E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josip Kuzhe "spiunon" Portugalinë te Bosnja

Bosnja është një nga surprizat më të mëdha të këtij edicioni të eliminatoreve të Botërorit 2010 në zonën e Europës. Kombëtarja ballkanike, e cila ka një histori shumë të shkurtër (u formua pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë), tashmë ka fituar të drejtën për të luajtur në një nga ndeshjet "play off". Por goglat e shortit e përballën me një kundërshtar të ashpër siç është Portugalia e Kristiano Rolandos, ish-kundërshtari i Shqipërisë. Sfidë e dyfishtë do të luhet më 14 dhe 17 nëntor. Por media boshnjake ka menduar të kërkojë ndihmën e trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, kroatit Josip Kuzhe. Lajmin e bëri të ditur dje "Albania-sport.com", sipas së cilës, kjo është një nismë e redaksisë së gazetës boshnjake "Dnevni List" për të marrë opinionin që ka Kuzhe në lidhje me Portugalinë, ndaj së cilës në krye të Kombëtares sonë humbi 1-2 në "Qemal Stafa" me një gol të minutës së fundit shtesë. Bosnja, e renditur e dyta në Grupin 5 (Spanja, e para me 10 fitore në 10 ndeshje), është përpara një evenimenti me rëndësi historike për vendin trikombësh ballkanik. Nëse do të kualifikohej në finalet e Kampionatit Botëror 2010, kjo do të ishte hera e parë për atdheun e Edin Xhekos me shokë, të drejtuar nga një ndër trajnerët më të mëdhenj të Kroacisë, Miroslav Blazheviç.

A. M

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›