Johnsson: Parlamenti shqiptar, model për vëmendjen ndaj fëmijëve dhe grave
Sekretari i Përgjithshëm i IPU-së, Anders Johnsson, ishte dje i ftuari i veçantë i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Zoti Johnsson, prej dhjetë vitesh në këtë pozicion të rëndësishëm, një nga kontribuuesit kryesor të zhvillimit të programeve të IPU-së, në forcimin dhe promovimin e demokracisë në botë, ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në seminarin dyditor të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me IPU-në dhe UNICEF-in me temë: “Roli i parlamentarëve për parandalimin dhe reagimin ndaj shfrytëzimit të fëmijëve dhe adoleshentëve”. Zoti Johnsson, një ekspert i ligjeve dhe politikës ndërkombëtare, i të drejtave të njeriut, çështjeve gjinore, por dhe i diplomacisë parlamentare, tregoi një interes të veçantë për të gjitha nismat që Parlamenti shqiptar ka ndërmarrë në këto çështje. Kryetarja e Kuvendit e njohu zotin Johnsson me fushatat sensibilizuese dhe me turet e saj në qytete e fshatra të Shqipërisë, duke përçuar mesazhet e luftës kundër dhunës në familje, për një kujdes shëndetësor të grave dhe për nxitjen e tyre për t’u bërë pjesë e politikës e vendimmarrjes. Duke i cilësuar si shumë të rëndësishme nismat e Parlamentit dhe kryetares së Kuvendit në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe grave, zoti Johnsson tha se “para pak kohësh unë diskutova në një takim të OKB-së në Nju Jork për rolin që parlamentet duhet të luajnë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe grave dhe, ju siguroj se në konferencat e tjera ku do të marr pjesë, do të referoj me kënaqësi modelin që Parlamenti shqiptar ofron, për vëmendjen e tij të veçantë në këto drejtime sensitive”.