E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josa: Skënderbeu s'ka ç'humb në Champions

Skënderbeu, pasi ka barazuar ndeshjen e parë 0-0 me Neftçin në Baku të Azerbajxhanit, kërkon kualifikimin në turin e dytë të Ligës së Kampioneve. Për trajnerin Mirel Josa, një barazim pa gola në ndeshjen e parë ka lënë hapur gjithçka për takimin e dytë në Korçë, që do të luhet sot, në orën 20.00, në stadiumin "Skënderbeu". Ndaj në këtë ndeshje Josa u ka kërkuar futbollistëve të jenë të përqendruar, shumë të kujdesshëm në të gjitha detyrat. Kjo ndeshje, sipas Josës, kalohet vetëm me qetësi. Ja çfarë ka deklaruar trajneri i Skënderbeut në konferencën për shtyp.
Si e shikoni ndeshjen e kthimit me Neftçin?
Pak a shumë e njohim si skuadër Neftçin, që është e rrezikshme. Rezultati 0-0 nuk na bën ne favoritë, por na jep shumë optimizëm për të zhvilluar lojën tonë. Fundja, kur luan me një skuadër e cila është e pasur nga ana financiare, je më i lirë të luash dhe të shprehësh aftësitë e tua.
Do të ketë ndryshime nisur nga ndeshja e parë?
Normalisht që duhet të ndryshojmë diçka, për ta bërë ekipin më sulmues, por përsëri skuadra duhet të jetë shumë e vëmendshme, por jo që të mbrohet afër portës.
Shkëmbi është vendosur më i tërhequr, në krah të tij do të jetë Lilaj dhe Orelesi. Pse kështu?
Kjo tregon se ne nuk mendojmë vetëm për t'u mbrojtur, por edhe që skuadra të sulmojë. Me aftësitë që ka Shkëmbi, është mirë që të zhvillojmë lojë nga mbrapa dhe të jemi të vëmendshëm në mbylljen e aksioneve të kundërshtarit.
I trembeni skuadrës së Neftçit?
Jo, pasi Skënderbeu nuk ka çfarë të humbë. Përkundrazi, ne kemi një farë hezitimi dhe do të jemi shumë të kujdesshëm në veprimet mbrojtëse, por jo që të mbrohemi shumë mbrapa, në mënyrë që t'i japim shumë hapësirë skuadrës së Neftçit. Ne duhet të jemi shumë rigorozë në mesin e fushës dhe duhet të fillojmë shumë shpejt aksionet tona sulmuese.
Çfarë u sugjeroni lojtarëve?
Qetësi. Rezultati 0-0 i ndeshjes së parë nuk lë shumë vend për interpretime, duhet patjetër fitorja të kalosh turin. Një gol i kundërshtarit ta vështirëson shumë, sepse edhe ata luajnë futboll. Do të jetë shumë i vështirë për t'u rikthyer nëse shënojnë. Megjithatë, unë u kërkoj vetëm qetësi. Me ndihmën edhe të tifozëve, me ndonjë taktikë tonën, që nuk mundem ta tregoj këtu, shpresoj të realizojmë qëllimin tonë. Sinqerisht, edhe nëse do të fitonim me një lojë jo shumë të bukur, apo edhe të shëmtuar, nuk do të më bëhej vonë, sepse dua që të kualifikohemi. Kemi përgjegjësi për këtë, pasi Skënderbeu për herë të parë do të kalonte turin e parë. Shpresoj që edhe me pak fat, të realizojmë synimin tonë, që mbetet vetëm fitorja.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›