Gjermania: Vendi ka nevojë për reforma të rëndësishme, që kërkojnë opozitën në KuvendNga TemaKryetarja e një delegacionit të Bundestagut gjerman, deputetja Margrit Wetzel, nuk ka dhënë shpjegime dje në Tiranë se si do të veprohet me aplikimin e Shqip
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Gjermania: Vendi ka nevojë për reforma të rëndësishme, që kërkojnë opozitën në KuvendNga TemaKryetarja e një delegacionit të Bundestagut gjerman, deputetja Margrit Wetzel, nuk ka dhënë shpjegime dje në Tiranë se si do të veprohet me aplikimin e Shqipërisë për në BE, që ka hasur në pengesë pikërisht nga Gjermania. Deri më tani është bërë e ditur se ka një problem procedural me aplikimin, por Brukseli ka bërë të ditur gjithashtu se ka disa paqartësi në këtë aplikim. Agjencia Reuters pati paralajmëruar para disa kohësh se bllokimi i aplikimit të Shqipërisë është bërë nga Gjermania.
Duke folur pas një takimi me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, deputetja gjermane tha se nuk ka reforma në vend pa praninë e opozitës.
“Në lidhje me pyetjen e parë, unë mendoj se është në dorën e gjithsecilit prej vendeve të vlerësojnë momentin se kur duhet të bëjë kërkesën e tij për anëtar të BE. Mendoj se Shqipëria, derisa të pranohet anëtare e BE, duhet të ecë dhe të bëjë progrese të caktuara. Mendoj që është në rrugën e duhur për këtë. Ne e respektojmë kërkesën e Shqipërisë dhe e mbështesim në rrugën drejt integrimit.
Në lidhje me pyetjen e dytë. Ne kërkojmë që të qëndrojmë larg debateve të brendshme të një vendi në lidhje më pjesëmarrjen e opozitës në parlament. Ne nuk kemi qenë në momentet e caktuara të këtij debati dhe kërkojmë të mbetemi jashtë politikave vlerësuese mbi të. Sigurisht që pjesëmarrja e opozitës në parlament është tejet e rëndësishme në mënyrë që të merren vendime për të ardhmen e vendit.
Dhe nëse do t’i lidhja të dyja pyetjet që ju sapo më bëtë, unë doja të theksoja faktin që pjesëmarrja e opozitës apo mbledhja e parlamentit në numrin e tij të plotë, është vërtet tejet e rëndësishme. Fakti që Progres-Raporti i publikuar së fundi kërkon realizimin e reformave të rëndësishme për vendin, e bën të domosdoshme mbledhjen e parlamentit në numrin e tij sa më të plotë”, - tha Wetzel.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se ngërçi procedural me Gjermaninë për sa i përket aplikimit, do të kalohet.
“Parlamenti i ri mblidhet në datën 28. Në raport me këtë mbledhje dhe me axhendën e këtij parlamenti, do të vendoset për atë që gazetarja paraardhëse pyeti në fillim. Por ne kemi biseduar për shumë projekte të tjera të ardhshme midis Bundestagut dhe Parlamentit të Shqipërisë. Besoj se jemi në rrugën e mbarë”, - tha Topalli.
Presidenca suedeze: Liberalizimi i vizave, jo gjatë mandatit tonë
Liberalizimi i vizave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian nuk do të jetë një gjë e mundur gjatë afatit të presidencës suedeze, por ka gjasa që në vitin 2010 ky proces të realizohet. Një fakt të tillë e ka pohuar përfaqësuesja e Suedisë në Shqipëri, Elisabet Stamm, gjatë një fjalimi të mbajtur në një konferencë për integrimin, të organizuar nga Forumi për Demokraci në Tiranë. “Heqja e vizave nuk është e mundur gjatë presidencës suedeze, por mendojmë se në vitin 2010 kjo mund të bëhet”, - tha ajo lidhur me një fakt të tillë.
Nga ana tjetër, ajo pohoi se Suedia mendon që Shqipëria duhet të përfshihet si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në këtë nismë. “Nuk besoj se Bashkimi Evropian do ta refuzojë një kërkesë të tillë për Shqipërinë”, - tha ajo më pas.
Ambasadorja Stamm nënvizoi se, ashtu sikurse u evidentua dhe në Progres-Raportin e BE, Shqipërisë i duhet të punojë më shumë për administratën publike, të luftojë korrupsionin, të shkëpusë varësinë e gjyqësorit nga politika. Duke u ndalur dhe te zgjedhjet e 28 qershorit, sipas Stamm edhe pse shënuan progres, ky u cilësua i pamjaftueshëm nga ndërkombëtarët.