E Diel, 1 Nëntor 2026

Jonson betohet t‘i shpallë luftë krimit në kryeqytet

Kryebashkiaku i ri i Londrës, Boris Jonson, në deklaratën e parë publike që ka bërë në lidhje me marrjen e postit ka thënë se një nga objektivat e tij kryesore në detyrën e re do të jetë goditja ndaj krimit të organizuar në metropolin britanik. Pas nënshkrimit të deklaratës në bashki, Jonson tha se kishte ardhur momenti për t‘i lënë pas inatet ideologjike e dasitë për t‘u përqendruar të gjithë së bashku në përmirësimin e cilësisë së jetës. Kandidati konservator arriti që të mundë kandidatit laburist, ish-kryetarin e falshëm të bashkisë, Ken Livingston. Në fjalimin e tij, Jonson tha se planifikonte që të ndërtonte gjatë mandatit të tij rreth 50 mijë shtëpi të rehatshme dhe brenda standardeve normale të jetesës në kryeqytet dhe të fokusohej kryesisht në pakësimin e krimit. "Është parësore për një kryetar bashkie që të arrijë t‘i bëjë bashkë njerëzit duke i ftuar ata që të heqin dorë nga të gjitha dasitë për t‘iu dedikuar ndërtimit të një realiteti që u takon të gjithëve dhe jo vetëm disave. Detyra ime parësore është edhe që t‘ju shërbej sa më mirë e me devotshmëri të gjithë banorëve të metropolit tonë të madh qofshin e tyre të qendrës, por kryesisht atyre të periferive", deklaroi kryebashkiaku i ri. Jonson ndodhet tani në zotërim të një buxheti prej 11 miliardë paundësh në vit me të cilin duhet të mbulojë të gjitha problemet duke filluar që nga ato të transportit publik, i cili është një nyje shumë delikate në Britaninë e Madhe, veçanërisht në Londër, si dhe shërbime të tjera në një qytet me një popullsi prej 7.5 milionë banorësh. Ai deklaroi se kishte pasur dhe do të kishte shumë shpejt takime me figura të rëndësishme të kryeqytetit, duke nisur me shefin e policisë metropolitane e figura të tjera të rëndësishme. Gjatë katër viteve të tij në pushtet, Jonson do të merret edhe me përgatitjet për Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Londër në vitin 2012 dhe do të jetë gjithashtu përgjegjës për promovimin e politikave të reja të strehimit, ambientit dhe qendrës më të rëndësishme financiare të ekonomisë evropiane që ndodhet pikërisht në Londër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›