Rrjeti i shoqërisë civile denoncon dhunën e opozitës
"Deputetë dhe militantë të PS po paralizojnë akset kombëtare”
Rrjeti Kombëtar i Shoqërisë Civile shpreh indinjatën e thellë për acarimin e pavend të klimës politike në vend, ndërsa publiku shqiptar është në pritje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 8 Majit 2011. Rrjeti Kombëtar i Shoqërisë Civile dënon frymëzimin politik dhe deklaratat luftë-nxitëse që kanë prodhuar akte dhune dhe vandalizëm në rrethe të ndryshme të vendit, ndërsa kërkon ndërprerjen e menjëhershme të presionit fizik e politik mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si institucionin kryesor – i cili ka tani fjalën në administrimin e votës së popullit. Rrjeti Kombëtar i Shoqërisë Civile i bashkohet korit të zërave të arsyeshëm nga brenda dhe jashtë vendit, për të lejuar institucionet që të bëjnë detyrën e tyre, deri në numërimin e plotë të çdo vote. Ne besojmë se vetëm kështu Shqipëria do t’i japë fund epokës së zgjedhjeve të dhunuara dhe pretendimeve për legjitimitet të cenuar të përfaqësimit nga seicila palë. Rrjeti Kombëtar i Shoqërisë Civile konsideron se deklaratat e Komisionit Europian, të përfaqësuesve të SHBA, të europarlamentares Pack etj janë në unison me interesat madhore të popullit shqiptar dhe mbrojnë vullnetin e qytetarëve për të thelluar procesin e nisur të integrimit europian të vendit. Këto ngjarje të fundit janë në vizionin tonë vazhdim i orkestruar i qëndrimit të mëparshëm të ndonjë pale, e cila refuzoi paraprakisht të deklaronte njohjen e rezultatit të zgjedhjeve, në rast të humbjes së tyre me votë. Rrjeti Kombëtar i Shoqërisë Civile i gjen absurde protestat e opozitës në qytetet ku ajo është shpallur fituese e zgjedhjeve. Po ashtu, bllokimet e rrugëve kombëtare, marshimet drejt Tiranës dhe tubimet e paligjshme të deritashme, përbëjnë një precedent të rrezikshëm të kulturës politike në vend dhe cenojnë rëndë përparimin e shënuar në zhvillimin dhe administrimin e zgjedhjeve të 8 Majit 2011. Asnjë akt dhune apo formë presioni nuk prodhon legjitimitet dhe nuk favorizon asnjë palë. Aktet e dhunës dhe vandalizmi në këto çaste do të ishin veçse një akt kriminal kundër imazhit të vendit dhe kundër përcaktimit plebishitar pro-perëndimor të shqiptarëve. Ne jemi të bindur, se publiku shqiptar – ashtu si deri më tani, nuk do të bjerë pre’ e këtyre ngjarjeve të shëmtuara, që evokojnë në mënyrë perfide imazhet e vitit 1997. Rrjeti Kombëtar i Shoqërisë Civile gjithashtu u kërkon të gjitha palëve që të respektojnë ligjin dhe të shmangin provokimet, ndërsa shpreson se agjensitë e zbatimit të ligjit do të reflektojnë menjëherë për detyrimet e tyre kushtetuese. Asnjë përfaqësues politik – ligjbërës ose jo, nuk ka të drejtë ta konsiderojë veten mbi ligjin dhe rendin kushtetues. Asnjë qytetar nuk ka përse të ndjehet i dhunuar për faktin se vota e tij mund të mos numërohet. Është detyrë e institucioneve të mbikqyrin zbatimin e ligjit. Kush flet ndryshe, i bën një dëm të madh demokracisë dhe progresit.
...