Ujkani: ëndërroj numrin 1 te Palermo
Samir Ujkani ka shkëlqyer në këtë pjesë të parë të sezonit me Novarën në Ligën Pro (kategoria e tretë italiane). Portieri shqiptar ka pësuar më pak gola se të gjithë kolegët e tij dhe kjo ka bërë që e përditshmja më e madhe sportive përtej Adriatikut, "Gazzetta dello Sport" t‘i rezervonte një speciale. Ndër të tjera, 21-vjeçari nuk e ka fshehur dëshirën që një ditë të kthehet te Palermo (skuadra që ka në pronësi kartonin e tij) dhe të jetë titullari i sicilianëve. "Në këto momente nuk është se mendoj shumë për Palermon, pasi dëshiroj të bëj paraqitje sa më të mira me Novarën dhe të ndihmoj skuadrën të ngjitet në Serinë B", tha Ujkani. "Megjithatë, ëndërroj që një ditë të kthehem atje dhe të jem portieri titullar. Sirigu ia doli, përse mos ta bëj edhe unë. Portieri i preferuar? Zhulio Sezar i Interit, shpresoj ta imitoj".
e. k.