletë e mëparshme sekretari zgjidhej direkt nga Asambleja. Ka ndonjë argument që ajo nuk funksionon më kjo procedurë.
Ai ishte një nga variantet e zgjedhjes së sekretarit. Në thelb nuk ndryshon asgjë nga mënyra se si zgjidhet ai, nga Asambleja, Komiteti Ekzekutiv apo presidenti. Problemi më i madh është ndryshimi i disa pikave në statut që lidhen me deryrën e tij funksionale. Nëse shikon statutin (e FSHF-së) sekretari i përgjithshëm nuk ka asnjë funksion. Kjo përbën edhe faktin e mungesës së demokracisë.
Jeni i mendimit që sekretari është një figurë në hije?
Në momentin që Asambleja zgjedh sekretarin, atëherë edhe posti i tij merr ato atribute që realisht i takojnë dhe nuk pronësohen nga presidenti. Dy zëvendëspresidentët nuk janë ata që rinë në krah të presidentit, por është sekretari. Me skemën aktuale duket se kanë fuqi më të mëdha dy zëvendëspresidentët. Të gjithë punën e bën sekretari i përgjithshëm dhe jep llogari para Komitetit Ekzekutiv, i cili kontrollon edhe rregullsinë e vendimeve të mara. Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv ngarkohen në krye të komisioneve të ndryshme dhe raportojnë para presidentit. Në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk ka demokraci, por vetëm diktat.
Doni të thoni se roli i sekretarit ka dalë jashtë loje apo mode?
Më vjen keq ta them, por ekziston vetëm në letër, në organikën e federatës. Sekretari aktual (Arben Bici) bën vetëm një punë rutinë, duke mos pasur asnjë lloj influencë në jetën e përditshme të shoqatës. Kur unë kam qenë në detyrën e sekretarit kisha të gjitha përgjegjësitë, organizoja garat dhe sekretariati i mbuluar prej meje jepte llogari përpara anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv.
“Është shtrëmbëruar realiteti”
Si mund zgjidhet situata në futbollin shqiptar. Starova ëhstë ndër të paktit në Shqipëi që ka provuar si detyrën e trajnerit, drejtuesit të Klubit (te Partizani) dhe sekretarit (të FSHF-së).
“Është e natyrshme që të ketë nevojë për rishikime. Është momenti që anëtarët e shoqatës të zgjohen, duhet të jenë më të ndjeshëm, si për rregullimet e nevojshëm të statutit, por dhe në transparencën e kontrollit, shpërndarjes së fondeve, etj.
Po, ju them edhe diçka. (Presidenti i FIFA-s), Blater shikon përputhshmërinë në parim të statutit tonë me atë të FIFA-s, pasi nuk është statut fiks ai që kërkon Blateri, por këtu (në Shqipëri) është shtrembëruar realiteti. E vërteta është se nga njerëzit aktualë në FSHF kërkohet eliminimi i kontrollit që ka të bëjë qoftë me të drejtën televizive, por dhe të tjera shpenzimeve. Sigurisht që do të fitoj kjo lloj diktature, pasi FIFA nuk e di se çfarë po ndodh me të vërtetë aty. Këta mbrohen me kërcënimet që vinë prej andej me pezullimet dhe kjo histori vazhdon edhe sot e kësaj dite. Duhet patjetër të rregullohet statuti, të përcaktohen detyrat e sekretarit të përgjithshëm, ashtu siç i ka sekretari i FIFA-s dhe UEFA-s, apo të gjitha klubet në të gjithë botën”, - thotë ai.
“Statuti ynë legjitimon diktaturën”
Starova, një ekspert i marrëdhënieve në nivel zyrtar me dy organizmat më të lartë të futbollit, FIFA dhe UEFA, ka opsionin e tij për situatën në të cilën ndodhet FSHF dhe efektet që prodhon statuti i saj.
Sa realisht interesohet FIFA dhe UEFA për Shqipërinë?
Dy organizatat më të mëdha të futbollit, njëra botërore dhe europiane janë të interesuara që në Shqipëri futbolli të njohë përparime, por edhe që shteti të mos ndërhyjë, në një kohë që pohojnë se shteti duhet ta ndihmojë futbollin. Në rastin konkret janë të interesuar shumë të vota, qoftë për zgjedhjet në FIFA, qoftë edhe ato në UEFA. Raportet janë të mira, politika e tyre financuese është efikase me fondet që japin në vazhdimësi, të mbështesin. Nuk u intereson shumë individi, por institucioni.
Konflikti më i madh MTKRS-FSHF ka të bëjë me një togfjalësh të shtuar në statutin e FSHF-së, dhe që ka të bëjë më shtesën “ ...në përputhje legjislacionin shqiptar”. Sa ndikon kjo në këtë grindje institucionale?
Unë mendoj se kjo nuk ka asnjë rol. Statutin mund ta formulosh në përputhje me interesat e zhvillimit të sportit në vendin përkatës. Me sa di unë janë të paktat statutet e anëtarëve të FIFA-s që janë të njëjtë. FIFA-s nuk i intereson kjo gjë, pasi thotë hapur: janë punët tuaja të brendshme dhe bëheni si të thonë anëtarët. Unë, si një njohës i mirë i futbollit shqiptar dhe problematikës së tij, kam vërejtjet e mia për të. Statuti ynë legjitimon diktaturën, dhe jo demokracinë. Kur them diktaturë, nuk them si ajo e Pinoçetit apo Enverit, por thjesht mungon demokracia. Në FSHF nuk ka njeri tjetër vendimarrës. Çdo gjë e bën ai.
Ju keni qenë edhe zyrtari që keni pasur kontaktet me FIFA-n dhe UEFA-n, si kanë funksionuar në atë kohë këto marrëdhënie?
Niveli i marrëdhënieve nuk ka ndryshuar, ato vazhdojnë të jenë po njësoj edhe tani. FIFA-s dhe UEFA-s nuk i interesojnë aspak individët, i intereson që shteti të mos ndërhyjë. Duka kamuflohet më këtë ndërhyrje. Në kohën tonë, kur ne kishim brenda nesh edhe persona ambiciozë, kur dikush dëshironte të zinte postin e dikujt, thoshte se brenda nesh kishte korrupsion. I dërgonte letër për kontroll ministrisë së sporteve, financave. Dhe ne ishim të hapur për të bërë transparencën. Ndërsa sot, këta dëshirojnë ta ndalojnë kontrollin.
Kupa e Shqipërisë
Vllaznia-Dinamo dhe Elbasani-Tirana
Shmanget ballafaqimi midis dy skuadrave kryeqytetase, Dinamo-Tirana. Goglat e shortit përcaktuan dy çifte shumë intriguese dhe me ambicie të mëdha për të zënë një vend në arenën europiane.
Vllaznia-Dinamo dhe Elbasani-Tirana. Këto janë dy çiftet e gjysmëfinaleve të edicionit të 56-të të Kupës së Shqipërisë.
Formacioni shkodran i drejtuar nga malaziasi Dervish Haxiosmanoviç do të presë, më 9 prill në “Loro Boriçi”, Dinamon kryesuese të kampionatit. Vllaznia, 26 herë pjesëmarrëse në gjysmëfinalet e Kupës dhe 5 herë fituese e saj, synon të arrijë për herë të 10-të finale. Dinamo, e sigurt për një vend në Kupat e Europës, synon nga ana e saj të bëj “bis” trofesh. Skuadra e Ilir Dajës e ka fituar 13 herë kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në vend. Elbasani, 2 herë fitues i Kupës, do të përballet me Tiranën në ndeshjen e parë që do të zhvillohet në “Ruzhdi Bizhuta”. Bardheblutë, pas një sezoni të varfër në kampionat, Kupën e kanë objektivin e madh sezonal. Tirana, që e ka fituar për herë të fundit Kupën në vitin 2006, synon pjesëmarrjen për herë të 20-të në finale. Rekordmeni aktual i Kupës së Shqipërisë është Partizani me 15 trofe.
* * *
GJYSMËFINALET
VLLAZNIA-DINAMO
ELBASANI-TIRANA
Ndeshjet e para luhen, më 9 prill, ato të kthimit, më 23 prill
* * *
STATISTIKA
VLLAZNIA-DINAMO
VLLAZNIA- 52 pjesëmarrje, 43 herë në çerekfinale, 26 herë në gjysmëfinale, 9 herë në finale, 5 herë fituese.
DINAMO -51 pjesëmarrje, 41 herë në çerekfinale, 30 herë në gjysmëfinale, 18 herë në finale, 13 herë fituese
ELBASANI-TIRANA
ELBASANI- 52 pjesëmarrje, 30 herë në çerekfinale, 9 herë në gjysmëfinale, 3 herë në finale, 2 herë fitues.
TIRANA- 55 pjesëmarrje, 44 herë në çerekfinale, 29 herë në gjysmëfinale, 19 herë në finale, 13 herë fituese.
4 Prill 2008