Shqiponja me celular
Operatori i trete i telefonise mobile ne Shqiperi me ne fund dje leshoi sinjalin ne Tirane. Eagle Mobile premton ulje tarifash
Operatori më i ri i telefonisë celulare GSM në Shqipëri, “Eagle Mobile”, që nga dita e djeshme ka nisur shërbimet për klientët me prefiksin 067. Ali Taskin, drejtor i Përgjithshëm i “Eagle Mobile” është shprehur për mediat, se kompania ka përdorur një teknologji të nivelit të lartë dhe lehtësisht të zgjerueshme. Kështu, pas një pune tremujore për ngritjen e infrastrukturës, “Eagle Mobile” ka mbuluar me sinjal qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Ndërsa në fillim të verës do të mbulojë gjithë Shqipërinë, duke i sjellë shërbime popullit shqiptar me tarifa tërheqëse, të përshtatshme dhe të kënaqshme. I krijuar nën partneritetin e “Çalik Holding”, “Türk Telekom” dhe Shtetit Shqiptar, “Eagle Mobile” synon të zgjerojë aktivitetin e vet, duke u ofruar punë më shumë se 1000 personave mundësi punësimi. Sipas drejtuesve të kësaj kompanie, pas mbulimit të thuajse gjysmës së popullsisë së Shqipërisë në një kohë të shkurtër dymujore me mbështetjen e kompanive botërore lidere në fushën e infrastrukturës së telekomunikacionit, “Eagle Mobile” që nga 13 marsi deri në fillim të verës do të ngrejë në nivelin më të lartë cilësinë e shërbimeve, duke u garantuar mbulim gjithë pjesëtarëve të kësaj shoqërie. Ajo që pritet nga të gjithë, është që hyrja e një kompanie të tretë celulare në vend të shoqërohet me një nxitje të konkurrencës, që do të sjellë një ulje çmimesh për të gjithë abonentët.