E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana ngre flamurin në Vlorë

Ndeshja Flamurtari-Tirana 0-1

Laçi “i bën ballë” Skënderbeut me të rinjtë, Dinamo merr fitoren e dytë radhazi, barazon Teuta.

Mjafton një gol i Morinës, Flamurtari “lan duart” me kampionatin.

Tirana ka ruajtur kryesimin pas fitores në Vlorë, Laçi i bën një nder Skënderbeut në Peqin duke iu kundërvënë me të rinjtë, Dinamo merr fitoren e dytë radhazi, ndërsa Teuta barazon pa gola në Ballsh. Bardheblutë e drejtuar nga Rubio iu falën një goli të Mario Morinës në minutën e 24-të të pjesës së parë për të siguruar një tjetër fitore të vuajtur, por mjaft të rëndësishme. Në fakt, parashikimet për këtë ndeshje anonin disi nga vendësit, të cilët vinin pas një fitoreje mjaft të bukur dhe bindëse ndaj Skënderbeut në kupë. Ndërsa, nga ana tjetër, Tirana zbriste në Vlorë me një mijë e një probleme, më së shumti këto të lidhura me dëmtimet. Rubio arrin të rikuperojë në minutat e fundit Arian Pishën dhe Julian Ahmatajn, duke i aktivizuar që të dy si titullarë. Ndërkohë, Muça kishte luksin të luante me ekipin më të mirë, përjashto këtu Rajoviçin, i dëmtuar prej kohësh, për të cilin nuk ka ende një datë të saktë se kur mund të jetë i gatshëm për lojë. Nën një atmosferë të qetë, “fair-play” sportiv në shkallët e stadiumit dhe në një klimë relativisht të ngrohtë, nisi 90-minutëshi mes Flamurtarit dhe Tiranës, me bardheblutë nën presionin e rezultatit. Minutat e para janë më të mira për vendësit, të cilët e rrezikojnë disa herë portën e Ilin Likës. Madje, në një moment Pejiç shënoi edhe një gol, por para se ai të përfundonte në rrjetë, arbitri pati vërshëllyer për një goditje dënimi në kufijtë e zonës bardheblu për vendësit. Në dy-tri raste të tilla pati provuar Veliu por, në ndryshim nga herë e tjera, mbrojtësi nuk arriti të gjente kuadratin e portës. Sakaq, Tirana e njohur për cinizmin e vet, në të parin rast të rrezikshëm arrin të shënojë. Aziri në krahun e djathtë shmanget mirë mes dy mbrojtësve, Valiut dhe Brahjes, duke nxjerrë një top mjaft të bukur në zonën e vogël të Flamurtarit për Morinën, i cili gjuan me të parën duke shënuar. Në pjesën e dytë, Muça hedh në fushë edhe Shtubinën me shpresën që të rriste sa më shumë lojën nga krahët, por pa arritur të marrë qoftë edhe një pikë. Ndërkohë në fushën asnjanëse të Peqint, Skënderbeu nuk e pati aspak të vështirë për të marrë tri pikët e radhës, duke qenë se laçianët u tregua haptazi bujarë duke u përfaqësuar në këtë ndeshje me lojtarë totalisht të rinj. Një gol i Bratiç dhe dopieta e Tahirllarit rezultuan të mjaftueshëm për kampionët në fuqi që të mbanin ritmin e Tiranës. Ndërsa nuk arrin të mbajë të njëjtin ritëm Teuta, e cila nuk shkoi më shumë sesa një barazim pa gola në fushën e vështirë të Ballshit. Sakaq, ballshiotët kanë akuzuar gjyqtarin Enea Jorgji, i cili sipas tyre përcaktoi rezultatin e ndeshjes me vendimet e njëanshme që mori. Në 20-minutëshin e fundit të takimit, vendësit kontestuan disa faulle që gjyqtari i vërshëllente kur ishin për durrsakët dhe nuk bënte të njëjtën gjë me ballshiotët. Ajo që çuditi më shumë në këtë ndeshje ishin minutat shtesë të akorduara në fundin e takimit. Arbitri i katërt, Greca, i urdhëruar nga kryesori Jorgji, akordoi 5 minuta shtesë, por takimi sipas vendësve u mbyll dy minuta përpara. Ndërkohë në “Qemal Stafa”, në ndeshjen e fundit të kësaj jave, Dinamo arriti të marrë një tjetër fitore (e dyta radhazi), ndaj një rivali direkt për mbijetesë si Pogradeci. Pjesa e parë u mbyll me rrejta të paprekura, ndërsa në të dytën u pa një Dinamo më kërkuese, më e vendosur për të shënuar. Duhej të vinte minuta e 52-të, që Çajku të bënte një ndërhyrje të gabuar mbi vijën e 16-metërshit të liqenorëve, për t’u ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuqin. Kështu, e lë skuadrën e tij me dhjetë lojtarë në fushë. Goditjen e dënimit e merr përsipër ta ekzekutojë Kapaj, i cili lëshon një top të fortë, në gjysmëlartësi, drejt e në rrjetën e portës mike. Me këtë rezultat përfundon ky takim dhe me Dinamon që tashmë ka shpresa për të kapur (matematikisht) një vend në play-out.

Tifozët në Vlorë: E shitët, e shitët!
Kur diçka nuk shkon mirë, të parët që reagojnë janë tifozët. Këtë gjë bënë dje edhe një pjesë e ultrasve vlonjatë të ndodhur në shkallët e stadiumit. Në pjesën e dytë të lojës u dëgjuan në kor kontestimet kundër lojës që po shfaqte ekipi. “U shit, u shit”, “Tirana, Tirana”, ishin disa nga thirrjet e sportdashësve, të zhgënjyer nga loja e ekipit. Sakaq, dhjetë minuta nga fundit i krejt takimit, një pjesë e mirë e tifozëve nisi të largohet ende pa u mbyllur ndeshja. Nga ana tjetër, duhet theksuar se si rrallë ndonjëherë në të tilla takime nuk ka pasur asnjë përplasje mes tifozërive. Madje, mësohet se në fund të ndeshjes ka pasur edhe përgëzime mes tifozëve, në një “fair-play” të vërtetë.

Muça: “S’toleruam, ishin shumë të lodhur”
Për trajnerin e Flamurtarit, Shkëlqim Muça, reagimet e tifozëve janë deri diku të pranueshme, por ai theksoi se nuk mund të imagjinohet kurrë që një skuadër si Flamurtari të tolerojë, ca më shumë kur përballë është një skuadër me emër si Tirana. Muça ia ka faturuar humbjen e ndeshjes lodhjes së ekipit si pasojë e zhvillimit të dy takimeve mjaft të forta afër njëra-tjetrës (kupë dhe kampionat). Muça u ka dhënë të drejtë sportdashësve të jenë të pakënaqur, ashtu siç në fakt është edhe ai, por kurrsesi nuk mendon se ndeshja u shit. “Nuk dua t’u hyj e të analizoj thirrjet e sportdashësve për shitje të ndeshjes. Ata kanë të drejtë të mos ndihen të kënaqur, pasi edhe unë nuk jam i kënaqur. Shitja e takimit nuk ka të bëjë fare, thjesht kemi humbur një ndeshje dhe asgjë më shumë. Ka rezerva për lojën. Nuk ka qenë ajo që ne dëshironim dhe këtu mendoj se edhe lodhja ka ndikuar te futbollistët. Jemi duke luajtur çdo tri ditë dhe kjo ka nisur të ndihet në këmbët e lojtarëve”, tha Muça.

Rubio: “Fitova në Vlorë, tani vjen titulli”
Trajneri i Tiranës, Hulian Rubio, e ka vlerësuar takimin me Flamurtarin si ndeshjen më të vështirë të fazës së dytë të kampionatit. Rubio ka dalë i kënaqur nga ky takim për shkak edhe të lojës së bukur që ka zhvilluar ekipi i tij. Ndërkohë, ai ka theksuar se priste që skuadra të shënonte edhe më shumë, pasi rastet i krijoi, duke kritikuar indirekt lojën e sulmuesve. “Fituam një ndeshje shumë të rëndësishme. Ky takim ishte për mua dhe ekipin tim më i vështiri i kësaj faze. Kemi arritur të dalim me sukses nga kjo përballje, pasi zhvilluam një lojë mjaft të mirë. Kemi shënuar dhe kemi qenë të kujdesshëm për të ruajtur rezultatin. Nuk e përjashtoj mundësinë që mund të shënonim sërish, por gjithsesi jam i kënaqur. Vlerësoj edhe Flamurtarin, që është një ekip i mirë, dhe prandaj ne e morëm seriozisht këtë takim. Flamurtari për ne mbetet një kundërshtar i fortë, pavarësisht humbjes që pësoi sot. Dua të falënderoj sportdashësit e Tiranës që edhe këtu në Vlorë na kanë mbështetur maksimalisht”.

Superiore/ Java 17
Të shtunën

Vllaznia-Kastrioti        2-4
Shënues: Jabllan 7′, Hajdari 77′/  Xhihani 2′, Sefa 15′, Dragoi 39′, 79′
Tomori-Shkumbini        1-0
Shënues: Bakiu 45′
Apolonia-Kamza        0-0
Dje
Flamurtari-Tirana        0-1
Shënues: Morina 24′
Skënderbeu-Laçi        3-0
Shënues: Bratiç 7′, Tahirllari 55′, 61′
Dinamo-Pogradeci        1-0
Shënues: Kapaj 52′
Bylisi-Teuta             0-0

KATEGORIA SUPERIORE
Nr. Ekipi    ND    F    B    H    GSH    GP    P

1. Tirana     17     12     3     2     26     14     39
2. Skënderbeu 17     11     5     1     33     11     38
3. Teuta    17     10     4     3     19     11     34
4. Kastrioti     17     8     4     5     27     19     28
5. Flamurtari    17     7     6     4     23     14     27
6. Bylisi    17     6     5     6     29     25     23
7. Vllaznia    17     7     2     8     27     23     23
8. Shkumbini    17     5     5     7     23     29     20
9. Kamza     17     5     3     9     13     19     18
10. Laçi     17     6     5     6     14     20     17
11. Tomori     17     5     2     10     20     31     17
12. Pogradeci 17     5     2     10     15     28     14
13. Apolonia    17     2     5     10     15     30     11
14. Dinamo     17     2     5     10     12     22     8
Shënim: Dinamo -3 pikë, dënuar nga FIFA.
Pogradeci -3 pikë, dënuar nga Disiplina, Laçi -6 pikë,
dënuar nga Disiplina.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›