E Shtunë, 31 Tetor 2026

John Hodgson: Rreziku është që komunizmi të harrohet edhe këtu

Lexuesit në Perëndim nuk i është folur sa duhet për "totalitarizëm intim" siç e përkufizon përkthyesi anglez John Hodgson regjimin në Shqipëri. Intervista pas marrjes së çmimit "Jusuf Vrioni" për kontributin në përhapjen e kulturës shqiptare në gjuhë të huaj


Duke lënë Ministrinë e Kulturës, që për Xhonin ajo prapë mbetet Lidhja e Shkrimtarëve, shëtisim pak. Tirana është më e qetë, njerëzit më të butë. Nuk është më si dikur, megjithëse gjurmë nga dikur gjen po të duash. Në byrektoren në cep të stacionit të linjës Kombinat - Kinostudio, që funksionon edhe si dispeçeri, i ngjallen sytë dhe ndalet.
- Më jepni tre ingranazhe, ju lutem.

Vajza në kioskë ngre supet. Është rreth 17 vjeç.

- Ah, nuk quhen më ingranazhe? - Korrigjon shakanë Xhoni. - Po si ja thonë emrin sot?
Paguan tre kurabie për nostalgji të kohëve të vjetra dhe të zborit të miqve të tij shqiptarë.
Xhon Hoxhson (John Hodgson) ka tridhjetë vjet në kontakt me Shqipërinë.

Më vonë tha se këto ditë do të shkojë në Gramsh dhe Tropojë, të vetmet qendra që nuk njeh nga ky vend.


Sapo kishte përfunduar studimet për gjuhë angleze në Kembrixh dhe Njukesëll, kur u nis për në Kosovë në vitin 1980 për të dhënë mësim në Universitetin e Prishtinës. Pak më vonë nisë të përkthejë poetë kosovarë, sidomos poezinë e Azem Shkrelit. Po ashtu merret me përkthime të lajmeve nga Shqipëria komuniste - ishte një gjuhë e drunjtë kongresesh sa të vinte t'ia merrje vajit.


Jo jeta në të kaluarën, por e kaluara në të sotmen, është një diskutim që nuk duhet të quhet i mbyllur. Përndryshe është "rreziku që komunizmi të harrohet edhe këtu", thotë Xhoni.

- Po tani, Xhon, çfarë do të bësh me 200 mijë lekët që të dhanë shqiptarët?

- Çfarë do të bëj? Nuk e kam menduar. Do t'ia kthej prapë kulturës shqiptare.
Aty për aty shton. "Unë nuk di që vendi im të japë ndonjë çmim për përhapjen e kulturës angleze në Shqipëri."

Burri i thotë këto fjalë duke thithur "Camel"-in, cigare të blera në Shqipëri. Këtu i kthehen veset. Nuk është duhanpirës dhe nuk ka ceremonial as në gjestet, as në fjalët.
Më shumë se dhjetë vjet përpara, kur mori çmimin për përkthimin më të mirë nga shqipja në anglishte për "Urën me tri harqe"të I.Kadaresë, paratë i dha që vepra e një autori të ri shqiptar atëkohë, të botohej në gjuhë të huaj.


Sot ju morët çmimin "Jusuf Vrioni". Çfarë ju thotë ky emër?

E kam takuar Jusuf Vrionin para dhjetë viteve, vetëm një herë. Njeri i tërhequr ishte. Di diçka për historinë e tij, që është vërtet tragjike, po ishte njeri me kulturë aq të thellë e aq të gjerë, sa besoj se mund të jetë frymëzim për çdo përkthyes.

Keni gati për botim përkthimin e "Ridënimit" të Fatos Lubonjës dhe në proces tregimet e tij të burgut dhe romanin "Aksidenti" të Ismail Kadaresë. Çfarë mbresash ju kanë lënë këto vepra?

Të flas për "Ridënimin" sepse punën me të e kam mbaruar. E shoh si një vepër jo vetëm historike që tregon për periudhën më të errët të shqiptarëve, po edhe si vepër me një mendjekthjelltësi morale të jashtëzakonshme.


Është një vepër humane që tregon për vuajtjet e autorit në burg, po pa hidhërim, pa mllefe, pa vajtim, një gjakftohtësi dhe një qasje njerëzore jo e zakontë.

Duke iu referuar qëparë një tregimi të F. Lubonjës, ju thatë që mënyra se si mund të kuptohet kjo lloj letërsie nga lexuesi anglez është sigurisht e ndryshme nga e bashkëpatriotëve të autorit.


Është një lloj letërsie që lexuesi anglez e sheh si diçka të largët, diçka që ka përjetuar një popull i huaj. Ky lexues do të bëjë krahasime me letërsinë ruse dhe me letërsi të burgjeve të tjera totalitare.


Ka për të gjetur ca ngjashmëri, po edhe dallime, por janë disa gjëra shumë të vështira për t'u kapur nga lexuesi ynë. Si për shembull, ajo që ka veçuar redaktori, kur flitet për të burgosurit shqiptarë që janë pushkatuar, që janë dënuar me vdekje dhe që u është heqjur e drejta e votimit për pesë vjet. Ç'kuptim ka kjo? Është një makabritet i regjimit shqiptar që besoj se nuk ekzistonte në vendet e tjera të Lindjes. Ai regjim ka disa karakteristika që janë shumë të vështira për t'u kuptuar nga lexuesi i huaj.

"Totalitarizëm intim" e quajtët. Nuk përdoret tek ne një përkufizim i tillë për regjimin 45-vjeçar.


E quajta totalitarizëm intim duke marrë parasysh faktin që Shqipëria është një vend i vogël.

Bashkimi sovjetik ka qenë perandori, por në Shqipëri duke qenë një shoqëri e ngushtë ku njerëzit në përgjithësi e kanë njohur njëri-tjetrin, edhe persekutimet që janë bërë brenda shoqërisë shqiptare, kanë pasur një farë intimiteti të tmerrshëm që është jashtë çdo lloj krahasimi me shoqëritë e tjera të Lindjes.

Edhe sepse Shqipëria ishte një rast i veçantë, ishte izoluar nga Lindja sa dhe nga Perëndimi.

Është e vërtetë që Perëndimi e ka reshtur njohjen e komunizmit nëpërmjet letërsisë, është ngopur lexuesi i tij me vepra që vijnë nga këto vende dhe dëshmojnë atë kohë?
Jo, rreziku është që komunizmi do të harrohet edhe këtu.

Besoj se regjimet ideologjike të shekullit të njëzetë, në përgjithësi, janë diçka që i kanë ndodhur njerëzimit dhe është një përvojë e atij shekulli prej të cilit duhet ende të mësojmë. Regjimi nazist ende diskutohet, studiohet, kurse përvoja e Lindjes, ende nuk është përtypur si duhet.

Ju ka shkuar mendja të shkruani kujtimet?


Kur përkthej veprat e të tjerëve, nganjëherë më bie ndër mend se mund të shkruaj edhe unë. Shpresoj të shkruaj diçka nga kujtimet e mia nga Kosova. Kam qenë aty më 1980-1985. Ishte një kohë e veçantë në Kosovë, një kohë me rëndësi historike dhe unë si i jashtëm besoj se kam parë gjëra që vlejnë të shënohen.

Me aq sa i njihni këto dy territore shqiptare, a është Kosova shqiptare?
Kosova është shqiptaria.


Nëpërmjet Kosovës ju erdhët dhe njohët Shqipërinë?
Kur isha në Kosovë, dukej qartë që shqiptarët e Kosovës e kanë adhuruar Shqipërinë.

Ajo ishte parajsë e largët dhe nuk kuptonin në atë kohë çfarë po ndodhte me Shqipërinë. Ishte një moskomunikim i thellë që besoj se vazhdon. Është një moskomunikim sepse kosovarët dhe shqiptarët e Shqipërisë kanë përvoja historike shumë të ndryshme. Shpesh më duket se kur shërohet Kosova sëmuret Shqipëria, edhe anasjelltas.

Keni përvojë për t'u shënuar nga gjykata e Hagës, përkthyes në proceset kur gjykohej Millosheviç. Gjashtë vjet apo jo?


Gjashtë vjet punova për Tribunalin e Hagës dhe nga historitë tronditëse që kam dëgjuar prej dëshmitarëve atje, mund të mësosh diçka se çfarë do të thotë të jesh njeri, ashtu siç kam mësuar nga tregimet e Fatos Lubonjës.


Tribunali i Hagës është kritikuar shumë sepse ka qenë i ngadaltë, edhe sepse diktatori Millosheviç thuhet se i ka shpëtuar.

Ai vdiq para dënimit. Kjo nuk qëndron. Ai akuzohej për vrasjen e qindra njerëzve. Si mund të jetë i shpejtë një gjykim i tillë? Puna e tribunalit nuk ishte vetëm për të dënuar kriminelët, por edhe për të bërë dëshmi para historisë. Unë nuk jam më atje, tani është në gjyq edhe Radovan Karaxhiçi, dhe besoj se gjykata po kryen punë të rëndësishme.

Na tregoni diçka për kohën kur duhej të përkthenit shtyp shqiptar për çfarë ndodhte në Shqipëri në kohën e komunizmit.


Kam qenë edhe përkthyes i mediave shqiptare në kohën e Komunizmit, i fjalimeve të Ramiz Alisë për raportet e Kongresit. Kam mësuar edhe gjuhën e ngurtësuar të komunizmit.

Ka qenë e mërzitshme në fakt. Kam përfituar edhe nga ajo kohë. Ndodhnin gjëra komike dhe gati-gati të pabesueshme. Më kujtohet se isha duke dëgjuar radio në vitin '90, kur është hequr emri i Stalinit nga institucionet shqiptare. Ishte urdhri i Këshillit të Ministrave për heqjen e emrit.

Mirë kanë bërë thashë. Po si do t'ia bëjnë për emrin e qytetit Stalin. Prisja parashikimin e motit. Doli Petriti (spikeri i famshëm i parashikimit të motit për vite me radhë në TVSH) edhe tha: temperaturat nesër në Tiranë 4, Durrës 3, Fier 2, Qyteti 2. Kishin hequr emrin e Stalinit po nuk i kishin vendosur akoma emrin e vjetër. Kështu që mbeti pezull thjesht me emrin Qytet.
E mbaj mend shumë mirë ngazëllimin e asaj kohe.

Duket qartë që ju përktheni pak, vepra apo autorë që ju bindin. Po çfarë mendoni për letërsinë që shkruhet sot në Shqipëri?

Siç thashë, Shqipëria vazhdon të jetë një vend intim, do të thotë se shkrimtarët dhe lexuesit komunikojnë personalisht, nuk është si tek ne ku letërsia është thjesht treg. Këtu njerëzit shkruajnë për njëri-tjetrin. Është një kulturë e veçantë dhe kjo është përparësi e një vendi të vogël.


Sigurisht që tani në Shqipëri lexohet më pak se më parë, kjo është edhe dukuri në tërë Lindjen ku në përgjithësi më përpara njerëzit lexonin më shumë, se nuk kishin argëtime të tjera.
Ëdhe shkrimtarët shqiptarë duhet të përballojnë këtë konkurrencë nga media të ndryshme.

Do të qëndroni disa ditë. Për çfarë do ta shfrytëzoni kohën?


Do shkoj në Gramsh. Janë vetëm dy rrethe në Shqipëri ku s'kam qenë: Tropojë dhe Gramsh. Meqë Tropoja është larg dhe nuk mund të shkoj kësaj radhe, do të shkoj në Gramsh.

Çfarë do të merrni me vete, për çfarë jeni kurioz?


Jam kurioz për të parë se është bërë më njerëzore shoqëria shqiptare dhe si është zbutur. Shqipëria tani është një vend shumë më i butë se ka qenë përpara.

E mbani mend të ashpër?

Shqipëria sigurisht që ka qenë një vend i ashpër se ashtu kanë qenë kushtet e jetës. Akoma ka probleme por besoj se njerëzit janë çlodhur disi. Dmth se njerëzit nuk e kanë tensionin e mëparshëm.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›