E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, minoritarëve: Kthehuni dhe investoni në Shqipëri

Kryeministri vlerëson dynënshtetësinë e minoritetit grek

Sipas tij, minoriteti është udhë komunikimi mes dy vendeve

Kryeministri Sali Berisha i bën thirrje minoritetit grek, që të kthehet dhe të investojë për të ardhmen e tij në Shqipëri. Gjatë një vizite të zhvilluar dje në zonën e Gjirokastrës, në kuadër të “Shqipëria po ndryshon”, Berisha vuri në dukje investimet e qeverisë në këtë zone, teksa ftoi minoritarët që të kthehen në Dropull. Kryeministri u kujtoi dynënshtetësinë e tyre, me mirëkuptimin se ajo është më përfituese por në gjykimin e kreut të qeverisë shqiptare, ata duhet të ndërtojnë projekte të reja në vendin ku kanë lindur. “Me të vërtetë unë kam qenë dakord për dyshtetësinë, dhe e kam parë atë si një përfitim, por dëshira ime është që djemtë dhe vajzat tuaja të vijnë në Dropull të punojnë dhe të ndërtojnë, ndaj ne do të investojmë, do të vëmë rrjetin elektrik për të përballuar të gjithë biznesin”, - tha z. Berisha. Ai vlerësoi minoritetin grek për rolin pozitiv që ka luajtur për marrëdhënie të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Minoriteti grek dhe Gjirokastra e kam theksuar dhe e theksoj është universiteti i mirëkuptimit, tolerancës, harmonisë ndërfetare dhe ndëretnike. Ju keni luajtur dhe lozni një rol shumë të rëndësishëm pozitiv në marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore që ekzistojnë sot midis Shqipërisë dhe Greqisë midis shqiptarëve dhe grekëve”, - tha z. Berisha. “Kjo është një meritë e madhe e gjithë banorëve të minoritetit. Më pas, Kryeministri foli për projektet e qeverisë në zonën minoritare, duke thënë se një ndër to është dhe investimi për sistemin e vaditjes së fushës së Dropullit. Berisha vuri në dukje se Shqipëria është në një proces rindërtimi tërësor, por duke siguruar se nuk do të heqë kurrë dorë nga boshti i jugut, që e afron atë me Tiranën, mbi 70 km. Ai vuri në dukje se “jemi përpjekur që t’i shpërndajmë investimet kudo dhe unë e konsideroj shumë të çmuar partneritetin e vendosur mes qeverisë vendore dhe asaj qendrore. Qeveria vendore është qeveria direkte e qytetarëve, është qeveria direkte e halleve dhe derteve tuaja”. “Nuk kam bërë dhe nuk do të bëj asnjë dallim partiak në shpërndarjen e taksave tuaja, do t’i shpërndaj ato me ndershmëri dhe drejtësi, që prej tyre të përfitojë çdo familje shqiptare kudo që ndodhet”, - tha Berisha. Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha përuroi dje fillimin e punimeve për rrugën në hyrje të fshatit Derviçan në Gjirokastër, me vlerë 12 milionë lekë dhe përfundimin e punimeve për sistemimin e përroit të këtij fshati, investim me vlerë 34 milionë lekë. Duke iu referuar sistemimit të përroit, Kryeministri theksoi se të gjithë rrugët pothuajse nga qendra e fshatit deri në dalje të tij janë bërë mbi atë që ka qenë një përrua që krijonte probleme shumë të mëdha, përmbyste lagje, por që në mote të këqija fuqizohej dhe merrte dhe jetë njerëzish. “Ne kaluam këtë rrugë pa kuptuar se po kalonim mbi një përrua të thellë që tani sistemon të gjithë ujërat që sjell shpati i malit dhe i çon drejt Drinos”, - u shpreh Kryeministri.

Kjo vepër, - theksoi Kryeministri, - ka qenë një vepër e premtuar nga qeveria, është realizuar një investim me efiçencë të madhe dhe ka shpëtuar Derviçanin nga një kërcënim i vazhdueshëm që ka pasur nga përmbytja. Duke përgëzuar kompaninë ndërtuese dhe kryetarin e Komunës së Derviçanit për punimet cilësore, Kryeministri garantoi se do të mbështesë çdo projekt, i cili do të përmirësojë jetën e banorëve të Derviçanit, Dropullit dhe mbarë zonave të minoritetit. “Në këto 2-3 vjet është investuar në shumë projekte dhe ju garantoj se ne do të financojmë të gjitha projektet. Ky fshat ka njerëz shumë punëtorë, me rreth 20 biznese që prodhojnë jo vetëm për Gjirokastrën, por për mbarë vendin. Ka biznese që eksportojnë, pra është një fshat me potencial të madh zhvillimi”, - u shpreh Berisha. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se është investuar për ripërtëritjen e sistemit të ujitjes të fushës së Dropullit dhe se qeveria po bën çdo përpjekje për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Dropullit të Sipërm, Dropullit të Poshtëm, të Pogonit të minoritetit dhe të gjithë Shqipërisë.

Gjermania, donatorja më e madhe në Shqipëri

Republika Federale Gjermane është donatorja më e madhe e Shqipërisë, pasi i ka dhënë vendit tonë dhe shqiptarëve ndihmën më të madhe për frymë në botë. Këtë konstatim ka bërë kreu i qeverisë Sali Berisha dje gjatë përurimit të nënstacionit të ri elektrik të Gjirokastrës (110/20 kv) dhe rrjetin shpërndarës 20 kv të tij, me vlerë 3.7 milionë euro, projekt i financuar nga qeveria gjermane. Në këtë përurim ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman në Shqipëri, Berndt Bortchardt. "Do të shkoj me kënaqësi të madhe me ftesë të kancelares Merkel në Gjermani. Ky është një nder shumë i madh për mua, por është një nder i madh për të gjithë shqiptarët. Do t’i shpreh kancelares falënderimet për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve për të ndërtuar demokracinë, ekonominë e tregut dhe për t’u integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike", - tha z. Berisha. "Ndihma që Gjermania i ka dhënë vendit tonë në aspektin financiar ka kaluar 700 milionë euro, por ajo ka qenë po kaq e fuqishme edhe në rrafshin politik, teknik, ekonomik dhe në fusha të gjithanshme", - theksoi z. Berisha.

“Gjirokastra i dha kombit dy gjeni, Kadarenë dhe Kapo Distrian”

Kryeministri Sali Berisha nuk ka mbetur vetëm tek fokusi i investimeve të qeverisë në rrethin e Gjirokastrës, por ka përmendur dhe vlerat që ky qytet i ka dhënë vendit. Ai inspektoi dje punimet për restaurimin e qendrës historike të Gjirokastrës, investim i qeverisë shqiptare nëpërmjet UNESCO-s, ku vlerësoi se realizimi i projektit të restaurimit të monumenteve historike po i jep qytetit të Gjirokastrës pamjen që meriton. Ai e ka përmendur dy nga emrat më të njohur prej këtij qyteti, të cilët i ka cilësuar si gjeni, Ismail Kadarenë dhe Kapo Distrian. “Ky qytet i ka dhënë kombit dhe botës dy personalitete gjeniale. Njërin në letra, Ismail Kadarenë, i cili përcjell në veprën e tij më shumë, më bukur, më mirë se kushdo tjetër shpirtin e shqiptarëve”, - tha kreu i qeverisë. Ai ka shprehur gëzim që puna për rikonstruksionin e shtëpisë së tij po ecën. Më tej shtoi se “Gjirokastra i ka dhënë botës Kapo Distrian, njërin prej statistëve më të mëdhenj të kohërave, njeriu që me gjeninë e tij politike udhëhoqi dhe drejtoi për një kohë të caktuar vendin mik, por edhe njeriu që i ka dhënë Zvicrës Kushtetutën. Kapo Distria ka qenë një mendje e ndritur në politikën e kohës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›