E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jozefina Topalli: Kuvendi, tempull i të vërtetave lakuriqe

Fondamentale është etika familjare. Parlamenti është tempulli i të vërtetave të pafshehura. Unë prej muajsh, ose më saktë janë bërë vite, që shkoj fshat më fshat, e qytet më qytet të Shqipërisë, duke u kërkuar zonjave, motrave, që të thyejnë murin e heshtjes, që të kenë kurajo të thonë të vërtetat, faktet, ashtu siç e tha mbrëmë Kryeministri. Ashtu siç janë, ashtu siç ndodh me dhunën në familjet e tyre. Nuk mund t‘ua kërkojmë vetëm zonjave familjare, grave të thjeshta; përgjegjësia jonë është për t‘i thënë të vërtetat ashtu siç janë. Në fakt, zërin për të thënë këto fakte të rëndësishme, këto fakte të forta, duhet ta kishim ngritur më përpara. Dhe Parlamenti është tempulli i të vërtetave lakuriq. Nuk mund t‘i fshehim. Janë fakte të forta, para të cilave nuk mund të heshtim. Çfarë duhet t‘u them unë atyre grave në fshat, që u kërkoj të thyejnë murin e heshtjes? S‘ka gjë më të rëndë se të keqtrajtosh në mënyrën më të shëmtuar bashkëshortet me radhë. Çfarë do t‘u them unë atyre grave në fshat e qytet? Atyre u them: thyeni murin e heshtjes, ndërsa unë vetë, të hesht?

Parlamenti është vendi i të vërtetave lakuriq. Absolutisht është fondamentale etika familjare, në mënyrë të veçantë për ne shqiptarët, dhe aq më tepër për ne, si forcë e qendrës së djathtë, ne kemi kombin, familjen dhe integrimin. Kjo është thelbësore për ne, është thelbësore. Cila është më etike, të heshtësh dhe të injorosh, apo të thuash të vërtetën ashtu siç është? Fakte të rënda, por të vërteta dhe ju të gjithë i dini, të gjithë i keni parë, janë publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›