Kuba i "hap derën" kompjuterit
Edhe pse shumë ngadalë, në Kubë disa gjëra kanë nisur të ndryshojnë që nga periudha e sundimit të Fidel Kastros, liderit të famshëm të Revolucionit, i cili për arsye shëndetësore ia la pushtetin të vëllait të tij, Raul. Ky i fundit ka nisur të bëjë disa hapa që të paktën janë tregues i një mendësie që ka nisur të ndryshojë në qeverisjen e ishullit komunist. Për herë të parë kanë dalë në shitje në tregjet e vendit kompjuterët shtëpiakë, ndërkohë që për sa i përket internetit ai vazhdon të mbetet një mollë e ndaluar. Në qendër të Havanës ndodhet një magazinë e madhe shitjesh me emrin "Carlos III". Pikërisht në ditën e shitjes së kompjuterëve para saj u mblodh një numër i madh njerëzish, pjesa më e madhe e të cilëve në fakt ishin thjesht kuriozë, pasi çmimet e kompjuterëve janë të papërballueshme për shumicën e popullsisë. Një kompjuter kushton rreth 800 dollarë amerikanë, ndërkohë që paga mesatare mujore është 20 dollarë në muaj. Pra, imagjinoni se sa vjet kursime do t‘i duheshin një kubani të thjeshtë për të blerë një kompjuter. Një blerje të tillë mund ta përballojnë vetëm disa kubanë të cilëve u vijnë paratë nga të afërmit që i kanë jashtë shtetit kryesisht nga emigracioni i vendosur në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qëkur mori në dorë pushtetin në ishullin komunist muaj më parë, Raul Kastro i ka dhënë fund një numri jo të vogël gjërash të ndaluara për ishullin qëkur në të triumfoi revolucioni me në krye vëllain tjetër të Kastrove, Fedelin. Kryesisht bëhet fjalë për mallra konsumi ndër të cilat ishin deri më tani edhe kompjuterët shtëpiakë. Javët e fundit mijëra kubanë mundën që "të shtien në dorë" telefonat celularë dhe aparaturat e DVD-së. Për sa i përket aksesit në internet, ai mbetet ende i shumë i kufizuar për disa vende të tilla si vendet e punës, shkollat apo universitetet e ishullit. Qeveria thotë se është e pamundur që të ndërtojë fibra optike gjigante nën det për shkak të embargos tregtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjitha lidhjet online sot realizohen përmes satelitit që veç të tjerash është shumë i shtrenjtë. Aleati i Kubës, Presidenti i Venezuelës, Çavez, po shtrin një kabllo të re në Karaibe që pritet të rrisë aksesin në ishull.