E Shtunë, 31 Tetor 2026

Joshua Marston, në ditën e parë të xhirimeve

Ballafaqimi i jetës tradicionale me atë moderne. Në mes gjakmarrja. Këto probleme shqiptare e kanë ngacmuar regjisorin indipendent amerikan Joshua Marston, për të bërë një film me temë shqiptare. Marston ka nisur dje xhirimet në qytetin e Shkodrës. Skenari është shkruar nga Joshua Marston dhe Andamion Murataj, por ende nuk është kurorëzuar me një titull.

Murataj, një regjisor i ri shqiptar, është edhe në rolin e producentit në këtë projekt, si drejtues i shtëpisë filmike "Lissus Media". Për të derdhur buxhet për këtë film është afruar edhe producenti amerikan Paul Mezey i "Journeyman Pictures", producent në filmat "Maria Full Of Grace" me regji të Joshua Marston-it dhe "Half Nelson" i Ryan Fleck-ut, si dhe kompanitë e distribuimit "Fandango-Portobello" (Angli-Itali), me përfaqësues producentin italian Domenico Procaçi.

"Regjisori Joshua Marston e konsideron realizimin e një filmi të tillë një ndërthurje mes gazetarisë dhe antropologjisë, një mundësi për të eksploruar kultura të ndryshme nga ajo e vendit të tij", tregon rreth filmit Murataj, dhe për ta dëshmuar zë në gojë shembullin e filmit të fundit Marstonit "Maria Full of Grace". Filmi flet për historinë e një vajze nga Kolumbia që siguron jetesën duke transportuar kapsula plastike me heroinë në stomakun e saj. Skenaristi zbulon edhe që filmi që sapo ka nisur dje xhirimet në qytetin verior të Shqipërisë, "është një rrëfim mbi përplasjen e brezave, përballjen e botës moderne me traditat." Në qendër të historisë është një djalë më të motrën që jetojnë me frikën e marrjes së gjakut.

Për zgjedhjen e aktorëve Murataj tregon se është dashur një punë 4 mujore kërkimi, intervista në 35 shkolla të Shqipërisë ku janë bërë audicione me mbi 3300 nxënës, në mënyrë që "skenari të jetë sa më i vërtetë, i mbushur me detaje të marra nga jeta". "Besoj se tashmë kemi gjetur disa të rinj shqiptarë të talentuar dhe fort karizmatikë, që nuk kanë dalë kurrë më parë në ekran".

Në kategorinë e aktorëve profesionistë që vijnë nga Kosova, bëjnë pjesë: Refet Abazi (babai, Mark), Ilire Vinca Çelaj (nënë Drita), Çun Lajçi (gjyshi Dedë). Tek amatorët bëjnë pjesë fëmijë dhe të rinj poshtë moshës 17 vjeç: Tristan Halilaj, Sindi Lacej, Zana Hasa, Esmeralda Gjonlulaj, Elsajed Tallillli.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›