E Diel, 1 Nëntor 2026

Fqinjësi diplomatike

Më në fund, Republika e Malit të Zi dhe Republika e Kosovës kanë vendosur të premten marrëdhënie diplomatike që ka nxitur reagime të ashpra në Beograd.
Lidhja e marrëdhënieve diplomatike mes Prishtinës dhe Podgoricës është përmbyllur përmes një letre që ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Milan Rocen i ka dërguar ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni.

Letra është përgjigje pozitive e kërkesës së bërë kohë më parë nga ministri Hyseni për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet fqinj. Në letrën e ministrit Rocen, mes të tjerash thuhet se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë të ardhme të mirë dhe po ashtu, në të njëjtën letër, vlerësohet mirëkuptimi i autoriteteve të Kosovës për nevojat e anëtarëve të komunitetit malazez në Kosovë.

“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi shënon një moment të ri në marrëdhëniet edhe ashtu shumë të mira mes dy vendeve tona dhe një kontribut edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ministri Hyseni.

Sipas ministrit Rocen, shkëmbimi i ambasadorëve do të bëhet më vonë, pas zgjidhjes së statusit të pakicës malaziase në Kosovë.

“Pres që statusi i tyre do të zgjidhet mbi baza të përhershme, në kuadër të sistemit juridik të Kosovës, krahas përgatitjeve për shkëmbimin e personelit diplomatik”, ka thënë ai.
Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanovic, ka deklaruar se nuk do t’i nënshkruajë aktet për shkëmbimin e ambasadorëve me Kosovën, derisa bashkësisë malazeze në Kosovë t’i njihet statusi i pakicës dhe të përfaqësohet në pushtetin në Kosovë.

Ndërsa, ministri Hyseni thotë se asnjëherë nuk ka pasur kushtëzime nga ana e Malit të Zi. “Republika e Kosovës do të përkujdeset që të gjithë qytetarët e saj, duke përfshirë këtu edhe qytetarët me përkatësi etnike malazeze, të ndjehen si në shtetin e tyre, si në shtëpinë e tyre”, ka theksuar ai.

Megjithëse e kishte njohur shtetin e ri në nëntor të vitit të kaluar, Malit të Zi i janë dashur 13 muaj kohë për të marrë vendimin e zyrtarizimit të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.

Qeveria në Podgoricë ka qenë nën presion të madh nga Beogradi, i cili ka kërkuar që Mali i Zi të mos e ndërmarrë këtë hap së paku deri pas përfundimit të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Muajve të fundit, presioni serb ka shkaktuar ndasi mes krerëve më të lartë malazias se a duhet pritur GJND’në për vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën apo duhet vepruar sa më shpejt.
Presidenti dhe zëvendëskryeministri malazias kanë mbrojtur opsionin e parë, ndërkaq kryeministri Milo Djukanovic si dhe ministri i Jashtëm, Milan Rocen, kanë qenë për mbyllje të shpejtë të kësaj çështjeje, pavarësisht qëndrimit serb.

Të martën e kaluar, sipas të përditshmes “Vijesti”, këta zyrtarë janë takuar dhe është arritur pajtimi për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së Prishtinës për vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Reagimi i Beogradit ka qenë i menjëhershëm, njëjtë si në nëntor të vitit 2008, kur Mali i Zi njohu Kosovën. Asokohe Serbia përzuri ambasadorin e Malit të Zi në Beograd, ndërkaq ambasadori i ri është pranuar para tre muajsh.

Në shenjë proteste, Qeveria e Serbisë i ka dërguar dje një demarsh Malit të Zi, si dhe ka tërhequr urgjentisht ambasadorin serb nga Podgorica.

“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Kosovës dëmton stabilitetin rajonal dhe vështirëson vendosjen e marrëdhënieve të mira mes fqinjëve, që është prioritet i Qeverisë së Serbisë”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme të Serbisë.

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic, konsideron se Podgorica ka bërë një hap të gabuar që nuk e ka përkrahjen e tërë popullatës në Mal të Zi dhe sigurisht nxitë emocione negative te krejt popullata e Serbisë”.

“Mendoj se është momenti për reflektim serioz rreth asaj se cili mund të jetë hapi i ardhshëm, por në këtë moment nuk jam i gatshëm të jap ndonjë ide”, ka thënë Ivanovic, për Radio B92.

Dusan Janjic nga Forumi për marrëdhënie etnike vlerëson se Beogradi zyrtar është obliguar tepër shumë para opinionit të vet në Serbi që të reagojë ashpër ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike para opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Kur reagoni ashpër herën e parë, d.m.th. kur ndodhin njohje të pavarësisë, edhe herën e dytë, kur vendosen marrëdhëniet diplomatike, je i obliguar për së paku të njëjtin nivel të reagimit”, ka thënë ai.

Deri në mesin e vitit 2006, kur pas një referendumi shpalli pavarësinë, Mali i Zi ishte një nga dy njësitë që përbënin Unionin shtetëror Serbia dhe Mali i Zi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›