Jozefina Topalli viziton Maqedoninë, merr titullin Qytetare Nderi në Çair

Topalli dje në Maqedoni
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vizitoi Maqedoninë me ftesë të homologut të saj, Trajko Veljanovski, ku u shoqërua nga një delegacion me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Në ditën e parë të vizitës, kryetarja e Kuvendit zhvilloi takime me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni. Gjatë takimit me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, kryetarja e Kuvendit shprehu gatishmërinë e plotë të Shqipërisë për të ofruar ndihmën dhe mbështetjen e palëkundur në kuadër të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Gjatë takimeve u vlerësua roli i Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, zbatimi i rëndësishëm i Marrëveshjes së Ohrit, si dhe rritja e mëtejshme e bashkëpunimit midis dy vendeve. Kryetarja e Kuvendit u prit në një takim të veçantë nga komuna e Çairit, ku u nderua me titullin Qytetare e Nderit, për rolin dhe kontributin e saj në mbështetje të çështjes shqiptare. Kryetari i komunës së Çairit tha se është nder dhe privilegj të jepet ky titull si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen që znj. Topalli ka dhënë ndaj shqiptarëve kudo që ndodhen. Duke falënderuar autoritetet e komunës së Çairit, Kryetarja e Kuvendit tha se ky është një ndër momentet e veçanta dhe emocionuese që ka përjetuar gjatë karrierës politike. Është një moment jashtëzakonisht i veçantë, kemi ardhur me deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë me dëshirën e madhe për të forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin me ju, tha Kryetarja e Kuvendit. Zonja Topalli zhvilloi edhe një vizitë në shtëpinë-muze të Nënë Terezës, e më pas Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku ndodhet përmendorja e Skënderbeut. Kryeparlamentarja shqiptare mbajti edhe një fjalim në Kuvendin e Shkupit. Nderin, që më jepni me mundësinë për tiu drejtuar Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, e vlerësoj si shprehje të miqësisë dhe të vullnetit të sinqertë në marrëdhëniet me vendin tim, Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë për të zhvilluar më tej partneritetin tonë të suksesshëm politik dhe ekonomik… në interes të drejtpërdrejtë të popujve të rajonit, theksoi zonja Topalli.