Josipovic vlerëson ndërhyrjen e Eshtonit

Presidenti kroat, Ivo Josipoviq, e ka përshëndetur "angazhimin e fuqishëm" të përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme, Ketrin Eshton, duke arritur zgjidhjen e problemit rreth krizës që shkaktonte referendumi i paralajmëruar në Bosnjë Hercegovinë.
"Republika e Kroacisë e mbështet të ardhmen evropiane të të gjithë fqinjëve të saj, veçanërisht Bosnjës dhe Hercegovinës.
Roli aktiv i Bashkimit Evropian është i nevojshëm për të arritur ambicien tonë të përbashkët për Evropën Juglindore për ta shndërruar në një hapësirë të paqes, bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik," tha presidenti kroat.
Eshton vizitoi të premten Bosnje Hercegovinën ku ishte takuar edhe me udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, prej të cilit kishte marrë garanci se referendumi i planifikuar për punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së shtetit, nuk do të organizohet.