Jonathan Stonestreet: KQZ sna dha vendimin ku mbështet rinumërimin e kutive
Jonathan Stonestreet: KQZ sna dha vendimin ku mbështet rinumërimin e kutive
Nga Muhamed Veliu, Top-Channel
Për Jonathan Stonestreet numrin një të misionit të ODIHR në Tiranë e marta e javës së ardhëshme shënon fundin qëndrimit të tij në Tiranë.
Duke foluar për Top-Channel ai tregon se kryesimi këtij misioni ishte një eksperiencë e mrekullueshme, gjithashtu privilegj ti besohej kjo detyrë në Shqipëri, një vend i cili siç thotë ai është magjepsës. Ndërsa procesin elektoral e cilëson si me të vërtet shumë interesant. Amerikani Stonestreet nuk pranon të krahasojë Shqipërinë me vendet e tjera ku ai ka monitoruar zgjedhje por pohon se shqiptarët kanë interes të dinë se cilat ishin elementet pozitive të këtyre zgjedhjeve përfshi se cilat janë dobësitë të cilat duhet të përmirësohen.
Zoti Stonestreet, ju keni kryer të njëjtën detyrë në disa vende të tjera duke monitoruar zgjedhjet. Për ju këto janë ditët e fundit në Shqipëri. Si do ta përshkruanit këtë eksperiencë të re duke drejtuar misionin e ODIHR në vendin tonë?
Ishte një eksperiencë e mrekullueshme të isha kryetar i një misioni të tillë, gjithashtu privilegj për mua të më besohej kjo detyrë në Shqipëri një vend i cili për mua është magjepsës. Procesi elektoral ishte me të vërtet shumë interesant.
Nëse do të krahasonit Shqipërinë me vendet në të cilat keni qenë më parë, cili do të ishte konkluzioni?
Ne asnjëherë nuk krahasojmë zgjedhjet e një vendi me ato të vendeve të tjera. Ne shikojmë angazhimet e OSBE-s për standardet demokratike që duhet të kenë zgjedhjet bazuar në ligjet. Mendoj se për shqiptarët duhet të këtë më pak interes të krahasojnë vendin e tyre me çfarë ka ndodhur në vende të tjera. Besoj se ata kanë interes të dinë se cilat ishin elementet pozitive të këtyre zgjedhjeve përfshi se cilat janë dobësitë të cilat duhet të përmirësohen.
Për shembull?
Ne i kemi nënvizuar ato në raportet paraprake ku kemi thënë se zgjedhjet ishin transparente dhe me një garë të fortë konkurrimi. Ishin edhe disa anë të tjera pozitive siç ishte roli i medias, shoqërisë civile me vëzhguesit e tyre. Gjithashtu dua të nënvizoj siç edhe e thashë gjatë takimit me kryeministrin për rolin e policisë. Nga çfarë pamë gjatë këtyre zgjedhjeve policia ka kryer një punë të mirë. Ka edhe elementë të cilët duhen të përmirësohen të cilat janë identifikuar nga ne. Mbase njëra më e rëndësishme është polarizimi i lartë që pati ndikim në administratën e zgjedhjeve përfshi rolin e partive politike duke vepruar në mënyrë të papërgjegjshme në rolin që patën gjatë procesit. Gjithashtu përdorimi i institucioneve si një fushë beteje. Ndërsa kritikat për çështje të ndryshme duhet të kanalizohen në rrugët e duhura duke u bërë publike për të ruajtur balancat mes të bërit kritikë dhe shkaktimit të dëmit ndaj institucioneve si për shembull kur kritikat lëshohen për arsye politike.
Cili është momenti më i veçantë që ju ka mbetur në mendje gjatë qëndrimit në Shqipëri?
Ishte momenti kur vajta në njësinë numër 5 në Tiranë kur po numëroheshin kutitë e fundit. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. E them këtë pozitivisht pasi intensiteti që po ndiqej numërimi i çdo kutie ishte diçka e veçantë, ndërkohë që qytetarët e tjerë të këtij vendi po e ndiqnin këtë proces nga ekranet e televizorëve. Për mua kjo ishte një eksperiencë të cilën nuk e kisha përjetuar më parë dhe ka për të mbetur në mendjen time përgjithmonë.
Le të ndalemi pak në procesin e numërimit në Tiranë, nga i cili është prodhuar një rezultat me një fitues i cili ka dalë me 10 vota plus, por KQZ vendosi pa shumicën e anëtarëve të këtij komisioni të zhvillonte një rinumërim. A ju surprizoi një vendim i tillë?
Sapo rezultati paraprak jo zyrtar u mësua, e dija pasi kam parë gara të ngjashme me rezultat kaq të ngushtë siç ka ndodhur edhe në vendin tim apo vende të tjera, dhe çfarë do të ndodhte më pas do të ishte e debatueshme ndërsa KQZ-ja do të vihen nën një vëzhgim të mprehtë, përfshi presione. Kjo është pasoja e të paturit një garë kaq të ngushtë. Çfarë ne kemi thënë në raportin e djeshëm ishte se ne kemi konsideruar çfarë KQZ po bën tani, ne thamë se baza ligjore mbetet e paqartë për misionin tonë pasi vendimi përfundimtar që e sqaron këtë veprim, i cili mbase ishte marrë në baza principate, por vendimi final në dijeninë time nuk është publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së. Disa prej çështjeve të ngritura si për shembull vlefshmëria apo jo e fletëve të votimit që ngre problemin e fletëvotimit të hedhura në kuti të gabuara është një çështje e ngritur edhe në zgjedhjet e shkuara dhe ishte e njohur që përpara këtyre zgjedhjeve, por nuk ishte adresuar KQZ-së nga anëtarët e KZAZ-ve, përfshi partitë politike që gëzojnë të drejtën e shprehjes së shqetësimit në KQZ. Asnjë nga partitë nuk e ngritën këtë çështje për të thënë si do të konsideroheshin të tilla vota. Për këtë partitë duhet të reflektojnë pasi në këtë çështje ato kanë përgjegjësitë e tyre sikurse kanë të drejtë të kritikojnë njëra tjetrën dhe institucionet, por është me rëndësi reflektimi tyre.
Në raportin e djeshëm shkruhet se vendimi për hapjen e kutive në KQZ ishte i paqartë nga ana ligjore për OSBE-ODIHR. A i keni kërkuar KQZ informacionin e nevojshëm apo sqarime për këtë çështje?
Unë jam takuar me kryetarin dhe nënkryetarin e KQZ-së dhe kur ne shkruam se baza ligjore është e paqartë, e bëmë këtë pasi për të mbërritur në një arsyetim apo parë bazën ligjore, në mendjen time gjeja e parë që më vjen është të paturit e një dokumenti që do të na sqaronte se kjo është baza ligjore dhe më pas njerëzit mund të thonë nëse kjo bazë ligjore është e justifikuar apo nuk është e justifikuar. Këtë gjë unë nuk e kam. Di që ka patur një projekt-vendim, po kjo për mua nuk është e njëjtë me pasjen e një vendimi për këtë çështje. Nuk është çështja jonë të themi nëse kishte apo nuk kishte bazë ligjore për këtë çështje janë institucionet si KQZ është puna e tyre përfshi kolegjin zgjedhor, partitë dhe kandidatët. Janë institucionet shqiptare ato që duhet të thonë fjalën e tyre çfarë ndodhi për procesin e numërimit dhe më pas.
Pra deri këtë moment që ne po flasim së bashku, OSBE-ODIHR nuk e ka një vendim të tillë?
Nga ajo që di mund tju them se deri në momentin kur është shkruar raporti i fundit deri më datë 18 Maj ne nuk e kemi vendimin përfundimtar, të cilit mund ti referoheshim dhe më pas të dinim bazat ligjore. Me çfarë kam dijeni nuk ka një vendim final.
Vonesat nga KQZ për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar për Tiranën, përfshi vendimin për rinumërimin e disa kutive, a do të reflektohen në raportin tuaj final?
Natyrisht që në raport ne do të flasim për të gjithë procesin, numërimin, tabulimin e rezultateve. Duhet të prisni për përfundimet për këtë proces që ende ska mbaruar dhe duhet të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Duke ju rikthyer pyetjes tuaj të mëparshme do të ishte shumë ndihmëdhënese nëse KQZ do të ishte e qartë të na tregonte për veprimet që po ndërmerr siç edhe ka ndodhur me fazën parapërgatitore ku pavarësisht disa mosmarrëveshjeve ne mund të themi se puna e KQZ ishte transparente sikurse ishte edhe procesi numërimit. Unë e di që edhe aktiviteti që ata po kryejnë tani gjithashtu është transparent dhe mund të shikohen në televizion, por duhet tranparencë edhe në të shpjeguarin se çfarë po ndodh tani me votat e shqiptarëve
