Bienalja e Tiranës sjell 60 artistë në Tiranë
Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Tiranës rikthehet me edicionin e saj të katërt. Organizuar nga Instituti i Artit Bashkëkohor, ky edicion do të çelet më 18 shtator në mjediset e hotel "Dajtit". Koncepti i Bienales titullohet "The Symbolic Efficiency of the Frame" ose "Eficenca simbolike e të parit" dhe është kuruar në tri episode të ndryshme, nën drejtimin e pesë kuratorëve ndërkombëtarë. Episodi i parë është kuruar nga Edi Muka dhe Joa Ljunberg (Tiranë/Malmo), episodi i dytë nga Ana Dzokic dhe Marc Neelen (Beograd/Rotterdam) dhe episodi i tretë nga Corinne Diserens (Paris/Berlin). Përgjatë ditëve të Bienales do të shfaqen punët e mbi 60 artistëve dhe arkitektëve nga rreth 30 vende të ndryshme të botës, si edhe do të organizohen një numër seminaresh dhe ekspozitash të tjera me artistë vendas e ndërkombëtarë, që do të jenë të lidhura me Bienalen. Në këtë edicion janë ftuar të marrin pjesë disa nga artistët më të njohur të skenës së artit bashkëkohor botëror si: Tacita Dean, Franz Ackermann, Jane Alexander, Aernout Mik, Thomas Hirschhorn, Amar Kanwar, Francis Alys etj., krah të cilëve do të ekspozojnë dhe artistët me origjinë shqiptare që punojnë në vende të ndryshme të botës si: Ardian Paci, Anila Rrubiku, Silva Agostini, Leonard Qylafi, Gazmend Ejupi etj. Koncepti kuratorial i Bienales vë në diskutim nocione komplekse të natyrës së "reales" e "realitetit" dhe mënyrave të ndryshme se si ne i perceptojmë e i lidhim me historinë tonë. Hotel "Dajti", si një ikonë arkitekturore e Tiranës, e cila në mënyrën e vet dëshmon strukturat ideologjike dhe politike që e ndërtuan dhe e përdorën përgjatë këtyre viteve, përbën një "kornizë simbolike të përsosur" për ndërveprimet artistike që do të paraqesë ky edicion i Bienales.