E Diel, 1 Nëntor 2026

Josip Kuzhe, pranë Tianjin Teda në Kinë, zëvendëson Ari Hanin

Ish-trajneri i kombëtares kuqezi të futbollit, Josip Kuzhe, është fare pranë firmës me skuadrën kineze të Tianjin Teda. Mediat nga Lindja e Largët e bëjnë thuajse të kryer transferimin e kroatit në stolin e skuadrës që nuk e ka fituar kurrë titullin kampion në Kinë. Kampionati kinez e ka muajin dhjetor shumë të rëndësishëm, pasi të gjitha klubet kërkojnë lojtarë dhe nisin përgatitjet për sezonin e ri. Skuadra e Tianjinit është krijuar në vitin 1957 dhe në historinë e saj ka vetëm një kupë të fituar. Por ajo që është interesante ka të bëjë me faktin se Kuzhe në detyrën e re do të pasojë një tjetër ish-trajner të kombëtares së Shqipërisë, holandezin Ari Han. Natyrisht, që mes të dyve, kroati ka qenë më i suksesshëm. Han është larguar pasi është shprehur në mënyrë publike pakënaqësinë e tij me klubin duke thënë se nuk ka ndërmend që të firmosë një kontratë të re. Vitin e shkuar, Tianjin Teda u rendit në vendin e dytë në kampionat, por këtë sezon nuk shkoi më shumë sesa vendi i dhjetë. Që nga data 7 dhjetor, skuadra është zyrtarisht pa trajner dhe Kuzhe duket se do të ndjekë gjurmët e patriotëve të tij si Çiro Blazeviç që ka drejtuar më parë skuadrën e Shangai Shenhua dhe skuadrën Olimpike të Kinës, Branko Ivankoviç, që ka drejtuar skuadrën e Shandong Luneng dhe Drazen Beshek te Shangai Shenhua.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›