E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia shqipe nuk ka tregim

Ministria e Kulturës vlerëson shkrimtarët më të mirë të 2008-s. Ja tetë autorët dhe përkthyesit që kryesojnë listën e atyre që kanë pasuruar letërsinë shqipe. Nuk jepen çmimet për tregimin dhe letërsinë për fëmijë. Juria: nuk kishte vepra të mira Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve vlerësoi dje autorët dhe përkthyesit më të mirë për vitin 2008. Gjatë një viti juria shqyrtoi rreth 1500 tituj librash, për të mbërritur tek tetë fituesit e djeshëm.


Ministri Ylli Pango i dorëzoi shkrimtarit Ismail Kadare, "Çmimin e madh për letërsinë". Ky çmim iu akordua "për ndikimin që vepra e tij "Darka e gabuar" ka pasur në letërsinë botërore", (edhe pse ky roman ka vetëm 2 muaj që është botuar). Shkrimtari i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve u kufizua duke thënë se i vjen mirë që "lexuesi po i rikthehet shijes së tij".

Juria e përbërë nga Mark Marku, Mirela Kumbaro, Parid Teferiçi, Zija Çela dhe Agron Gjekmarkaj vlerësuan me çmimin "Petro Marko" për romanin shkrimtarin nga Kosova Mehmet Kraja, për veprën "Selvitë e Tivarit".


Për Krajën ishte një surprizë. Nuk e priste që të vlerësohej për të dytin vit radhazi. Më 2007 ai mori çmimin "Mitrush Kuteli", për prozën më të mirë të shkurtër.
Kraja u shpreh i kënaqur për vlerësimin që institucionet shqiptare i bëjnë punës së tij. Ai e sheh si kontribut në komunikimin kulturor të dy vendeve, për njohjen reciproke, për qarkullimin e letërsisë së Kosovës edhe në Shqipëri.


Më pas shton se shkrimtarët shqiptarë janë bërë tashmë pjesë e teksteve shkollore dhe universitare në Kosovë, duke përmendur emrat e Dritëro Agollit, Xhevahir Spahiut, Fatos Kongolit, etj.

Për kontributin që ka dhënë në krijimin e një mendimi filozofik shqiptar, Prof. Artan Fuga me veprën "Brirët e dhisë" u vlerësua me çmimin për esenë "At Gjergj Fishta".
Studiuesi Jorgo Bulo për studimin që i ka bërë veprës së plotë të Andon Zako Çajupit u vlerësua më çmimin "Faik Konica".


Për të inkurajuar shkrimtarët e rinj ministria jep çmimin "Migjeni", që këtë vit iu dha Albana Shalës, për librin e saj "Papa Dixhital".


Prurja më e mirë në poezi u cilësua vëllimi poetik "Gjallë unë pashë" i autorit Preç Zogaj, të cilit ju akordua çmimi "Lasgush Poradeci".


Çmimi për përkthimin më të mirë të një vepre të huaj në gjuhën shqipe u nda ex aequo mes Pashk Gjeçit dhe Shpëtim Çuçkës. Gjeçi me pjesën e parë të "Faust"-it të Gëtes, përkthim në gegërisht i vitit 1968, i botuar vetëm me 2008-n; Çuçka për punën 20-vjeçare në përkthimin e "Faustit" të plotë, në gjuhën standarde.


Gjatë marrje së çmimit Çuçka u shpreh se sot njerëzit njohin vetëm interpretuesit muzikorë dhe kanë harruar se ekzistojnë edhe interpretuesit e fjalës dhe shtoi që çmimi nuk i takon atij vetëm por moralisht i takon edhe Pashk Gjeçit (i cili mungonte në ceremoni për shkak të moshës së shtyrë), Petro Zhejit dhe gjithë atyre që kanë dhënë kontribut në fushën e përkthimit.


Çmimi për përkthyesin nga shqipja në gjuhë të huaj dhe që mban emrin e "Jusuf Vrionit" iu dha anglezit John Hodgson.
Këtë vit asnjë autor nuk plotësoi standardet për të fituar çmimin "Mitrush Kuteli", për prozën më të mirë të shkurtër, dhe "At Donat Kurti", për letërsinë për fëmijë.


Për të dyja kategoritë arsyeja është e njëjtë: nuk ka prurje të mira.
Kryetari i jurisë, Mark Marku, thotë se nuk u pa e arsyeshme që të jepeshin këto çmime. Letërsia për fëmijë është shumë delikate, tha ai, për shkak të moshës së lexuesit që i drejtohet kur edukohet shija e lexuesit. "Në këtë kuptim ne duhet të jemi shumë cilësorë, për shkak se kjo lloj letërsie (jo cilësore) mund ta dëmtojë fëmijën që në hapat e para pasi ai nuk ka instrumente mbrojtës ndaj mediokritetit dhe nuk di të zgjedhë. Duke pasur parasysh këtë gjë ne ishim kundër dhënies së këtij çmimi, që stimulon një produkt letrar të dobët",- shpjegoi Marku.


Ai theksoi se letërsia për fëmijë në Shqipëri po banalizohet gjithnjë e më shumë gjë që u vu re edhe në këtë edicion çmimesh.
Pothuajse për të njëjtën arsye juria vendosi të mos jepet as çmimi për prozën e shkurtër, "Mitrush Kuteli". "Kriteri ynë ka qenë vlerësimi i atyre librave që përbëjnë një risi në letërsinë shqipe. Arritëm të nxjerrim nga gjitha librat që janë botuar vetëm 2-3. Por që nuk e tejkalonin nivelin e letërsisë mesatare",- shpjegon kryetari i jurisë.

Box
Çmimi "Kadare" për Kadarenë

Në fjalën e tij përshëndetëse Ministri Ylli Pango prezantoi si risi dhënien e "Çmimit të madh të letërsisë". Ministri shpjegoi se ky çmim i jepet atij autori që me veprën e tij ka ndikuar në letërsinë botërore.

Ky çmim iu dha Ismail Kadaresë për kontributin që ka dhënë me romanin e botuar në nëntor 2008, "Darka e gabuar".

Duket nga motivacioni që ky çmim dhënë Kadaresë, nuk është as më shumë dhe as më pak po vetë çmimi "Penda e Artë", versioni i vjetër i çmimit kombëtar të letërsisë që jepet për veprën totale të një autori dhe që e kanë marrë deri tani (pas vdekjes) autorë si Lasgush Poradeci, Gjergj Fishta, Martin Camaj, Petro Marko, dhe Fatos Kongoli (një përjashtim nga autorët e gjallë të letërsisë së sotme shqipe).


Nuk është e habitshme as kjo risi që paraqiti dje ministri Pango, as ajo që gjen të shpallur në faqen zyrtare të ministrisë që ai drejton. Motivacioni me të cilin ministri i dha Kadaresë "Çmimin e madh të letërsisë" i korrespondon në fakt çmimit "Kadare" i themeluar më 2007 nga paraardhësi i tij Bujar Leskaj, çmim që nuk u dorëzua asnjëherë. Në motivacionin për çmimin "Kadare" thuhet:


"Për rolin e jashtëzakonshëm që kanë luajtur në lëvrimin, pasurimin dhe integrimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të tjera krijohet "Çmimi Kadare". Ky çmim karriere, do të jepet për ata personalitete që me veprën e tyre romanore, kanë pasuruar letërsinë shqipe dhe njëkohësisht kanë dëshmuar se letërsia shqipe është pjesë integrale e Letërsisë evropiane".


Çmimi "Kadare" nuk rezulton që të jetë shfuqizuar. Me fjalë të tjera Kadare është vlerësuar me një çmim që mban emrin e tij.
Është e dyta herë që ndodh të jetë themeluar një çmim "Kadare" dhe që humbet pa krijuar traditë.

"Orfeu dhe Euridiçja", sot premiera e studentëve
Opera "Orfeu dhe Euridiçja" ngjitet sot në sallën e madhe të Akademisë së Arteve. Studentë të vitit të tretë dhe të katërt të kantos sot dhe nesër në orën 19:00 interpretojnë veprën e kompozitorit Cristofer Williban Gluck e cila shënon edhe mbylljen e Stinës Koncertore të Dimrit.

Opera ka për regjisor Nikolin Gurakuqin, dirigjent Dritan Lumshin dhe dirigjente kori Suzana Turkun. Interpretojnë Klodiana Laze, Ardita Meni, Ardita Milla, Ermalda Bodo, Ledi Ibrahimi, Sindi Mamaqi, Ada Gurra, Holta Alliu etj.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›