E Diel, 1 Nëntor 2026

FIFA paralajmëron Brazilin: Jo bluza me shkrime fetare

çështja

Përveç yjeve që kanë mbetur në shtëpi, gjatë Kupës së Botës, përfaqësuesja e Brazilit nuk mund të hedhë në fushë as Zotin. FIFA është shprehur qartë rreth kësaj çështjeje: asnjë lojtar nuk mund të mbajë poshtë fanellës bluza me mbishkrime fetare apo politike. “Shënjestra” kryesore e federatës botërore ishte “seleçao” e Karlos Dungës, që njihet për përdorimin e parullave fetare në çdo aktivitet ku merr pjesë. “Na kërkuan që t’i bindemi rregullores”, shpjegoi Rodrigo Paiva, përgjegjësi i zyrës së shtypit në Federatën Braziliane (CBF). “Qeveria” e futbollit në shtetin amerikanojugor ka filluar ta shqyrtojë këtë çështje prej afro një viti. Pas finales së Kupës së Konfederatave, të fituar 3-2 përballë SHBA-së, mbrojtësi i Interit dhe njëkohësisht kapiteni i Brazilit, Lusio, festoi duke bërë një rit fetar në qendër të fushës së stadiumit “Elis Park” në Johanesburg. Veprimet e tij sollën reagimin e disa drejtuesve të FIFA-s. Ai që reagoi më ashpër ishte Xhim Stjerne, presidenti i Federatës së Danimarkës. Ai tha: “Të përziesh sportin dhe fenë, ashtu si ndodhi në këtë rast, do të thotë që të krijosh një akt fetar në vetvete. Ashtu si nuk lejojmë që politika të përzihet me topin, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me fenë”. Ngjarja nuk u shoqërua me asnjë ndëshkim zyrtar. Por tashmë, FIFA bëri të ditur se ka ardhur koha që veprime të tilla të mos përsëriten. Mesazhi për Brazilin, që episode të tilla të mos përsëriten, u dërgua në vitin 2009, ndërsa së fundmi “seleçao” është rikujtuar se në Afrikën e Jugut janë të ndaluara bluzat me mbishkrime fetare. Pjesa më e madhe e lojtarëve të përfaqësueses braziliane janë besimtarë. Njëri prej tyre është edhe Kaka, që në Botërorin 2002 të fituar në Korenë e Jugut dhe Japoni shfaqi një bluzë ku shkruhej “I belong to Jesus” (“I përkas Jezuit”).

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›