E Diel, 1 Nëntor 2026

RROSH: MSA s’mund të kthehet në pazar politik Tiranë-Athinë

Përfaqësues të Rrjetit të Organizatave Shqiptare me qendër në Tiranë (Klubi Kombëtar, ASAN, Lëvizja Mjaft, Shoqëria Çamëria, Instituti Liberal Shqiptar), kanë shprehur dje shqetësimin ndaj Memorandumit që Organizata Omonia i ka dërguar qeverisë greke, për të mos nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizimit-Asociimit të Bashkimit Evropian me Shqipërinë. “Ne shqetësohemi nga përmbajtja e kësaj deklarate, e cila është hartuar gjoja në mbrojtje të pakicës greke në Shqipëri, por që në fakt është e mbushur me të pavërteta dhe synon të minojë jo vetëm procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe të prishë artificialisht marrëdhëniet e mira ndëretnike në Shqipëri, si edhe mund të cenojë integritetin territorial të Shqipërisë, gjë që përbën një shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve të shtetit shqiptar”, - thuhet në deklaratën për shtyp. Sipas RROSH, pakica greke në Shqipëri gëzon të gjitha të drejtat që burojnë nga rendi kushtetues e demokratik i vendit, si edhe të drejtat kulturore që burojnë nga dokumentet e organizatave evropiane e ndërkombëtare, në zonat ku kjo pakicë është e përqendruar. Sipas tyre, nuk ka asnjë raport serioz të hartuar nga aktorë të pavarur kombëtarë apo ndërkombëtarë që ta mohojë këtë fakt. “Situata e pakicës greke në Shqipëri mund të merret si model në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore, ku ka akoma shtete që nuk njohin ekzistencën e pakicave kombëtare dhe të drejtat e tyre”. RROSH u ka bërë thirrje organeve qeveritare që të mos ta konsiderojnë procesin e Stabilizimit-Asociim të Shqipërisë si një pazar në marrëdhëniet dypalëshe me cilindo shtet anëtar të BE-së, që mund të shkëmbehet me varreza ushtarësh, shpallje gjuhësh zyrtare, apo, më keq, rivizatimesh të kufijve administrativë të Shqipërisë, për të krijuar njësi autonome territoriale, në modelin e “Republika Srpska” në territorin e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›