E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutim mafioz

Plumb në sy biznesmenit të miellit. Dyshimet e para për vrasjen e 31-vjeçarit Mehmet Feleqi bien mbi pistat e një hakmarrjeje, pas një sherri ose vrasjeje për motive konkurrence

FIER- Një ekzekutim mafioz i mori jetën mesnatën e së mërkurës një 31-vjeçari nga fshati Ngjeqar i komunës Kurjan në Fier. Sipas policisë lokale, Mehmet Feleqi, 31 vjeç, beqar, pronar i një fabrike të vogël mielli, u gjet i vdekur rreth orës 4:00 të ditës së djeshme në një nga dhomat e biznesit të tij, ku ai qëndronte netëve si roje. Trupi i pajetë u gjet nga i ati, Safet Feleqi, i cili lajmëroi më pas uniformat blu. Mësohet se viktima është qëlluar tri herë me thikë, ndërsa një e shtënë me armë zjarri tip pistoletë në syrin e tij të majtë duket se ishte goditja që i mori jetën. Biznesi i Feleqit shtrihej vetëm 100 metra larg banesës së prindërve të tij, në fshatin Ngjeqar. I ati shkoi të takonte të birin në atë orë, sepse nuk e kishte parë që në darkë, kur ai shkonte të hante bukë në shtëpi. Sapo u lajmërua policia nga i vëllai i viktimës, Skënder Feleqi, ekspertë të kriminalistikës, drejtues të Drejtorisë Policisë të qarkut Fier, si dhe prokurori i gatshëm, Petrit Vukaj, mbërritën në vendngjarje, në fshatin që ndodhet rreth 35 km larg qytetit të Fierit. Të afërmit bënë të ditur se 31-vjeçari flinte shpesh në kthinën e ngritur pranë fabrikës, pasi darkonte në shtëpinë që ndodhej fare pranë. Sipas policisë, viktima, e cila u transportua për në morgun e spitalit të Fierit, me qëllim nënshtrimin ndaj ekspertizës mjeko-ligore, gjeti vdekjen e menjëhershme për shkak të goditjes me plumb në syrin e majtë. Fillimisht, policia shoqëroi për në ambientet e policisë Fier për të marrë në pyetje tre vëllezërit e tij, si dhe një bashkëfshatarin e tij, Ushtar Stanin, i cili punon si taksixhi në fshat, pasi tri ditë para se biznesmeni të gjendej i vdekur, kishte pasur një grindje me të, për një vend parkimi të makinës. Uniformat blu shoqëruan në polici edhe persona të tjerë, të afërm të viktimës, si edhe banorë të fshatit, që pasi u morën në pyetje u lanë të lirë. Burime zyrtare të policisë fierake pohojnë se momentalisht, grupi hetimor po punon në dy pista: në atë të një hakmarrjeje të mundshme, pa përjashtuar këtu edhe vrasjen për motive konkurrence.“Mehmeti ishte “OK” me të gjithë” Jetnor Feleqi, djali i xhaxhait të viktimës, i pyetur nga “Korrieri”, tha se Mehmeti ishte njeri i qetë e që nuk i kishte hyrë në hak askujt. “Ai kishte vite që kishte hapur mullirin e tij, në të cilin punonte çdo moment të ditës”, tha Jetnori, duke shtuar se nuk i kishte shkuar kurrë në mendje se dikush do ta vriste djalin e xhaxhait të tij. Gjithashtu, kushëriri i viktimës tha se 31-vjeçari Mehmet Feleqi kishte marrëdhënie të mira me të gjithë banorët e fshatit, ndërsa të gjithë vinin dhe bluanin grurin në mullirin e tij. Rreth ngjarjes, ai pohon se nuk ka dëgjuar krisma gjatë natës, por lajmin e mori vesh vetëm kur u gjet trupi i pajetë nga i ati i tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›