E Diel, 1 Nëntor 2026

Jo vetëm barnat, do të vetadministrohen edhe investimet

Autori i Lajmit: red.
Refoma spitalore, në të cilën pritet të përfshihen 42 spitale rajonale në vend, konsiston në shndërrimin e spitaleve në institucione shëndetësore autonome, me pavarësi juridike, administrative dhe financiare. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor konsideron në këtë drejtim se autonomia e spitaleve është domosdoshmëri për efikasitetin e skemës së sigurimeve shëndetësore. "Spitalet do të jenë person juridik, publik, jobuxhetor me status të veçantë, institucione të drejtuara me bord dhe drejtor të tij, si dhe me llogari bankare të veçanta", - thanë burime nga ISKSH-ja. Sipas ISKSH-së, kontrata me sigurimin shëndetësor do të jetë njëvjeçare, në të cilën drejtori përfaqëson spitalin dhe kontrakton me çdo pjesëtar të stafit të institucionit. "Refoma spitalore konsiston në informatizimin e aktivitetit mjekësor dhe financiar, sipas shërbimeve si dhe krijon mundësi në llogaritjen e kostos së shërbimeve spitalore", - konsideron ISKSH. Aplikimi i indikatorëve vlerësues të performancës është një tjetër pikë kyçe e reformës, nëpërmjet së cilës do të synohet kalimi nga financimi me buxhetim drejt financimit për diagnozë. Ndërkohë, nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor, do të kërkohet disiplinë administrative, financiare, profesionale, për të siguruar eficencën e shërbimeve shëndetësore, rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e cilësisë së tyre.
Ecuria e reformës
Sipas ISKSH-së, në kuadër të zbatimit të reformës, fillimisht do të ndryshojë mënyra e funksionimit dhe administrimit të spitaleve. ISKSH do të ketë kontrata të posaçme me 42 spitalet në të gjithë vendin, ndërkohë që aktualisht nuk ka kontrata me spitalet përveç një kontrate kolektive pune. Fillimisht, ISKSH do të nënshkruajë kontratat e nivelit të parë me drejtorët e spitaleve deri në fund të marsit 2009, ku do të përcaktohen qartë detyrimet e palëve dhe sanksionet në raste shkeljesh, duke filluar që nga mitëmarrja. Sipas ISKSH-së, po ashtu do të nënshkruhen kontratat e nivelit të dytë mes drejtorëve të spitaleve dhe stafit tjetër mjekësor. ISKSH do të paguajë mjekët dhe stafin tjetër të spitaleve, si dhe do të mbulojë gjithashtu medikamentet e spitaleve. "Për këto, do të kemi një buxhet të përcaktuar për spitalet, të cilin do ta shpërndajmë në fillim të vitit, buxhet që do të vetëmenaxhohet nga spitali", - thonë burime nga ISKSH, sipas të cilave, ky lloj vetadministrimi dhe pasja e një kontrate do të bëjnë që spitali të drejtohet drejt pacientit, për vetë faktin se nuk do të ketë kontratë në një rast tjetër. "Në fillim do t u jepet shansi të gjithëve, por më tej do të lidhet kontratë me spitalet që do të jenë eficiente", - shprehen burimet. "Ajo që synojmë përmes nisjes së kësaj reforme, është dhënia e një autonomie të caktuar vetë spitaleve, të cilat do të jenë përgjegjëse për furnizimin me medikamente, pasi do të jenë ato vetë që do të përcaktojnë nevojat dhe do të realizojnë tenderat për ilaçet", - nënvizuan të njëjtat burime. Por spitalet do të jenë të kontrolluara për përdorimin e këtyre fondeve nga ISKSH, në mënyrë që ato të shkojnë për nevojat e pacientëve dhe sipas kritereve të përcaktuara nga Qeveria e Ministria e Shëndetësisë. Në një fazë të dytë synohet që jo vetëm medikamentet, por edhe pjesa tjetër e veprimtarisë, siç janë investimet, të kalojnë në vetadministrim nga spitali. Ndërkohë, fondi për spitalet do të përcaktohet në bazë të buxhetit historik që do të thotë buxheti që spitalet kanë pasur ndër vite me shtesat e caktuara vit pas viti, sipas planifikimeve të bëra nga MSH dhe miratimeve të dhëna nga Ministria e Financave. Deri tani spitalet kanë qenë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë me një mënyrë funksionimi tërësisht të centralizuar. Këto institucione kanë pasur një buxhet fiks, i cili menaxhohej nga MSH dhe nuk ishte i lidhur me eficiencën e vetë spitalit.
Statusi ligjor i spitalit
Spitali është person juridik, publik, jobuxhetor, jofitimprurës, me llogari bankare të veçantë dhe ofron shërbimet shëndetësore të miratuara nga MSH. Baza ligjore e veprimtarisë dhe administrimit të spitalit është legjislacioni në fuqi (financiar, prokurimet publike,etj), ai specifik i fushës (kujdesi shëndetësor, ligji i spitaleve, ai i sigurimeve të detyrueshme, i barnave, si dhe aktet në fuqi për tarifat e shërbimeve), ndërsa statuti tip miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe rregulloret e funksionimit. Organizimi dhe drejtimi i spitalit realizohet nga Bordi. Sipas ISKSH-së, "kompetencat janë në vendimmarrje në problemet thelbësore financiare, kontrollin e zbatimit të politikave shëndetësore të MSH, strukturat dhe numri i punonjësve të spitaleve". Organizimi dhe drejtimi i spitalit, në bazë rajoni, kryhet nga drejtori, kompetencat e të cilit janë ekzekutive. Drejtori konsiderohet si personi kyç në hapat e para të reformës. Ai përfaqëson spitalin si person juridik, nënshkruan të gjithë aktet dhe kontratat, ushtron kontrolle mbi veprimtarinë e spitalit, ndërsa raporton para Bordit, ndjek realizimin e treguesve tekniko-ekonomikë të tij, si dhe propozon buxhetin, paraqet raportin vjetor dhe bilancin financiar. Burime financimi për spitalet janë ISKSH, të ardhurat e realizuara gjatë aktivitetit të tyre, investimet themelore, dhurimet e mundshme. Ndërkohë, përdorimi i tyre bëhet sipas kontratës dypalëshe me ISKSH, sipas rregullave të brendshme të Bordit (ISKSH-së ose spitalit), sipas miratimit të MSH. Bazuar në kontratë, ISKSH-ja blen paketën e shërbimeve të spitalit. Në kontratë përcaktohen paketa e shërbimeve me "njësitë" e parashikuara për çdo shërbim, vëllimi minimal dhe maksimal i punës, mënyrat e mbajtjes së të dhënave dhe të raportimit, mënyra e llogaritjes së kostos, pagesat për shërbimet, treguesit e monitorimit të cilësisë, etj. Ndërkohë, deri në blerjen reale të shërbimeve, janë përcaktuar dhe detyrat specifike për të gjitha palët; MSH, Ministrinë e Financave, ISKSH dhe spitalet. MSH është përgjegjëse për hartimin e protokolleve të mjekimit, miratimin e standardeve, përcaktimin e normave, të planeve të investimeve në aparatura, hartimin e strategjive për trajnimin dhe edukimin e personelit mjekësor dhe menaxhues të spitaleve. Por, MSH do të jetë përgjegjëse në fazat e para edhe për investimet në spitale dhe blerjen e apraturave, ndërsa në ISKSH kalon pjesa e pagave, sigurimeve, medikamenteve dhe e shpenzimeve operative.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›