Prishen kioskat, gazetat në mes të shiut
VLORE - Policia Ndërtimore prishi dje katër kioska me kërkesë të Drejtorisë së Muzeut Historik. Ky muze do të rikonstruktohet, ndaj u kërkua heqja e këtyre kioskave, me qëllim që të lirohet sipërfaqja përreth tij. Policia Ndërtimore dhe ajo Bashkiake ndërmorën dje aksionin për prishjen e këtyre kioskave, njëra prej të cilave shërbente për shpërndarjen e gazetave në qytet. Por ata hasën në kundërshtimin e pronarëve, të cilët deklaruan se bashkia duhej të kishte menduar një tjetër vend për ta para se të veprohej. Fadromat ndërhynë e për pasojë shtypi i ditës së djeshme mbeti në mes të rrugës, në shi, duke dalë jashtë përdorimit. Edhe pronarët e kioskave të tjera kundërshtuan duke pohuar se i kishin ndërtuar ato me lejen e bashkisë. Policia Ndërtimore deklaroi dje se pronarët ishin lajmëruar 10 ditë më parë për këtë ndërhyrje. q.b