E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet i larë me benzinë

Një 29-vjeçar depresiv i dha fund jetës gati në mesnatë, duke u vetëdjegur ne nje reflektor pasi ishte sperkatur me pare me benzine

TIRANË - I ka hedhur një kovë me benzinë trupit të tij, ndërsa më pas i është hedhur sipër reflektorit me të cilin ngrohej dhoma e punëtorëve të karburantit të babait të tij. Trupi i mori flakë menjëherë, aq sa as punëtori i pranishëm në atë moment nuk ka mundur ta shpëtojë nga vdekja të riun. Gjithçka ka qenë e mirëorganizuar nga 29-vjeçari Avni Balla, banues në fshatin Dobresh të Tiranës, i cili vuante prej vitesh nga një depresion i rëndë nervor. Ka qenë ora 23.25 e së mërkurës, kur shërbimet e Komisariatit Nr. 1 të kryeqytetit e zjarrfikëset kanë marrë njoftimin se në karburantin “Dobresh Oil”, në zonën e Bërzhitës, një mashkull i ka vënë flakën vetes. Pasi kanë arritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ka nisur puna për zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar Ballën në mënyrën e dhimbshme të vetëflijimit. Sipas burimeve zyrtare pranë policisë së Tiranës, mësohet se 29-vjeçari kishte qenë emigrant në Angli prej një kohe të gjatë dhe se ishte kthyer prej 4 vitesh. Por familjarët e tij janë përballur me problemet psikike të djalit të tyre, që nga momenti kur ai është kthyer në shtëpi. Burimet pohojnë se familjarët kanë qenë në dijeni se i riu kishte probleme të theksuara mendore. Edhe pse trupi i tij është transportuar për në spital, bëhet e ditur se Balla ka ndërruar jetë para se të mbërrinte aty, si pasojë e plagëve të marra nga djegia e shkallës së parë. Më pas trupi i pajetë i tij është përcjellë për në morgun e spitalit “Nënë Tereza”, ku i është nënshtruar autopsisë. Ndërsa familjarët e viktimës kanë refuzuar të flasin rreth problemeve që kishte prej kohësh njeriu i tyre. Xhaxhai i 29-vjeçarit i pyetur rreth problemeve që kishin çuar në depresion nipin e tij, nuk preferon të flasë. “Është një çështje që i përket vetëm familjes sonë. Është një gjë shumë private dhe nuk kam pse të flas për problemet e familjes sime”, -shprehet ai. Ndërkohë që, sipas personave që e njihnin nga afër familjen Balla, mësohet se djali i tyre, nga gjendja depresive që kishte, jetonte të shumtën e kohës në karburantin në pronësi të të atit dhe rrallëherë shkonte të jetonte me njerëzit e afërm të tij. Përveç trupit të djegur të tij, në spital për të marrë ndihmë mjekësore ka shkuar edhe punëtori i cili pa skenën e dhimbshme dhe bëri të pamundurën për të shpëtuar Ballën.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›