E Shtunë, 31 Tetor 2026

MËSUESI I POPULLIT, REXHEP SHPENDI

Marr shkas të shkruaj diçka për “Mësuesin e Popullit”, Rexhep Shpendi, tash që po afrohet 100-vjetori i lindjes së tij, dhe përvjetori i 16-të i vdekjes. Nuk po gërmoj në skuta të thella arshivash për të hedhur dritë te paraardhësit e tij, pasi familja e tij është e njohur në viset e saj për traditat patriotike.

Rexhepi u lind në katundin Bujan të Rrethit Bajram Curri, më 1910. I ati, Shpend Rexha, malësor arsimdashës, së bashku me të vëllain, Avdin, kanë marrë pjesë aktive në kryengritjet për pavarësinë e vendit në vitet 1908-1912, si dhe në revolucionin demokratiko-borgjez të qershorit 1924. Për kontributin e dhënë në atë periudhë, me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi Avdi Rexhën me medaljen e titulluar “Për merita të veçanta të klasit të dytë”. Rexhepi lindi në vite të stuhishme, në këtë mjedis patriotik, në këto troje. Ai u formua me ndjenja të larta patriotizmi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në fshatin Kolgecaj (sot qyteti B.Curri). Vazhdoi studimet në “Normalen e Elbasanit”, ku u diplomua mësues për shkollat fillore. Rexhepi është një nga etalonët e arsimit, që profesionin e ushtroi në zonat më të thella të vendit, duke jetuar atje së bashku me familjen. U emërua mësues në fshatin Bicaj të Rrethit të Kukësit. Për 10 vjet vazhdoi kalvari i rrugëtimeve në fshatrat dhe viset e verilindjes së atdheut. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e përjetoi me dhimbje të thellë. I ndodhur në Shishtavec të Kukësit, me shpejtësi organizoi një grup fshatarësh të armatosur dhe u nis drejt Durrësit për t’u bashkuar me forcat e rezistencës për mbrojtjen e vendit. Gjatë periudhës së parë dhjetëvjeçare si arsimtar, për Rexhepin imperative ishin këto çështje: edukimi patriotik i nxënësve, ngritja e vazhdueshme e nivelit të mësimdhënies, rritja e pjesëmarrjes së fëmijëve në shkollë, konsolidimi i punës në shkollat ekzistuese, hapja e shkollave të reja, pajisja e nxënësve me tekste dhe materiale didaktike, kompletimi i shkollës me orenditë e nevojshme. Kosova ishte një nga dashuritë më të mëdha të Rexhepit, që kurrë nuk u shua. Filluan ecejaket e tij së bashku me familjen në trojet kosovare, duke shënuar realizimin e ëndrrës së tij për t’i shërbyer arsimit kombëtar që fillon në prill 1941 në Prishtinë, vijon në Shtimje, dhe më pas në Pejë, deri në shkurt 1944. Që aty bashkohet me batalionin partizan kosovar të Drenicës, deri në nëntor 1944, partizan në brigadën shqiptare 25 sulmuese, e cila vazhdoi luftën kundër fashizmit deri në prill të vitit 1945, në Vishegrad. Edhe si partizan, Rexhepi kreu detyrën e arsimtarit në luftë kundër analfabetizmit në efektivat partizane. Emërohet drejtor i “Normales së Gjakovës” dhe inspektor i arsimit për atë trevë, ku dha një kontribut në hartimin e teksteve të para shkollore. Ai është bashkautor së bashku me M.Gjevorin dhe R.Brahimin në hartimin e tekstit “Abetarja për të rritur”, botuar në Prizren në qershor të vitit 1946. Ai drejtoi dhe organizoi seminare pedagogjike, kurse arsimore në Gjakovë dhe gjithë rrethin. Pas dëbimit nga Jugosllavia dhe një filtrimi të hollësishëm në shtetin amë, Rexhepi së bashku me familjen e tij sistemohet në Tiranë, ku vazhdoi me pasion dhe devocion detyrën e arsimtarit. Rexhep Shpendi, pa mëdyshje përfaqëson një nga personalitetet e spikatura të shkollës shqipe. Kontributi i tij është vlerësuar me tituj të lartë nderi si urdhri “Naim Frashëri” i klasit II dhe I, “Mësues i Merituar”, si dhe (pas vdekjes) titullin “Mësues i Popullit”, me motivacionin “Për kontribut të shquar në përhapjen e arsimit dhe forcimin e shkollës shqipe në Malësinë e Gjakovës dhe viset e tjera shqiptare. Mësues i palodhur demokrat”. Gjithashtu, Këshilli i Komunës Bujan të Rrethit B. Curri e shpalli atë “Qytetar Nderi i Komunës Bujan” (pas vdekjes), me motivacionin “Për kontribut të shquar në përhapjen e dijes në Komunën Bujan dhe në të gjithë Kosovën, metodist i talentuar i mësimdhënies, mësues i pasionuar”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›