Johnny Depp, tani nje kukull që personifikon rolet
LOS ANXHELOS- Ylli i Hollivudit, aktori Johnny Depp e ka parë tashmë imazhin e tij të riprodhuar në kukulla të ndryshme që personifikojnë rolet e interpretuara prej tij. Tashmë adhuruesit e tij mund të admirojnë një statujë të yllit të filmit "Piratët e Karaibeve" në një fshat të thellë të Serbisë. Depp e inauguroi personalisht statujën e tij në fshatin malor Mecavnik ndërsa merrte pjesë në një festival lokal muzikor e filmi të organizuar nga regjizori serb Emir Kusturica. Qindra adhurues të tij pritën për mëse dy orë për të parë nga afër idhullin e tyre. Nën dritat e fishekzjarreve Depp hoqi flamurin kombëtar që mbulonte statujën e cila e paraqiste më të ri në moshë duke qëndruar në këmbë i veshur me një xhaketë blu e pantallona gri. Depp kishte mbërritur në këtë fshat të thellë malor i ftuar nga regjizori me origjinë nga Sarajeva, Emir Kusturica, i cili bashkëpunoi me të në filmin e vitit 1993 "Arizona Dream." Regjizori serb është dy herë fitues i Palmës së Artë në Festivalin e Filmit në Kanë me filmat "Kur Babai Ishte Larg Për Punë" i vitit 1985 dhe "Nëntokë" i vitit 1995. Kusturica ka në plan të xhirojë një film të ri mbi heroin e revolucionit meksikan Françisko "Panço" Vila, ndaj Depp, fitues për herë të dytë i titullit ‘Njeriu Më Seksi i Vitit’ në konkursin e shpallur nga revista ‘People’, pritet të interpretojë rolin kryesor.(/news 24/ BalkanWeb)