E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti i Ferizit nuk është i Enverit

Në librin e tij “Më shumë heroizma se grurë”, i cili trajton problemet politike dhe socio-kulturore të shqiptarëve, albanologu suedez, Ulmar Kvik, ndër të tjera pranon se edhe vetë ishte njëfarë enveristi, por duke analizuar kohën e diktaturës, kërkon nga të gjithë ata që ishin të tillë, të kërkonin falje për atë që kanë qenë. Ai personalisht këtë e bën dhe nëpërmjet kësaj, si mik i madh i shqiptarëve, ua hapë udhën që edhe të tjerët ta bëjnë. Në një mënyrë edhe vetë lideri komunist i kohës postenveriste, Ramiz Alia, kërkoi falje këto ditë për ato që kanë ndodhur gjatë kohës së diktaturës.

Megjithatë një gjë të tillë nuk pritet që ta bëj edhe Hysni Milloshi, kryetari i parisë së re komuniste në Shqipëri!

E gjithë kjo parantezë ka të bëjë me grupin minor të enveristëve në Ferizaj. Është e vërtetë që në kohën e pasluftës, përkatësisht decenien e fundit, përvjetorët për diktatorin Enver Hoxha janë bërë tradicional në qytetin e Ferizajt. Shih për këtë qyteti më i ri në Kosovë dhe i treti për nga numri i banorëve, nëpër të gjitha hapësirat shqiptare ka marrë epitetin si qyteti i Enverit. Se është kështu këtë e përjetova edhe personalisht një ditë të bukur vere në parkun e Pogradecit, tek u ndala të shihja disa pleq si loznin shah përskaj liqenit të Lasgushit. Posa mësuan se jam nga Ferizaj, u ngritën në këmbë të më nderonin si përfaqësues të qytetit të Enverit.

Në bisedë e sipër u thashë se aty isha për disa ditë për ta përfaqësuar Teatrin e Qytetit dhe jo grupin e vogël të enveristëve ferizajas. Si enveristë që ishin, pleqtë e Pogradecit, qytetit të identifikueshëm si më të afërmin e diktatorit, nuk pranonin asnjë argument se shumica e ferizajasve ndiheshin të fyer me këtë grup. U tregoja se sa të mëdha ishin reagimet nga shoqëria civile, nga mediet dhe nga qytetarët, por më kot. Ata besonin në manifestimet tradicionale që vazhdonin dhe vazhdojnë të mbahen për diktatorin dhe mbase e kishin marrë si të kryer faktin se një shesh në Ferizaj mban emrin e diktatorit, ku kishte ide të ngrihej edhe një bust për të!

Ata, të kënaqur që kosovarët që po ruanin shëmbëlltyrën e liderit të tyre komunist, sillnin shumë dëshmi për këtë. Më tregonin për vizitat e shpeshta të kosovarëve në Drilon, ku ndodhej parajsa e diktatorit. Dhe kjo ishte e vërtetë. Vikendeve Driloni vazhdon të vizitohet shumë nga kosovarët, sikundër që ishte e vërtetë se numër i madh i tyre ishin enveristë. Këtë ma konfirmoi pronari që kishte privatizuar vilën e diktatorit dhe i cili ishte një antikomunist i tërbuar, por që nuk e ndjente të udhës të grindej me nostalgjikët kosovarë.

Se marrëzira të shumta kanë karakterizuar këto manifestime për diktatorin në Ferizaj, kam shkruar duke raportuar për gazetën ku punoj, përkatësisht për këtë gazetë. Kam shkruar kur manifestimi tradicional për diktatorin ka qëlluar në ditë të muajit të madh të Ramazanit dhe kur është ndaluar edhe ndezja e cigares, ndërsa është kërkuar të pritet shtruarja e iftarit për enveristët! Gjëja e dytë që karakterizon këto marrëzira është fakti se nëpër këto manifestime si enveristë të deklaruar ka shumë nga ata që në kohën e diktatorit jo vetëm që nuk kanë qenë të tillë, por kanë qenë edhe kundër tij.

Në fakt këto manifestime më shumë shërbejnë për shërimin e kompleksit të vlerës së ultë të individëve dhe grupeve dhe për ata që kanë nevojë të bëjnë një shpëlarje të asaj çfarë kanë qenë. Se këto manifestime janë dëshmuar si të tilla tregon më së mirë edhe fakti se gjithnjë e më pak po ngjallin kureshtjen ndër qytetarët, duke u identifikuar si fosile ideologjike të një kohe të dënueshme edhe me konventat që kanë aprovuar ish shtetet e bllokut komunist.

Nuk ka marrëzi më të madhe se në të njëjtën javë të organizosh manifestime në përkujtim të diktatorit në Ferizaj, kur në Tiranë, në vendin ku ishte i ngritur busti i diktatorit, kërkohet që të ngrihet një memorial në kujtim të atyre që janë persekutuar gjatë kësaj kohe. Se marrëzitë janë pjesë e pandashme e jetës sonë, kjo është e kuptueshme, ndaj në kuadër të kësaj edhe duhet parë manifestimet në Ferizaj, por në asnjë variant nuk mund të thuhet se Ferizaj mund të identifikohet me diktatorin. Ferizaj është qytet i themeluar nga Feriz Shasivari, emrin e të cilit edhe e mbanë, madje pa ditur shumë për themeluesin e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›