E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton takon Thaçin: Jemi në krah të Kosovës

Klinton e Thaçi në konferencë për shtyp

Kryeministri i Kosovës, vizitë në SHBA, takimi i parë me sekretaren e Shtetit.

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, priti mbrëmë në zyrën e saj Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, i ftuar nga Shtëpia e Bardhë. Takimi zgjati më shumë se 35 minuta dhe pas tij u mbajt një konferencë e përbashkët më mediat. Sekretarja Klinton mirëpriti marrëveshjet e arritura mes Kosovës e Serbisë si një hap i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ajo i konsideroi marrëveshjet e arritura si meritë të liderëve të dy vendeve, Thaçit e Tadiçit. SHBA qëndron krah për krah me popullin e Kosovës, që po hap rrugën për të ardhmen e vendit, siguroi sekretarja Amerikane e Shtetit. Klinton shtoi se ajo është e impresionuar nga progresi i Kosovës, jo vetëm në drejtim të integrimit, por edhe në ekonomi. Ne duam ta ndihmojmë Kosovën që të integrohet plotësisht, sidomos të rinjtë e Kosovës, theksoi ajo. Kryediplomatja amerikane përshëndeti edhe fillimin e studimit të fizibilitetit në Kosovë për MSA-në me Bashkimin Europian, ku theksoi se kjo marrëveshje tregon angazhimin e liderëve në Kosovë. Ndërsa Kryeministri Thaçi, në konferencën e përbashkët për shtyp, falënderoi sekretaren Klinton dhe theksoi se integrimi i Kosovës kërkon prezencën e SHBA-së dhe Bashkimit Europian. Ai pohoi se mes shumë gjërave që mund të kenë ndryshuar dhe do të ndryshojnë në Kosovë, liria dhe sovraniteti nuk do të ndryshojnë kurrë. Vizioni im për Kosovën është një e ardhme me fqinjësi të mirë, kufij të hapur dhe marrëdhënie të mira, tha Thaçi. Kryeministri i Kosovës shtoi se Kosova është frymëzuar nga vlerat e lirisë, që kanë përçuar Shtetet e Bashkuara. Thaçi siguroi se pas marrëveshjeve të arritura me Serbinë, liria dhe integriteti i Kosovës nuk do të ndryshojnë. Kryeministri Thaçi pritet të takojë personalitete të tjera të larta të politikës amerikane, përfshirë edhe numrin një të Shtëpisë së Bardhë, Presidentin Barak Obama. Sot Thaçi pritet të takohet me zëvendëspresidentin amerikan, Xho Bajden, kurse të premten pritet të takojë Presidentin amerikan, Barak Obama. Pas Uashingtonit, Thaçi me delegacionin nga Kosova pritet të vizitojë edhe Nju Jorkun për tu takuar me sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban ki Mun.

Tadiç: Shpall dorëheqjen
Presidenti serb, Boris Tadiç, ashtu siç pritej, ka shpallur dje dorëheqjen nga posti për të fituar më shumë pikë për Partinë e tij Demokratike, gati nëntë muaj para se ti mbaronte mandati. Dorëheqja e tij, e cila do të zyrtarizohet të enjten, duke ia kaluar sot kompetencat si ushtruese e detyrës së Presidentit kryeparlamentares serbe, Sllavica Gjukiç Dejanoviç, u konsiderua një lëvizje për të fituar më shumë pikë në zgjedhjet parlamentare të 6 majit. Tadiç po kërkon një mandat të ri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›