E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja nuk e beson, Marca: Real Madrid bën harakiri

Me një kovë uji të akullt, Milani zgjoi Realin e Madridit nga ëndrrat e parakohshme për lavdi. Mosbesim, depresion, konfuzion dhe zemërim ishin elementët që karakterizonin mëngjesin madrilen një ditë pas humbjes 2-3 ndaj Milanit, humbja e dytë në 10 ndeshjet e para sezonale, e dyta humbje në 3 ndeshjet e luajtura pa Kristiano Ronaldon. Shtypi vendas ofron disa anë të kësaj sfide. "As" lavdëron Raulin, "Marca" kapet me Pelegrinin, të përditshmet politike ironizojnë me kualitetin skarc të Milanit, në Barcelonë gëzohen për paraqitjen e rivalëve historikë.

"Raul bërtet më shumë", shkruan "As" në faqen e parë. Në foto kapiteni madrilen, i vetmi lojtar që nuk dorëzohet, jep gjithçka në fushën e lojës ku ishte autor i një goli e një asisti, u thërret shokëve të skuadrës Benzema e Kaka, që qëndrojnë kokulur. "Reali ka luajtur kaq keq, sa ka gabuar edhe Kasiljas", është komenti i parë i "As". Qëndrimi i drejtorit të gazetës është i qartë: "Nuk ka asgjë tjetër veç shpirtit të Raulit", koncept i përdorur edhe nga një editorial tjetër: "Raul, ti dhe askush tjetër".

"Nuk luajtëm keq", citati i Pelegrinit, është titulli i zgjedhur për të hapur "Marca"-n. Komenti nuk lë dyshime: "Çfarë ndeshjeje ka parë Pelegrini?". Dhe më pas: "Reali ka dhuruar një ndeshje, e cila nisi shumë mirë kundër Milanit, që kishte 14 lojtarë mbi 30 vjeç. Pato, të cilin Ramon Kalderon nuk deshi ta blinte, kur ia ofruan për 2 milionë euro, është shenjtëruar me dy ‘golazos‘. Portieri më i mirë i botës (Kasiljas) nuk ishte në natën e tij. Drenthe, i mrekullueshëm. Alarm i bardhë: humbje në ndeshjen e dytë të rëndësishme". Në brendësi nis me një "Reali bën harakiri", reflekton mbi mungesën e Kristiano dhe triumfin e hijes Ronaldinjo ("Nuk tremb më askënd, por del triumfues") e thekson ankesat e Kakasë për penalltinë e pa dhënë dhe trajektoret e topit të ri.

Që të mërkurën në mbrëmje, faqet e "Marca" dhe "As" kishin një lajm kryesor identik, që i dedikohej efektit bamirës të Realit ndaj italianëve: "Reali rinon Milanin", ishte titulli i përdorur edhe nga "El Pais". "Bingo për skuadrën italiane, së cilës i mungon një 11-metërsh, por avancon me urtësi". Më pas analiza merr të njëjtin drejtim me atë të "Marca"-s: "Po përmirësohemi" është titulli i dedikuar për fjalët e Pelegrinit, që ka brenda njëlloj ironie. "El Mundo" zgjedh "të humbur nga dekandeca". "Reali bie përballë një Milani veteranësh, përjashto deçizivin Pato. Gabime të Kasiljas, Kaka i plogësht".

Lëmë për në fund lumturinë e trishtueshme, të shprehur nga gazetat e Barcelonës. "Humbje e bardhë", godet "El Mundo Deportivo" mbi një foto të Ronaldinjo, që feston me Paton në ekstazë: "Rrokerët e vjetër të Milanit tallin galaksinë e bardhë. Reali ofron një imazh patetik dhe paguan haraçin". Lajmet e brendshme janë po aq të ashpra. "Real patetik" dhe "Ky Real është i pistë", duke marrë shtytje nga komenti i Mishel Platinisë. "Edhe Reali e pëson", thotë "Sport", i cili shton: "Milani më i keq vë në dukje mangësitë skuadrës ‘blancos‘". E përditshmja katalanase e mbyll me një kujtim të bukur: "Ronaldinjo feston sërish në ‘Bernabeu‘". "Braziliani sigurisht nuk është ai i Barcelonës së 4 viteve më parë, por ka marrë një tjetër fitore heroike në ‘Bernabeu‘".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›