E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jovanoviç: Tërhiquni nga barrikadat

Kryetari i Partisë Liberal-Demokratike, Çedomir Jovanoviç ka kërkuar nga të gjitha institucionet shtetërore serbe që ti bëjnë thirrje serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat.

Ai i bëri thirrje të gjitha partive politike dhe "institucioneve të tjera relevante në Serbi", që të apelojnë për tërheqje.

Jovanoviç tha se thirrja s'duhet të ketë "justifikime, vonesa dhe zhvendosje të përgjegjësisë", në mënyrë që të shmanget ndërhyrja e paralajmëruar e KFOR-it.

"Këta njerëz për disa vjet me radhë, dhe në mënyrë më brutale në muajin e kaluar, janë pengje të politikës hipokrite dhe abuzimit. Nëse dështon të fitojë racionaliteti, serbët e Kosovës do të jenë viktima e fundit e kësaj politike”, tha Çedomir Jovanoviç për B92.

Ai tha se sot është “dita e vendimit për jetën e serbëve në Kosovë" dhe ditë kur do të kuptohet nëse Serbia do të zgjedhë një mënyrë “të arsyeshme të zgjidhjes së problemeve".

"Nuk ka më fshehje pas sloganeve patriotike - Serbia nuk ka të drejtë t’ia lë fatit serbët e Kosovës. Për këtë arsye duhet që njerëzit të largohen nga barrikadat e rrezikshme dhe të ndihmojnë në kthimin e rendit dhe ligjit në veri, sepse në një kaos të ri serbët thjesht do të zhdukeshin”, theksoi ai, duke shtuar se duhet të shmanget në çdo mënyrë ndërhyrja e KFOR-it.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›