E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZMK: Edi Rama fshihet pas kërkesës për rritjen e çmimit të biletave

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit ka dalë kundër kërkesës së shoqërive private për rritjen e çmimeve të biletave në transportin urban. Sipas kësaj zyre, “në fakt qytetarët e Tiranës kanë të drejtë që të kërkojnë nga institucionet qeveritare uljen e çmimit të biletave, sepse tashmë është në ulje të vazhdueshme edhe çmimi i karburantit të autobusëve, sepse preteksti që përdori Bashkia Tiranë për rritjen e çmimit të biletave ishte pikërisht rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës gjatë 2008”. ZMK bën të ditur se ka filluar një iniciativë brenda Këshillit Bashkiak Tiranë gjatë dhjetorit për të kërkuar respektimin e kushteve dhe standardeve të autobusëve në Tiranë. Por, sipas kësaj zyre, “kjo duket ka trembur si Edi Ramën dhe kompanitë e autobusëve në Tiranë që bashkëpunojnë ngushtë me bashkinë për të rrjepur xhepat e qytetarëve të Tiranës, pa iu dhënë shërbimin e kontraktuar”. Sipas studimit që kreu gjatë 2007–2008 ZMK-ja, rezulton se transporti urban në Tiranë ofrohet në kushte skandaloze, jashtë çdo parametri kontraktual dhe ligjor, duke shkelur një sërë standardesh të njohura kombëtare dhe ndërkombëtare. Kompanitë e transportit urban të udhëtarëve në Tiranë inkasonin mbi 21 milionë dollarë, kur çmimi i biletës ishte 20 lekë dhe fitimi final ishte minimumi 7 milionë dollarë në vit, ndërsa kur çmimi u rrit 50%, fitimi i kalon 17 milionë dollarë, duke pasur parasysh edhe rënien e vazhdueshme të cilësisë së shërbimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›