Fatmir Toçi: Jemi shteti i vetëm që nuk stimulon përkthimet
Më vjen mirë që propozime të tilla vijnë nga intelektualë shqiptarë, aq sa më vjen keq që këto përpjekje nuk vijnë nga struktura shtetërore, të cilat duhet ta kenë detyrë parësore promovimin e kulturës dhe letërsisë shqipe në botë. Ne jemi nga të vetmet vende në të gjithë Europën Lindore që nuk kemi një program të caktuar për të stimuluar përkthimin e veprave të autorëve shqiptarë në gjuhë të huaja të ndryshme. Po të hedhësh një vështrim në gjithë vendet që na rrethojnë, që nga Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Rumania e të gjitha shtetet e tjera kanë një program dhe një fond të veçantë në Ministrinë e Kulturës, me një formular aplikimi të miratuar nga ministrat përkatës, të cilët çdo shtëpi botuese e huaj që është e interesuar të botojë autorë apo vepra të këtyre vendeve janë të gatshëm të paguajnë përkthimin në masën 100%, por ndoshta dhe diçka më tepër për botimin e tyre, mjafton që veprat të promovohen në gjuhë të ndryshme. Kjo gjë nuk ekziston, edhe pse vite me radhë ne botuesit, por edhe autorët e kemi ngritur zërin pranë Ministrisë sonë të Kulturës. Për të thënë të vërtetën, të gjitha fondet që jepen për librin ka vite që ndahen midis të njohurve të ministrave, ithtarëve të partisë që ndodh të jetë në pushtet, pa pasur një transparencë publike. Këto fonde duhet të shkojnë për promovimin e letërsisë shqipe jashtë. Këtë nismë do ta shikoja më tepër si një thirrje për një vëmendje më të madhe ndaj këtij procesi. Praktikisht nuk e shikoj shumë të mundur dhe pak idealiste, sepse sot në kushtet kur shtëpitë botuese janë private, të lira, është ai botues që do të shfaqë interesin për të botuar një vepër të caktuar nga gjuhët e huaja, në rastin konkret nga gjuha shqipe. Kjo do të thotë se nëse nuk ka një botues që është i interesuar për një autor apo një vepër shqiptare për ta përkthyer, ky institut apo institucion që do të ngrihej për përkthimin, do të bënte një punë që do të ngelej në arkiva apo do të kërkonte një institucion tjetër që do të bënte dialogim me këto shtëpi botuese dhe do të më dukej si një lutje që kërkohej për t‘i bërë nder letërsisë shqipe për botimin e saj, ndërkohë që ne duhet të ngjallim interesin e këtyre shtëpive botuese për të kërkuar autorët dhe veprat letrare, për të cilat jam i bindur për aq sa i njoh dhe operoj në tregun e librit shqip, ka vepra të tilla që mund të konkurrojnë me dinjitet përkrah veprave më të mira në Europë.