E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kore e Jugut: Katastrofë ambientale

Po merr përmasat e një katastrofe natyrore incidenti mes naftëmbajtëses "Hebei sprint", që u përplas pak ditë më parë me një anije që transportonte një rimorkiator në portin korean Daesan, në rajonin Taean (rreth 100 km në jug të Seulit). Lënda e zezë e derdhur nga naftëmbajtësja ka shkatërruar 17 kilometra bregdet dhe është shtrirë përreth 20 km larg anijes. Koreja ka angazhuar mbi 100 anije dhe mijëra persona në përpjekje për të kufizuar pasojat e derdhjes më të tmerrshme të naftës në det në historinë e vendit, që ka nxirë plazhe ëndrrash, ka mbuluar zogjtë me katran dhe ka përhapur një erë të padurueshme në një zonë natyrore të mbrojtur. Ndërkohë që nga e shtuna në mbrëmje, është shpallur gjendja e katastrofës natyrore në rajonin e Taean-it. Rëra në Mallipo është mbuluar nga një shtresë nafte rreth 10 centimetra e dendur. Ndërkohë, banorët e zonës përreth druajnë se aktivitetet e tyre të lidhura me detin, duke filluar nga rritja e midhjeve, do të dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme. "Rreth 5600 persona janë momentalisht në punë - ka thënë një agjent i Rojës Bregdetare - dhe po bëjmë gjithçka mundemi në mënyrë që situata të mos përkeqësohet. Duke pasur parasysh baticën dhe drejtimin e shpejtësinë e erës - ka shtuar ai - njolla e zezë nuk duhet të shtrihet më tej. Dhe në fakt, objektivi kryesor është të bllokohet zgjerimi i njollës së zezë. Në det, deri më tani, kanë përfunduar 10 mijë e 500 tonë naftë. Janë nxjerrë ndërkohë në det anije që kanë hedhur rrjeta dhe barriera që mbledhin pjesë të naftës së derdhur, ndërsa teknikë dhe vullnetarë po përpiqen të largojnë naftën nga bregu me ndihmën e thasëve dhe kovave. Falë operacioneve të pompimit, nafta nuk rrjedh më nga naftësjellësja me flamur të Hong-Kongut që të premten u përplas me anijen-rimorkiator, ndërsa ishte pranë plazheve të Mallipos, rreth 90 km në jugperëndim të Seulit. Nafta është derdhur në ujërat e Detit të Verdhë nga tre të çara të shkaktuara si pasojë e përplasjes. Në momentin e incidentit, naftëmbajtësja transportonte 147 mijë tonë naftë. Sipas hetimeve të para, litarët që siguronin rimorkiatorin ishin këputur, për shkak të detit të trazuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›