Ju flet “Skampa”
Adonis Flipi ia doli që të mbërrijë në edicionin e dhjetë të festivalit ndërkombëtar të “Skampa”-s. Këmbëngulje dhe reagim si gjithë organizatorët e tjerë të aktiviteteve që bëhen në Shqipëri, herë të shtyrë me qerre, herë të ndihmuar nga fati, dhe herë nga dëshirat e njohjes politike. Gjithsesi në qytetin e Elbasanit fillon sonte edicioni i 10-të i Festivalit ndërkombëtar teatror "Skampa-2008", i drejtuar nga regjisori Adonis Filipi. Në një prononcim Filipi thotë se në 10-vjetorin e tij, ashtu si në edicionet e mëparshme, ky festival shënon "një sfidë artistike dhe menaxheriale të vazhdimësisë së vet". Duke e cilësuar festivalin e këtij viti si një “teatër ndryshe”, në prag të çeljes, ai falënderoi Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe Bashkinë e Elbasanit, për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj veprimtarie.
Sa i takon sloganit të festivalit, Filipi deklaron se është festival i komunikimit skenik dhe teatror dhe se këtë vit ai quhet “teatër ndryshe” pikërisht “për të promovuar format e reja të komunikimit të aktorëve të skenës”. Ai thekson se sivjet është zgjeruar dhe gjeografia e pjesëmarrjes, pasi festivali vizitohet për herë të parë nga një trupë austriake. Krahas shfaqjeve në Teatrin “Skampa”, në Elbasan, në kuadër të këtij festivali do të ketë shfaqje edhe në Tiranë dhe është rënë dakord me Teatrin Kombëtar dhe me Akademinë e Arteve që një pjesë e shfaqjeve të jepen edhe në skenat e Tiranës.
Për këtë veprimtari Bashkia e Elbasanit ka akorduar një fond prej 2 milionë lekësh, ndërsa pritet dhe fondi prej 1.5 milion lekësh nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sipas programit, në çdo ditë të festivalit do të prezantohen dy shfaqje.
Festivali do të çelet sonte në orën 19.00 nga Teatrikal Grup Kotor" e Malit të Zi, me shfaqjen "Medea", të Euripidit, me vështrimin modern të regjisorit Slobodan Milatoviç. Në këtë edicion të dhjetë do të marrin pjesë pesë trupa shqiptare dhe pesë të huaja. Veç trupës së qytetit organizues, Teatrit "Skampa", me shfaqjen "Dasma", me regji të Erand Sojlit, do të marrin pjesë dhe teatri "Dodona" i Prishtinës, me shfaqjen "Kopshti Zoologjik", me regjisor E. Albi, trupa “Bylis” e Fierit, me shfaqjen "Pushtet", me regjisor Adonis Filipi, teatri Migjeni, i Shkodrës, me shfaqjen "Putargat e Thata", të Stefan Çapalikut. Ndër trupat e huaja, pas asaj të Malit të Zi do të ngjiten në skenë dhe Teatri Kombëtar "Shtip Maqedonia" me shfaqjen "Gjithandej" me regji të Dejan Prajkovskit, Teatri ASOU-Graz, Australi, me shfaqjen "Origjinë e panjohur", me regjinë e Klaus Seewald, teatri "Aida Vila Pitest" i Rumanisë, me shfaqjen "Dashuria të dërgon fishekun e fundit", me regji të Luminita Bortas, dhe teatri i Barit (Itali), me shfaqjen "Leksioni i Pianos", me regjisor Karlo Bruni.