E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tibetianë e kinezë nisin bisedimet e para

Pekini e cilësoi Dalai Lamën të shtunën një kriminel, ndërkohë që përfaqësuesit e budistit që ndodhet në mërgim u mblodhën në Kinë për të diskutuar çështjen delikate të protestave tibetiane, më të ashprat në dy dhjetëvjeçarët e fundit. Dënimi që iu bë figurës më të rëndësishme budiste tregon se qeveria kineze nuk ka ndër mend që të bëjë asnjë lloj lëshimi apo kompromisi me tibetianët edhe pas protestave të vendasve, të cilat u shtypën në mënyrë të përgjakshme dhe u vendosën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare të javëve të fundit, duke krijuar edhe reagime të ashpra politike nga disa vende ndaj qeverisë së Pekinit. Takimi duhet të zhvillohej mes autoriteteve shtetërore kineze dhe të dërguarve të posaçëm të liderit në mërgim të Tibetit. Takimi i lënë për t‘u mbajtur në qytetin e kinez të Shenzhenit do të jetë i pari mes të dy palëve që nga momenti i shpërthimit të trazirave të javëve të fundit. Kryeministri Samdhong Rinpoche i qeverisë tibetiane në mërgim që është vendosur në Indi, tha se takimi do të zhvillohet të dielën, megjithatë deklaratat zyrtare të Pekinit ndaj liderit shpirtëror tibetian flasin për një dështim të mundshëm të takimit. Përfaqësuesit tibetianë do të kenë mundësinë që për herë të parë të përcjellin tek autoritetet kineze shqetësimin për sa ka ndodhur në Tibet, si dhe do të paraqesin disa mundësi të zgjidhjes së situatës. Kina është përballur me një presion gjithnjë e më në rritje nga ana e komunitetit ndërkombëtar, presion që ka të bëjë me Lojërat Olimpike dhe pjesëmarrjen në to të figurave të shquara të shteteve të ndryshme. Edhe pse takimi nuk është përmendur fare në median zyrtare kineze, është bërë publike deklarata zyrtare e qeverisë në lidhje me Dalai Lamën. Dalai Lama që u largua nga Tibeti pas kryengritjes së dështuar të vitit 1959 kërkon një autonomi domethënëse për krahinën e Tibetit dhe jo pavarësi nga Pekini. Ai e ka përshkruar "gjenocidin kulturor" në atdheun tij si një ndër më shkatërrimtarët në histori, një gjenocid që ka rrënuar vlera unike të kulturës dhe fesë budiste. Dalai Lama venerohet thellësisht nga tibetianët. Personat që ndodhen në pozicionin e tij janë konsideruar tradicionalisht si liderë realë, por edhe shpirtërorë të Tibetit. Propozimi i bisedimeve erdhi nga ana e Kinës një javë më parë, pasi qeveritë perëndimore e detyruan Pekinin që të hapte një rrugë dialogu me Dalai Lamën. Për sa i përket Pekinit, ai nuk ka dhënë kurrë realitetin e numrit të personave që janë vrarë, apo plagosur gjatë protestave në kryeqendrën tibetiane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›