Berisha nuk tërhiqet, shmang pyetjet për raportin e OSBE-së dhe presidentin Topi
Kryeministri Berisha ka thënë se rezultati për Tiranën do të shpallet si përfundimtar nga ana e KQZ-së.
Gjatë një konference shtypi, ai ka thënë se KQZ-ja duhet që të vazhdojë me këtë proces, për tu lexuar edhe votat që janë hedhur jashtë kutive për kryetar bashkie.
Ndërkohë, në fund të fjalës së tij, Berisha nuk ka pranuar që ti bëhen pyetje dhe është larguar nga salla.
Kryeministri nuk ka thënë asnjë fjalë për raportin e OSBE/ODIHR, që kritikonte rëndë KQZ-në për atë që është duke bërë.
Berisha nuk është shprehur as mbi skandalin tjetër të KQZ-së, që ka bërë publike votën e presidentit të Republikës, Bamir Topi.
“Zgjedhjet janë çështje e shtetit ligjor, janë testi i funksionimit të këtij shteti, institucioneve të tij. Shteti ligjor e institucionet ligjore e kanë potencialin e forcën për të dhënë zgjidhje e të saktë e të vërtetë për garën për Tiranën. Pas numërimit të votave të panumëruara, Basha rezulton të jetë mbi 70 vota përpara. Ky numërim bëhet në përputhje të Kushtetutës. Mbështetësit e dy palët presin me padurim të shohin kryetar bashkie. Kjo është një garë shumë e ngushtë. Demokracia e shteti ligjor do zgjidhin këtë problem delikat. Është plotësisht e mundshme që të bëhet transparenca për çdo votë. Çdo shqiptar do ndjehet krenar kur institucionet e tij, institucionet për të cilat ka investuar, të cilat nuk janë të përsosura, por janë funksionale të nxjerrin rezultatin e vërtetë, përfundimtar të këtyre zgjedhjeve”, ka deklaruar Berisha gjatë një konference shtypi.