E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dhunimi” i 26-vjeçares,ekip kontrolli nga Tirana

 

Një grup kontrolli i Ministrisë së Bren-dshme mbërrin në Gjirokastër pas denoncimit të një 26-vjeçareje për dhunë nga punonjësit e policisë. Nisur nga pretendimet e Marjola Bonnet, (Karagjozi), dje ekspertët nga Tirana kanë marrë në dorë dokumentacionin për momentet e ndalimit të saj. Nga burime të grupit mësohet se të dhënat e para mbi verifikimin e raporteve të mbajtura dhe pyetja e tre punonjësve të akuzuar tregojnë se asnjë thënie e Bonnet nuk qëndron. Megjithatë po vazhdon verifikimi nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, ndërsa paralelisht po hetohet dhe nga prokuroria e rrethit të Gjirokastrës. Ditën e djeshme ka reaguar dhe organi i akuzës, i cili ka hedhur poshtë pretendimet e Bonnet, se njëri prej oficerëve gjyqësorë ka ushtruar presion psikologjik tek ajo në seancat pyetësore gjatë dhe pas kallëzimit penal. Këto burime kanë saktësuar për gazetën “Panorama” se Bonnet është marrë në pyetje për ngjarjen e ndodhur më 23 shkurt dhe ka dhënë deklarimet e veta në denoncimin e kryer, por kurrsesi oficeri gjyqësor nuk ka ushtruar presion psikologjik të pretenduar nga denoncuesja. Ndërkaq organi i akuzës ka filluar intensivisht procedurat pyetësore në ngarkim të policëve të akuzuar, shefit të qarkullimit rrugor në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës Blerim Laci, dhe inspektorëve të qarkullimit Bardhi Bineri dhe Altin Cela. Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht, ndërkohë që të njëjtat burime kanë pohuar se policët e akuzuar janë pyetur gjatë periudhës 10 ditore dy herë nga oficerët gjyqësorë për veprat penale të artikuluara në kallëzimin penal. Krahas akuzës së ngritur nga ana e Bonnet, Prokuroria po heton edhe rastin e akuzës së ngritur nga Policia e Gjirokastrës në ngarkim të Bonnet në bazë të nenit 214 të Kodit Penal. Të gjendur përballë një lumi akuzash për dhunë seksuale dhe grabitje të hollash, dy policët rrugorë Bardhi Bineri dhe Altin Cela, kanë depozituar dje në Prokurorinë e Gjirokastrës kallëzimin penal për shpifje në krye të detyrës ndaj Marjola Bonnet (Karagjozi). Vajza ka deklaruar se kësaj çështjeje do t’i shkojë deri në fund, pavarësisht kostos që do të kërkojë, ndërkohë që ka shprehur dhe mundësinë për të vënë në dijeni Ambasadën Franceze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›