PS: Më 20 nëntor, barrikadë njerëzore në TiranëNga Tema Socialistët zhvilluan dje protestën e dytë në kërkim të hapjes së kutive të votimit, në qytetin e Beratit, ku dhe pretendohet të jenë manipuluar më së shumti votat e opozitës. Kryetari
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
PS: Më 20 nëntor, barrikadë njerëzore në TiranëNga TemaSocialistët zhvilluan dje protestën e dytë në kërkim të hapjes së kutive të votimit, në qytetin e Beratit, ku dhe pretendohet të jenë manipuluar më së shumti votat e opozitës. Kryetari i PS, Edi Rama, i shoqëruar nga krerë të partive të opozitës, aleatë të PS, si dhe nga parti të vogla të spektrit të djathtë, si kryetari i PLD, Spartak Ngjela, dolën para elektoratit të mbledhur në protestë kundër mazhorancës, për të kërkuar edhe një herë hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, të supozuara nga opozita si të manipuluara. Rama u shpreh dje nga Berati se më 20 nëntor do të organizohet në Tiranë një protestë masive, ku populli i opozitës do të bëhet barrikadë njerëzore përballë pushtetit të mazhorancës, që sipas Ramës është autore e korrupsionit të votave të 28 qershorit. Rama u shpreh se protestat nuk do të ndalen deri në transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit.
“Prandaj, më lejoni që edhe në emrin tuaj, edhe në emrin e të gjithë socialistëve dhe progresistëve në të gjithë Shqipërinë, t’i përgjigjem atij apeli që bëri këtu edhe avokat Ngjela: Më 20 nëntor në Tiranë, për t’u bërë barrikadë njerëzore përballë pushtetit të manipulimit dhe korrupsionit elektoral! Më 20 nëntor në Tiranë, për të parë votën tonë! Më 20 nëntor në Tiranë për të hapur kutitë e votave tona! Më 20 nëntor në Tiranë për ta çliruar votën tonë nga presioni i deformuar i këtij shteti të bërë njësh me pushtetin! Më 20 nëntor në Tiranë, sepse ky pushtet nuk vendos dot për ne, sepse ne, shumica e popullit, nuk kemi vendosur për të, dhe në qoftë se Sali Berisha do të kërkojë ta mbajë forcërisht mbyllur në burgun e kutive të votimit vendimin sovran të shumicës së popullit, ne do ta përballim Sali Berishën dhe pushtetin e hajdutëve të votës me pushtetin e sovranitetit të popullit. Ne nuk kërkojmë të përmbysim me dhunë një pushtet të dalë me dhunë nga dhunimi i votës, por kërkojmë që dhunimi i votës të mbarojë bashkë me këtë pushtet dhunuesish. Ne kërkojmë që shteti të ndahet nga pushteti një herë e mirë dhe kurrë më të mos përzihet në një betejë elektorale për llogari të pushtetit dhe atyre që janë në pushtet, të cilët, në rast se duan të qëndrojnë në pushtet, duhet ta fitojnë këtë betejë me votën e lirë të popullit, ku çdo zgjedhës e zgjedhëse të jetë i barabartë përpara ligjit dhe ku ligji të jetë i njëjtë për të gjithë.
Ne kërkojmë që zgjedhjet e 28 qershorit dhe çdo element i paligjshëm që lidhet me to të hetohet nga parlamenti, për të mos u përsëritur më kurrë, në radhë të parë duke i hapur kutitë e votimit në sytë e gjithë Shqipërisë. Mospranimi për të hetuar në parlament dhunimin e zgjedhjeve, duke mos i dhënë popullit të drejtën që të shohë se çfarë ka brenda në kuti, është jo vetëm prova e frikës së madhe që ka Sali Berisha nga e vërteta, por edhe prova e së vërtetës së madhe që ne do ta mbrojmë me çdo kusht, pa frikë e pa lodhje deri në fund”, tha Rama.
Deputeti i PS, njëherësh deputeti i Beratit, Erion Braçe, ka deklaruar në fjalën e tij gjatë protestës në këtë qytet se beteja për votën e lirë do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë. “E drejta për votën është e drejtë themelore”, - tha Braçe, duke shtuar se Berati është një nga qarqet më të vjedhura në Shqipëri.
Paskal Milo ka deklaruar në fjalën e tij se i duhet dhënë fund njëherë e mirë vjedhjes së votës. “Progres-raporti i KE nuk shënoi progres për Shqipërinë, sepse standardi më thelbësor, ai i zgjedhjeve, nuk u përmbush”, - tha Milo, duke shtuar se qeveritarët tanë të mbrapshtë me në krye Berishën nuk përqendrohen te qytetarët, por te vjedhja e manipulimi i votës.
Me tone të ashpra ka folur edhe kreu i PDS, Skënder Gjinushi, i cili ka deklaruar se Berati votoi për largimin e Berishës. “Shërbëtorët e Berishës thonë se mungojnë faktet, kur fakt është që PS ka edhe një mandat tjetër në Berat”, - tha ai, duke shtuar më tej se hapja e kutive do të mjaftonte të tregonte mazhorancën e vërtetë.
Berati është i dyti qytet pas Tiranës ku socialistët kanë zgjedhur të organizojnë protestën e tyre në kërkim të votës së lirë. Është zgjedhur pikërisht Berati si qyteti i dytë i protestës për të kërkuar transparencë, si një nga qytetet ku PS pati kundërshtime dhe pretendoi se iu vodh një mandat deputeti.
Ngjela: Berishës t’i veshim këmishën e forcës për ta larguar nga pozicioni uzurpues
Kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, foli dje para elektoratit socialist ku dhe ka kërkuar bashkim për të rrëzuar Sali Berishën nga pushtetit. Ngjela u shpreh mjaft ashpër kundër kryeministrit Berisha duke theksuar se kryeministrit i duhet veshur këmisha e forcës, duke e konsideruar si të vetmin mjet për ta rrëzuar nga pushteti, të cilin, sipas Ngjelës, Berisha e ka uzurpuar. “Ky kryeministër është kundër solidaritetit kombëtar. Shqipëria është ndarë me zona. Problemi qëndron në një pikë, a do jemi të fortë t’i veshim këtij kryeministri këmishën e forcës. Asgjë tjetër nuk mund ta kthejë mbrapsht këtë uzurpator. Datën 20 nëntor ta quajmë datën kulmore, ku gjithsecili të vijë në Tiranë për të protestuar ndaj kësaj qeverisjeje shterpë”, - tha Ngjela. Ai foli para protestuesve socialistë në Berat për manipulim të votave të opozitës në zgjedhjet e 28 qershorit, duke i bërë thirrje protestuesve për reagim të fortë kundër kryeministrit Berisha deri në rrëzimin e tij nga pushteti.
Edi Rama: Berisha e ka vënë pushtetin e popullit në shërbim të Familjes së tij
Duke ardhur për të folur këtu bashkë me Gramozin, Valin, Pandin, deputetë e deputete të tjerë të Partisë Socialiste, me avokatin, Ndre Legisin, Mustafa Muçin, Skënderin, Paskalin e gjithë të tjerët, dikush më tha: “Ju lutem mos na tradhtoni, mos hyni në parlament.” Është një kërkesë që e dëgjojmë kudo, e dëgjojmë përditë, e dëgjojmë në çdo bisedë me këdo që është i interesuar që kësaj maskarade zgjedhore që zgjat prej 20 vjetësh, por më 28 qershor arriti kulmin, t’i jepet fund.
Unë e përsëris përgjigjen time për të gjithë ju që e keni këtë merak: Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në parlament për t’u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve për të parë të vërtetën e zgjedhjeve dhe të vazhdojmë mbylljen e rrugëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme për kushedi sa vjet të tjera.
Kush shqetësohet nga mungesa jonë në parlament, duhet ta kuptojë, siç e keni kuptuar ju, siç e kuptojnë të gjithë ata që vërtet janë vërtetë të shqetësuar për fatin e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri, se ne jemi edhe më të shqetësuar për mungesën tonë në parlament, por boshllëkun e mungesës përpara ligjit nuk e mbush prania jonë në parlamentin e ligjit të shkelur, por vetëm beteja jonë pa kompromis për rivendosjen e ligjit në rrugën e protestave dhe të rezistencës demokratike.
A e dini pse zgjedhjet kanë dalë jashtë standardeve? A e dini pse kartat e identitetit nuk u bënë në kohë? A e dini pse listat mbetet plot gropa të zeza? A e dini pse kriminelët janë lëshuar rrugëve nga burgjet për t’ju kërcënuar ju që të mos shkoni të votoni për opozitën? A e dini pse arka e shtetit është bërë rrush e kumbulla elektorale? A e dini pse presioni shtetëror mbi zgjedhësit ka arritur kulme, si kurrë më parë? A e dini pse njerëzit e opozitës janë flakur dhe flaken çdo ditë në rrugë nga puna, ashtu siç ndodhë përditë edhe këtu në Berat, me plot gra e burra që sot gjenden të papunë, sepse kanë kontribuar drejtpërdrejt në aktivitetin e opozitës? A e dini pse kutitë janë marrë peng? A e dini pse Shqipëria po bëhet shqetësim për miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë? Sepse Sali Berisha pushtetin e popullit e ka vënë në shërbim të interesit ekonomik të Familjes së tij dhe ky interes bie ndesh siç bie ndesh nata me ditën me zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse duke kërkuar zgjedhje të lira, në fakt secili kërkon liri për talentin e punën e tij, për të drejta që përmes punës nuk do t’i mohohen askujt. Kjo është arsyeja pse zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk negociohen dhe nuk falen.