Josip Kuzhe, një kafe me Mavraj
Mërgim Mavraj ka luajtur 90 minuta në ndeshjen që Bokum fitoi 3-2 në fushën e Hanoverit. Fakti interesant është se takimi i ka shërbyer mbrojtësit kosovar me pasaportë gjermane si një mundësi e mirë për t‘u bërë pjesë e kombëtares shqiptare. Kjo për faktin se i pranishëm në "AWD-Arena" ishte drejtuesi i stolit kuqezi, Josip Kuzhe. Trajneri kroat ka udhëtuar drejt Gjermanisë me synimin e vetëm të bindë 23-vjeçarin të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Gjetja e një mbrojtësi qendre për eliminatoret e Euro 2012 është "misioni" kryesor i Kuzhe, pasi reparti difensiv është më problematiku dhe tashmë është bërë zakon që aty të sakrifikohet Lorik Cana. Në përfundim të sfidës, Kuzhe dhe Mavraj janë ulur për të pirë një kafe dhe për të diskutuar mundësitë që lojtari i Bokumit të bëhet pjesë e kontingjentit. Sipas burimeve pranë trajnerit, mbrojtësi ka shprehur dëshirën të luajë me Shqipërinë. "Jam i gatshëm të luaj me Kombëtaren e vendit tim, pavarësisht se në të kaluarën është përfolur se unë nuk doja", mësohet t‘i ketë thënë Mavraj trajnerit. Tashmë mbetet vetëm për të parë nëse 23-vjeçari do t‘i bashkohet realisht skuadrës, ku sipas të gjitha gjasave do alternohet në qendër të repartit difensiv me Currin dhe Canën (në varësi të skemave të lojës dhe të kundërshtarëve). Një deklaratë të tillë ai e kishte bërë edhe mbi një vit më parë, kur në krye të stolit ishte holandezi Ari Han, në barazimin historik 0-0 që përfaqësuesja jonë arriti më 15 tetor 2008 në Braga me Portugalinë. Por, ai asnjëherë nuk e veshi fanellën kuqezi, pasi në të vërtetë priste një telefonatë nga Gjermania.
e. kodheli