Lufta mes religjionit dhe demokracisë

Thellë në zemër të Mea Sharimit, bastionit të hebrenjve ultra-ortodoksë ithtarë të vijës së fortë në Jerusalem, me qindra meshkuj me mjekra të gjata dhe të veshur me kostume të zeza kanë kokat e tyre të përkulura mbi libra, të zhytur në studime biblike, duke mos i kushtuar aspak vëmendje hapësirës që i rrethon.
Ata janë elita e komunitetit të mbyllur, elitës së privilegjuar, pjesëtarët e së cilës as nuk punojnë për të fituar kafshatën e gojës, e as nuk janë të detyruar të shërbejnë në ushtri sikur izraelitët tjerë. Si studentë të shkollës prestigjioze, Mir Yeshiva, lutjet dhe studimi i librave janë puna e tyre e vetme.
Këta meshkuj të ri dhe stili i tyre i mbuluar i jetës janë në qendër të betejës, e cila po e përçan Izraelin, në kuadër të përleshjes mes traditës dhe modernes, religjionit dhe demokracisë. Lufta po përqendrohet rreth asaj se a duhet të shërbejnë edhe hebrenjtë ultra-ortodoks në ushtri, sikurse edhe izraelitët tjerë, por në të vërtetë, beteja po zhvillohet për një çështje shumë më të thellë: cili është vendi i hebraizmit në shtetin hebraik?
Çështja ka dalë në sipërfaqe, pasi që qeveria po garon me kohën, për të përmbushur vendimin e Gjykatës Supreme për të ndryshuar ligjin bazik të vendit. Në formën aktuale, meshkujt sekular po sa të mbushin 18 vjet e kanë të obliguar shërbimin trevjeçar në ushtri, ndërsa studentët e ri në Mir Yeshiva, janë të kursyer nga ky detyrim dhe atyre ju lejohet që të vazhdojnë studimet në enklavat e tyre të izoluara, e në të njëjtën kohë ata marrin edhe subvencione nga qeveria.
Për mbështetësit e tyre, studentët po ruajnë traditat, të cilat kanë shërbyer për mijëra vjet si themel i hebraizmit.
“Hebrenjtë duhet të studiojnë Biblën. Kjo i bën ata unik si popull. Është ky thelbi i jetës tonë”, thotë Yerach Tucker, një zëdhënës 30 vjeçar i komunitetit ultra-ortodoks, i cili shoqëron me krenari vizitorët nëpër Mir Yeshiva. Por pjesa më e madhe e izraelitëve, të cilët rrezikojnë jetët e tyre dhe ndërpresin karrierën, gjatë shërbimit në ushtri, e shohin këtë sistem si thelb të çdo gjëje të gabuar në shtetin e tyre.
Kjo pakënaqësi ka nxitur një debat më të zëshëm dhe një “luftë kulturore”. Gjatë muajve të kaluar, aktivistët janë rebeluar ndaj asaj që e konsiderojnë si një fushatë m gjithnjë e më të fuqishme religjioze, të imponuar nga ultra-ortodoksët, siç janë ndarja e detyruar e gjinive nëpër autobusë dhe vende publike.
Duke u përfshirë në debat, Gjykata Supreme më herët gjatë vitit mori vendimin se përjashtimet që bën ligji për ultra-ortodoksët janë ilegale dhe kërkoi nga qeveria që deri më 1 gusht të hartojë një sistem të ri dhe më korrekt. Por ky synim po dëshmohet si shumë më i vështirë se sa që është pritur.
Përçarjet e thella mes partive sekulare dhe religjioze brenda koalicionit të kryeministrit Benjamin Netanyahu rezultuan me kolapsin e Komitetit Special, të formuar për të hartuar ligjin e ri.
Partneri më i madh i koalicionit i Netanyahut, Partia Kadima, tani po kërcënohet se do të largohet nga qeveria, vetëm dy muaj pasi që ju bashkua koalicionit, me synimin për të reformuar ligjin. Netanyahu është zotuar se do të gjejë një kompromis.
Një shikim në botën e ultra-ortodoksëve dëshmon për atë se sa e vështirë është bërë kjo çështje. Përjashtimet e bëra për ultra-ortodoksët datojnë që nga pavarësimi i Izraelit në vitin 1948, kur themeluesi i shtetit, David Ben Gurion, shkarkoi nga obligimet 400 studentë, me qëllim që ata të rindërtojnë shkollat e besimit hebraik, të shkatërruara gjatë Holokaustit.
Kjo ndikoi që shumë meshkuj ultra-ortodoksë gjatë viteve në vijim t’i shmangën punës, duke u mbështetur në ndihmat e shtetit, për të studiuar tekstet e shenjta. Ultra-ortodoksët përbëjnë rreth 10 për qind të 8 milionë banorëve të Izraelit.
Por përpjekjet për të ndryshuar mënyrën e jetës së ultra-ortodoksëve nuk do të jenë aspak të lehta. Udhëheqësit e tyre flasin me krenari traditën shekullore të lutjeve dhe mësimeve, për të cilat besojnë se i kanë mundësuar hebrenjve që të mbijetojnë tragjeditë, siç ishin shkatërrimet e mëdha gjatë inkuizicionit spanjoll, dëbimeve nga Evropa dhe Holokaustin. Ata thonë se studimet në Yeshiva janë po aq të rëndësishme, sa edhe fuqia ushtarake për të mbrojtur vendin nga kërcënimet moderne në rajon.
“Duhet të kuptoni se ne jemi pjesë e ushtrisë së Izraelit. Disa njerëz shërbejnë ne tanke. Ne shërbejmë në Yeshiva”, thotë studenti 30 vjeçar, Aharon Grossman. Udhëheqësit ultra-ortodoksë insistojnë se pjesëtarët e komunitetit të tyre nuk do të mund të detyrohen kurrë që të shërbejnë në ushtri.
Einat Wilf, një ligjvënëse nga radhët e Partisë sekulare të Pavarësisë, thotë se ultra-ortodoksët nuk kanë të drejtë të ankohen, duke shtuar se izraelitët janë ngopur nga sistemi, në kuadër të së cilit ultra-ortodoksët marrin çdo gjë dhe nuk ofrojnë asgjë në shkëmbim.
“Sa më përket mua, nuk besoj se lutjet e tyre po mbrojnë ushtarët dhe ata nuk mund të më imponojnë besimet e tyre. Nëse dëshirojnë të luten, në rregull, por jo mbi kurrizin tim”, tha Wilf. Shumë sekte ultra-ortodokse madje nuk janë as sioniste dhe refuzojnë të njohin Izraelin si shtetit të hebrenjve, përderisa të mos kthehet i dërguari i Zotit. Disa sekte ekstreme madje mbështesin palestinezët dhe armikun e përbetuar të Izraelit, Iranin. (AP)