KUJTIME PER JOHN UPDIKE-un
Homazh John Updike-ut / Në vitet '70 emri i tij përmendej në faqet e "Dritës", si emri i një shkrimtari dekadent reaksionar dhe libri i tij "Lepur vrapo", si shembull i degradimint të letërsisë në Perëndim. Emrin e John Updike-ut artikullshkruesit vigjilentë, si për ta sharë më tepër, e rreshtonin me atë të Kafkës e të Prustit!
Në korrikun e vitit 1994 ndodhesha i ftuar në një program kulture në SHBA. Qëndrimi im për afro dy muaj, nënkuptonte një udhëtim intensiv nga Bregu Lindor (Washington DC, North and South Caroline, Neë York City) në Bregun Perëndimor të Kontinentit Amerikan (California). Pas dy javësh të mbërritjes sime në SHBA, jam në Massachusetts.
I ftuar nga Harvard University, kisha kërkuar të shoh një kopje të gazetës studentore Crimson, gazetë ku Tomas Stern Eliot, në qershorin e vitit 1915, pat botuar së pari poemën "Këngë dashurie për J. Alfred Prufrock".
Një gazetë e zakonshme dhe tepër modeste studentësh që vazhdon të botohet dhe sot e kësaj dite, me katër faqe, e që kish veprën e parë poetike të poetit më të madh të shekulli të njëzetë.
Në Washington DC, në Library of Congress, para se të mbërrija në Boston, kisha ende të freskët kujtimin me Maya Angelou-n, poeteshën e njohur amerikane. Një burrë i vrullshëm pat dalë nga e njëjta dhomë ku hyja.
U patëm përshëndetur me kokë shkarazi. Maya Angelou më tha "e njohe kush ishte? Poeti rus, Joseph Brocki, tipi më i vështirë që kam njohur der më tash. Ngulte këmbë që të pinte cigare në dhomë. Më tha se ndalimi i cigares është një violencë kundër të drejtave të poetëve.
Pastaj hapi vetë dritaren dhe piu 5 cigare rresht, gjysmë i përkulur jashtë dritares. Mund të binte poshtë nga çasti në çast. O zot, këta poetët rusë!"
Në Boston më lajmëruan se do të takohesha me shkrimtarin John Updike. Nga Updike kisha lexuar romanin "Lepur vrapo" (Rabbit run) romanin e tij të parë "The poorhouse", si dhe një vëllim me tregime të shkurtra. Një tregim të tij e kisha përkthyer dhe botuar në gazetën "Drita" në vitin 1988, me një paraqitje të autorit. Ishte botimi i parë i Updike-ut në shqip. Por jo përmendja e parë e emrit të tij në shtypin shqiptar.
Më kujtohet se si në vitet '70 emri i tij përmendej, po në faqet e "Dritës", si emri i një shkrimtari dekadent reaksionar dhe libri i tij "Lepur vrapo", si shembull i degradimint të letërsisë në Perëndim.
Emrin e Updike-ut artikullshkruesit vigjilentë, si për ta sharë më tepër, e si për të treguar shkallën e lartë të rrezikshmërisë së tij, e rreshtonin me atë të Kafkës e të Prustit!
Po ashtu, në leksionet për letërsinë borgjeze dhe revizioniste të shekullit të njëzetë, lektorë të ndryshëm na kishin shpjeguar rrezikshmërinë e letërsisë absurde, dhe romanin "Lepur Vrapo", një profesor serioz i letërsisë së shekullit të njëzetë e shpjegonte si historinë e një lepuri që nuk kish arritur të bëhej kurrë njeri!
Organizuesit e udhëtimit tim në SHBA i kishin shkruar Updike-ut se unë i kam përkthyer një tregim në shtypin shqiptar, dhe po ashtu i kishin dhënë disa nga poezitë e mia të përkthyera në anglisht. Kishte shfaqur përnjëherë dëshirën që të më takonte.
Ideja që do takohesha me John Updike-un, të cilin një shkrimtar anglez e ka quajtur "Dostojevski i letërsisë amerikane", më jepte një ndjenjë kureshtjeje të përzier me pasigurinë se çfarë do të flisnja me të.
Pasigurinë ma shtonte, krahas të tjerash, dhe fakti se diku, në një tregim të tijin, ai kishte një referencë jo dhe aq simpatike për shqiptarët! Takimi do të bëhej në King's Grant Inn, në periferi të Bostonit. Ishte data 18 Korrik.
Mendova të merrja me vete një libër të tijin. Nuk ishte gjë e lehtë për të gjetur një libër të Updike-ut në libraritë e Bostonit. Librat e tij ishin më të shiturit. Një miku im amerikan më dha nga biblioteka personale romanin e tij të parë.
Nxitova të mbërrij në kohë. Arrita pesë minuta me vonesë. Jashtë, në oborrin e King's Grant Inn priste një burrë gjatosh, elegant, me flokë të bardha, i veshur me një bluzë polo verore. Ishte e kundërta e figurës zyrtare, hijerëndë, të kontraktuar, pozante dhe distancëmbajtëse të shkrimtarëve që kisha njohur unë deri më atë kohë. Kishte sytë më të qeshur e më të butë që kam arritur të shoh tek një qenie njerëzore. I kërkova të falur për vonesën. I tregova se sa e vështirë kishte qenë për të gjetur një libër të tij në bookshop-et e Bostonit.
Ai më tha se isha munduar më kot, ngase ai vetë kishte sjellë katër për të m'i dhënë me vete.
Filloi të pyeste për Shqipërinë. Kishte lexuar romanin e Kadaresë "Kronikë në gur" dhe e kishte admiruar talentin e shkrimtarit shqiptar. Në revistën prestigjioze "Neë Yorker" ku ka botuar dhe shkrimet e mrekullueshme estetike, ka shkruar nje recension tepër vlerësues për të.
Përmendi vetë fillimin e romanit, atë përshkrim surreal të pijanecëve që gdhihen në ditën e nesërme mbi çatitë e pjerrëta të shtëpive të qytetit. Dhe qeshi. Tha se ishte çuditur se si kjo vepër qe shkruar nga një shkrimtar shqiptar.
Tha se kishte qenë ndër shkrimtarët e parë amerikanë që kishte vizituar Bashkimin Sovjetik gjatë kohës së Hrushovit. Kudo i thoshnin të njëjtën gjë. Prozatori më i madh i letërsisë amerikane është Jack London.
Poeti më i madh është Walt Whitman. Më vonë kishte vizituar Poloninë, Çekinë, Gjermaninë Lindore, Bullgarinë. Të njëjtat biseda, madje e njëjta strukturë sintaksore, i njëjti leksik, e njëjta buzëqeshje.
E njëjta lëvizje e krahëve. Nuk kish arritur kurrë t'i kuptonte shkrimtarët e vendeve komuniste. Nuk kish arritur madje as që t'i kuptonte sadopak veprat e tyre. Ishte trishtuar nga uniformiteti njerëzor. Nëse shkrimtarët janë qenie të uniformizuara, ç'mund të presësh nga të tjerët?
Më tha se nga letërsia amerikane autori që vlerësonte më shumë nuk ishte Jack London, por ishte Nathaniel Haëthorne. Për fat të mirë, nga Haëthorne kisha lexuar "The House of seven gablers" dhe një përmbledhje tregimesh.
Iu bë qejfi që e admiroja dhe une Haëthorne-in. Natyrisht, duke ia fshehur admirimin tim të hershëm për Jack Londonin.
Më pyeti se cilin nga tregimet e tij kisha përkthyer. Ah, këtë paske përkthyer? Është tregimi im më i njohur nga studentët amerikanë, ngase është i përfshirë në të gjithë antologjitë shkollore.
E pyeta se cilët nga librat e vet vlerësonte më shumë. "Centaur", "Witches of Eastëick" dhe "Gertrude and Claudius". Ky i fundit është ri-shkrimi i marrëdhënieve të Gertrudës, nënës së Hamletit, me burrin e saj të dytë, Klaudin. Më pyeti nëse e kisha parë realizimin filmik të "Shtrigat e Istuikut" me Jack Nickolson-in.
Nuk i pëlqente që shumë lexues e përmendnin si autorin e "Rabbit run". Tha se sa e vështirë është për një shkrimtar kur ndesh në lexues që e përmendin si autorin e veprave të para.
Disa vite më vonë e kam kujtuar këtë pjesë të bisedës sonë tek lexoja njërin nga tregimet e tij në përmbledhjen "Your lover just called" ku ai tregon për një shkrimtar të bezdisur ngaqë e përmendin si autorin e veprës së tij të parë të botuar.
Tek ndaheshim, bëmë një fotografi bashkë. Më dha katër librat që kishte marrë me vete nga shtëpia. "Centaur", "Getrude and Claudius", "Ëitches of Eastëick" dhe "Beck". Të gjitha me dedikaset e veta.
Një muaj më vonë, në Tiranë, marr dhe letrën e parë të tij. Më shkruan me kortezinë më të madhe se sa shumë e vlerëson kohën që qëndruam bashkë dhe bisedën tonë. Më pyet për udhëtimin tim për në Shqipëri...
Në shtëpinë time në Tiranë, ruaj katër letra të shkruara nga John Updike-u, të cilat ai m'i ka dërguar në vite të ndryshme. Letra miqësore, të shkruara me natyrshmëri dhe me një pulsim thellësisht njerëzor.
Shkrimtari anglez Justin Cartëright, mik i Updike-ut, shkruan me rastin e vdekjes se tij se ai mbetet "shkrimtari më i madh amerikan i pjesës së dytë të shekullit të njëzetë. Cilësia e tij më e rrallë mbetet integriteti absolut. Kurrë nuk ka shkruar në mënyrë pretencioze dhe kurrë, tek shkruante, nuk qëllonte me grushte..."
Ashtu si plot të tjerë, mendoj se bota letrare ka dështuar ngase John Updike-u nuk e mori atë që duhej të kishte marrë. Pavarësisht se ai fitoi dy herë çmimin Pulitzer dhe dy here National Book Awards, atij ju mohua çmimi Nobel.
Ai vete shkruan për një shkrimtar mediokër e të mërzitshëm, Henry Bech, tek merr çmimin Nobel dhe tek mban një fjalim në Stokholm me foshnjën mbi shpatulla... Është ky një pasazh në njërin ndër librat e tij që John Updike-u ma pat dhënë në Boston me dedikasin e shkruar me dorën e vet.