E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: “Qeveria po fsheh të ardhurat që ka përfituar nga privatizimi”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Komisioni i Ekonomisë diskutoi përmes debatesh të forta aktin normativ të qeverisë për rialokimin e rreth 12 miliardë lekëve fonde, të cilat do të përdoren për qëllime të ndryshme. Ministri i Financave, Ridvan Bode, i pranishëm në komision, tha se nga këto, 4 miliardë lekë do të përdoren për investime, 2.7 miliardë lekë do të përdoren për import energjie në dispozicion të KESH-it, dhe 600 milionë lekë për OSSH për faturat e ujësjellësve dhe 2.7 miliardë lekë për shpërblimet e fundvitit, për faturat e ujësjellësve të Tiranës dhe Durrësit për energjinë e përdorur për shpërndarjen e ujit. Bode tha gjithashtu se paratë e siguruara nga privatizimi i ARMO-s do të përdoren vitin e ardhshëm në mbështetje të investimeve si dhe për të mbështetur me likujditete ekonominë. Opozita është shprehur kundër aktit normativ të qeverisë. Deputeti socialist Arben Malaj tha se akti normativ përbën në vetvete ndryshim të buxhetit nga ana e qeverisë. Sipas socialistëve, qeveria po bën përpjekje për të fshehur trendin në rënie të ekonomisë. Sipas tij, rënia e të ardhurave është me 5% të GDP. Ministri i Financave theksoi më tej: “Ndërmarrja e këtij akti normativ, vjen pas një periudhe kur të ardhurat fiskale kanë performuar sipas programit me një ritëm, në krahasim me vitin e kaluar, prej 16 % më të larta, ku sigurisht, kontributin kryesor të këtij niveli të realizimit e kanë dhënë të ardhurat nga tatimet dhe doganat, pra nga administrata qendrore. Ky akt normativ mundëson një përdorim më efektiv dhe më eficent të fondeve në dispozicion të buxhetit të shtetit dhe bën të gjitha rregullimet e nevojshme për t u dhënë përgjigje një sërë çështjeve, të cilat për qeverinë konsiderohen prioritare dhe që kanë për qëllim të vijojnë mbështetjen e kërkesës së ekonomisë për fonde si dhe për të rritur dhe për t i dhënë një impuls të ri kërkesës konsumatore. Shkurtimisht do të dëshiroja t ju raportoja lidhur me realizimin 11-mujor të buxhetit të shtetit, i cili përbën njëkohësisht edhe bazën mbi të cilën formulohet ky akt normativ. Për periudhën 11-mujore, të ardhurat në buxhetin e shtetit janë 16 % më të larta nga 11-mujori 2007, ose krahasuar me një vit më pare, ato janë rreth 36 miliardë lekë më shumë si periudhë 11-mujore. Të ardhurat tatimore janë sa 96 % e programit 11-mujor, prej të cilave të ardhurat nga administrata tatimore dhe doganore janë sa 97 % e programit. Sigurisht që ritmin kryesor të rritjes së të ardhurave e kanë dhënë të ardhurat nga TVSH-ja, të cilat janë 22 % më shumë se 11-mujori 2007; të ardhurat nga akcizat 15 % më shumë se 11-mujori 2007 dhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë 58 % më shumë se 11-mujori 2007. Pushteti vendor i ka realizuar të ardhurat në masën prej rreth 77 %. Kjo përbën deficitin kryesor në realizimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit, megjithëse këto nuk japin implikim për buxhetin qendror, pasi në masën e realizimit të të ardhurave realizohen dhe shpenzimet dhe në këtë mënyrë nuk influencojnë as në deficit apo parametra të tjerë të buxhetit, por si ritëm ato janë në këto parametra që citova, por nga ana tjetër, janë dhe 20 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ky trend i mirë për këtë vit, por jo sipas programit tonë 3- vjeçar, bazuar në realizimet jo të mira të vitit 2007, mendojmë që do të vazhdojë si kërkesë nga pushteti qendror për t i kërkuar administratës vendore që të rrisë performancën në grumbullimin e taksave. Kontributi i sigurimeve shoqërore, të ardhurat nga buxhetet e pavarura janë realizuar sa 95 % e programit dhe këtu ka një diferencë prej 2.4 miliardë lekë, e cila është gjithashtu e nevojshme të rialokohet përmes këtij buxheti. Të ardhurat jotatimore janë tejkaluar në të njëjtën masë që nuk janë realizuar të ardhurat nga kontributi i sigurimeve shoqërore dhe akti normativ sistemon pikërisht këto elemente. Për sa u takon shpenzimeve si periudhë 11-mujore, shpenzimet janë 28 % më të larta në krahasim me 11-mujorin e vitit 2007. Mund të theksoja në tërësinë e shpenzimeve që shpenzimet kapitale si 11-mujor janë financuar nga buxheti i shtetit 69 miliardë lekë nga 78 miliardë që ishte programi. Pra janë rreth 12 % më pak nga programi, por nga ana tjetër, janë rreth 4.2 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ecuria pozitive e shpenzimeve garanton që akti normativ të marrë masat për të financuar tërësisht programin e investimeve që ne kemi programuar për vitin 2008”, - pasqyroi Bode në Komisionin e Ekonomisë, aktin normativ. Ministri i Financave u është përgjigjur edhe replikave të deputetit të PS-së, Malaj, për çështjen e financave të vjelura nga qeveria nëpërmjet privatizimeve, duke thënë se “vetë opozita është shprehur se vitin që vjen mund të ketë probleme nga kriza që mund të pësojë sistemi bankar. Dhe jemi dakord me këto sinjale. Kemi ruajtur rreth 300 milionë euro për tremujorin e parë të 2009-ës, kjo vetëm nga privatizimet e bëra këtë vit. Dhe 300 milionë të tjera do t i përfitojmë nga tregu ndërkombëtar, pra 600 milionë euro do të futen në ekonominë shqiptare vitin që vjen për të mbështetur rritjen ekonomike. Opozita mund të thotë çfarë të dojë, se rritja ekonomike do të jetë 4% apo 3%, rritja ekonomike në Shqipëri nuk do të bjerë, do ta mbështesim ne këtë rritje me dhënie të fondeve. Qeveria shqiptare nuk do të marrë nga sistemi bankar në vend asnjë financim, sistemi bankar të vazhdojë të financojë ekonominë”, - u është përgjigjur Bode deputetëve të opozitës.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›