Të martën shkon në Kushtetuese marrëveshja me GreqinëNga TemaPartia Socialiste dhe parti të tjera të opozitës do të paraqesin të martën në Gjykatën Kushtetuese ankimimin e marrëveshjes për kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Marrëveshja ësht
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Të martën shkon në Kushtetuese marrëveshja me GreqinëNga TemaPartia Socialiste dhe parti të tjera të opozitës do të paraqesin të martën në Gjykatën Kushtetuese ankimimin e marrëveshjes për kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Marrëveshja është nënshkruar nga shtatë parti të majta e të djathta, ndërsa në këtë marrëveshje nuk është përfshirë PBDNJ. Marrëveshja Shqipëri-Greqi për kufijtë nuk do të shqyrtohet në tri javët e ardhshme, pasi nuk është përcaktuar në kalendarin trejavor të parlamentit. Ndërkohë nga Kuvendi nuk bëhet e ditur se kur do të ratifikohet kjo marrëveshje e shumëpërfolur javët e fundit në media. Marrëveshja ishte parashikuar për t’u shqyrtuar në seancën plenare të së hënës, në datën 19 tetor, por në axhendën trijavore të Kuvendit kjo marrëveshje nuk figuron si çështje për shqyrtim.
Megjithatë, ankesa e hartuar nga ekspertët e PS ndaj marrëveshjes do t’i paraqitet të martën Gjykatës Kushtetuese, së cilës i kërkohet interpretimi i ligjshmërisë së marrëveshjes.
Sipas ekspertëve të PS, marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Greqisë është hartuar në kushte të disfavorshme për Shqipërinë, duke mos mbajtur parasysh interesin kombëtar dhe tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, duke filluar që nga 1914 me komisionin e Fuqive të Mëdha që përcaktoi kufijtë mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe deri në ditët e sotme, ku Shqipëria dhe Greqia e kanë marrë të mirëqenë territorin në kufijtë aktualë.
Në argumentet e ekspertëve ku PS e mbështet kërkesën e saj, është edhe fakti se dy vendet fqinje kanë respektuar deri me sot një kufi konvencional të pranuar në mënyrë reciproke dhe se kjo marrëveshje u shkel duke hequr një vijë tjetër kufitare në favor të Greqisë.
Ajo që kuptohet nga formulimi i kërkesë-ankesës së PS, fjalën në Gjykatë Kushtetuese do ta kenë ekspertët e palëve ose ata që mund të thërrasë vetë kjo gjykatë, pasi PS, me sa duket, nuk merr përsipër barrën e provës.
Ankimimi është nënshkruar nga Edi Rama i PS, Skënder Gjinushi i PSD, Erion Veliaj i G99, Spartak Ngjela i PLD, Nard Ndoka i PDK dhe Ndre Legisi, ish-drejtues i LSI.
Negociatorët e marrëveshjes
Negociatorët e palës shqiptare pretendojnë se nuk kanë falur asnjë milje det dhe se akuzat për falje të një sipërfaqeje të konsiderueshme brenda kufirit shqiptar, shtetit grek janë hamendësime. Njëri prej negociatorëve të palës shqiptare, Ferid Hoxha, tha dje se nuk kishte ekzistuar më parë asnjë marrëveshje për ndarjen e vijës kufitare midis shtetit grek dhe atij shqiptar.
Gjatë një historiku të kësaj marrëveshjeje, Hoxha tha se Greqia e bëri këtë kërkesë, pikërisht kur pretendonte se shteti shqiptar po bënte kërkime për naftë në një territor që helenët e quanin të tyrin.
“Po ashtu, ish-kryeministri Meksi në vitin ‘93, gjatë një vizite në Athinë e ka ngritur problemin e ndarjes së kufirit detar mes dy vendeve. Kjo çështje ka vazhduar deri në 2006, pas publikimit në një të përditshme shqiptare të një harte, ku thuhej se një kompanie të huaj i ishte besuar nxjerrja e naftës”, - ka deklaruar Hoxha.
Ferid Hoxha u shpreh se procesi është kryer sipas të gjitha metodave bashkëkohore, duke u mbështetur në ligjet ndërkombëtare për përcaktimin e vijës kufitare. Hoxha u shpreh se më parë nuk kishte ekzistuar asnjë dokument që përcaktonte ndarjen e kufijve detarë të Shqipërisë me Greqinë. Ndërsa pjesëtari tjetër i grupit negociator, Kristaq Germenji, u shpreh dje se për të mbërritur deri në nënshkrimin e marrëveshjes, grupi negociator ishte mbështetur në konventat për detin.
Për këtë çështje ka reaguar dje edhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i cili është shprehur se është i gabuar vendimi i PS dhe partive të tjera opozitare për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për kufijtë detarë me Greqinë.
Në një prononcim për mediat, Meta tha se qëndrimi i PS nuk është korrekt, pasi bëhet fjalë për një çështje politike serioze. “Shpreh keqardhjen, sepse nuk është kjo mënyra për një forcë politike për të vepruar në mënyrë të instrumentalizuar, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një çështje politike serioze. Unë e mirëpres Ramën edhe në Ministrinë e Jashtme, ku ai mund të takohet me të gjithë ekspertët që janë marrë me këtë çështje. Është e drejtë e tij të veprojë për të ndërmarrë nisma të tilla”, - tha Meta.
Reagimi
Ndërsa deputetja socialiste Olta Xhaçka tha se PS do të bëjë detyrën e saj në mbrojtje të interesit kombëtar të Shqipërisë, ndërsa e ka cilësuar Metën si zëdhënës të qeverisë Berisha. “Me sa duket Ilir Metës duhet t’i thërrasim Ilir Bregu, sepse ka marrë edhe detyrën e zëdhënëses së qeverisë, po problemi është se ky vartës i zellshëm i Saliut po bën qesharake Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë duke u marrë përditë me opozitën për llogari të shefit të tij. Sa për marrëveshjen për kufijtë detarë, Partia Socialiste po bën detyrën e saj elementare në mbrojtje të interesit kombëtar, duan apo s’duan karagjozët që qeverisin Shqipërinë. Është më e zymtë, edhe sepse zëvendësi i Sali Berishës, Ilir Meta, për interes të karriges së tij që prej 5 javësh po mohon përditë çfarë ka thënë në prill, maj apo qershor 2009. Partia Socialiste do të vazhdojë të qëndrojë në krah të familjeve të varfra. Do t’i mbështesë ato, do të jetë përçuese e zërit dhe interesave të tyre. Këto janë arsye më shumë që shqiptarët duhet të protestojnë edhe sot pasdite në Berat, edhe në sheshet e qyteteve të tjera të Shqipërisë në ditët e ardhshme”, - tha Xhaçka.
Anastasi: Marrëveshja me Greqinë s’mund të ratifikohet pa e shqyrtuar Gjykata Kushtetuese
Konstitucionalistja, Aurela Anastasi, tha dje se marrëveshja për kufirin detar e Shqipërisë me Greqinë do të pezullohet, për aq kohë sa Gjykata Kushtetuese do të shprehet për të pas ankimimit të Partisë Socialiste. Anastasi u shpreh dje se kjo çështje mund të lërë shteg për interpretim, pasi asnjë nga 7 firmëtarët nuk janë deputetë të betuar në Kuvend. Kërkesa pranohet, nëse në statutin e të paktën një prej partive ankimuese është e sanksionuar mbrojtja e interesave kombëtare. “Partia politike është një subjekt që mund ta vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, në lidhje me legjitimitetin e këtij subjekti për të paraqitur këtë kërkesë konkrete shprehet vetë Gjykata Kushtetuese. Është organi kompetent që shqyrton legjitimitetin e subjektit që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Automatikisht ligji organik i Gjykatës Kushtetuese ka parashikuar pezullimin e procedurave deri në çastin që Gjykata Kushtetuese do të shprehet mbi kushtetutshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare. Kushtetuta vetë ka parashikuar një kontroll apriori, përpara ratifikimit për marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo nuk është një procedure e njëjtë me ligjet e brendshme të vendit, pasi ligjet kontrollohen për pajtueshmërinë e tyre me Kushtetutën, vetëm pasi kanë hyrë në fuqi. Pra, vetëm për ligjet e brendshme Kushtetuta ka parashikuar një kontroll të kushtetutshmërisë a posteriori”, - tha konstitucionalistja, Aurela Anastasi.
Meta: Ka qenë qëndrim personal ai që ka shprehur zv/sekretari i Përgjithshëm i LSI për marrëveshjen
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, duke folur si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, tha dje se deklaratat e zv/Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Besian Pesha, kundër marrëveshjes me Greqinë për ndarjen e territorit ujor, janë personale. Meta tha se nuk mund të mbajë përgjegjësi për to, edhe pse deklaratat janë bërë para disa muajsh, kur Meta ishte në opozitë. Meta nuk tha se pse nuk i ka kundërshtuar këto deklarata apo pse nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj Peshës që përdor selinë e partisë së tij për të sulmuar një vend fqinj. Meta nuk sqaroi gjithashtu se kur duhet të marrim si zyrtar një qëndrim të LSI.
Më 29 prill të këtij viti, zyrtari i LSI, Besian Pesha, foli nga selia e kësaj partie me një gjuhë mjaft të ashpër ndaj marrëveshjes që nënshkroi kryeministri, Sali Berisha, me ish-homologun grek, Kostas Karamanlis.
“Territoret ujore të vendit tonë, qofshin ato pranë Karaburunit, pranë Sazanit apo pranë Ksamilit, nuk janë dhe s’kanë për të qenë kurrë mjet pazari personal midis Berishës dhe Karamanlisit, por duhet të jenë siç kanë qenë në jetë të jetëve mjet për përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe pasuri e tyre e patjetërsueshme. Gjaku shqiptar i derdhur në vite për mbrojtjen e kufijve nuk do të mohohet dot kurrë nga Sali Berisha, i cili po tregon se është gati të shesë dhe vendin për një përkëdheli greke”, - tha Pesha.