E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ju flet Tovërlani

Afrim Tovërlani ka thyer heshtjen. Ai ka konfirmuar se e ka ndërprerë bashkëpunimin me skuadrën e Hysit. Sipas strategut kosovar, arsyeja e largimit nga kampioni i Kosovës është angazhimi rreth shkollimit për licencën profi. Prishtinasi e ka falënderuar kryesinë e ekipit, derisa nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen ta drejtojë këtë skuadër.

Përfundimisht Afrim Tovërlani nuk do të jetë më trajner i Hysit. Strategu prishtinas ka vendosur ta ndërpresë bashkëpunimin me kampionin e Kosovës, vetëm një javë pasi ishte zyrtarizuar në krye të këtij klubi.

Ish trajneri i Prishtinës dhe i Trepçës ’89 ka treguar ekskluzivisht për Express se arsyeja e vetme që ka vendosur ta ndërpresë bashkëpunimin me klubin nga Merdara është angazhimi rreth shkollimit për licencën profi.

“Arsyeja e vetme pse e kemi ndërprerë bashkëpunimin është se i kam dhënë prioritet shkollimit dhe përfundimit të profi licencës. Asnjë mosmarrëveshje tjetër nuk kam pasur dhe të gjitha ato që mund të shkruhen nëpër mediume janë gënjeshtra”, ka thënë Tovërlani.

Tovërlani, i cili ka fituar dy tituj të kampionit dhe një Superkupë me ekipin e Prishtinës, thotë se kryesia e klubit nga Merdara është më korrekte se shumë kryesi të klubeve tjera kosovare.

“Sinqerisht e falënderoj kryesinë e Hysit, sepse kanë qenë korrektë dhe kanë insistuar që ta udhëheq unë skuadrën. Por, duke analizuar se jam një trajner që punoj në bazë të planeve, të cilat dua që vetë t’i zbatoj, shkaku i udhëtimit dhe mungesës sime, nuk kam pranuar të vazhdoj dhe nuk kam dashur që ta marr në qafë skuadrën dhe futbollistët. Nuk jam njëri prej atyre që vetëm dëshiron t’i marrë paratë dhe mos të brengoset për formën, rezultatet dhe sukseset e klubit”, theksoi ai.

Tovërlani kishte zhvilluar vetëm dy seanca stërvitore me ekipin e ri, para se të udhëtonte

drejt Shkupit për t’i ndjekur ligjëratat për licencën profi. Ai thotë se insistimi i disa mediumeve për ta kontaktuar gjatë kësaj kohe ka qenë i pakuptimtë.

“Kam qenë në Shkup gjatë këtyre ditëve dhe ka qenë i pakuptimtë insistimi i disa gazetarëve të marrin deklaratë nga unë. Së pasi, unë flas kur unë dua, nuk kam asnjë marrëveshje apo kontratë me mediume që t’u paraqitem atyre në telefon kur do që u teket dhe nuk llogarisin nëse mund ta shqetësojnë njeriun në orët e vona, duk mos analizuar se a mund ta ketë ndonjë problem apo dikë të sëmurë. Dhe, nëse dikush dëshiron që unë automatikisht t’i përgjigjem kur do që u duhem, le të urdhërojnë dhe të bëjmë kontratë”, ka thënë ai.

Tovërlani në fund ka insistuar se nuk ka pasur asnjë arsye tjetër për ndërprerjen e bashkëpunimit me Hysin. Ai thotë se janë ndarë si miq, derisa nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen ta drejtojë sërish ekipin nga Merdara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›