Beqiri, operacion i suksesshëm në hundë
Elvin Beqiri ka kaluar me sukses një operacion në hundë. Lajmi është konfirmuar nga vetë mbrojtësi shkodran i kombëtares, i cili ka theksuar se tashmë ndihet shumë mirë dhe shpreson se brenda pak kohëve do t‘i rikthehet stërvitjes. Beqiri u dëmtua në takimin miqësor të të mërkurës, të fituar me rezultatin e thellë 6-1 ndaj Qipros. Shkodrani e nisi ndeshjen nga stoli. Në minutën e 71-të të ndeshjes, trajneri Josip Kuzhe vendosi ta aktivizonte Beqirin në vend të Lorik Canës. Pas vetëm pak minutash lojë, ish-mbrojtësi i Vllaznisë, i cili aktualisht është pa ekip, pësoi një dëmtim në kockën e hundës për shkak të një bërryli të marrë gjatë një dyluftimi me një futbollist qipriot. U detyrua të linte fushën për pak minuta për të marrë mjekimin e parë dhe më pas u rikthye sërish në lojë. Në përfundim të ndeshjes, u vu re që gjendja e dëmtimit të tij ishte agravuar, ndaj iu desh t‘i nënshtrohej menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin e kryeqytetit në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës.